Home Aktualitet “Pylli orbital”, dy peme per nje makine

“Pylli orbital”, dy peme per nje makine

1593
0

Dy pemë për çdo makinë që lëviz në Tiranë. Ky është qëllimi i bashkisë me krijimin e pyllit orbital rreth e qark kryeqytetit.

“Në një qytet si Tirana, që ka 200 mijë makina të vetat, nga 50-60 mijë që vijnë nga rrethet çdo ditë, na duhet të mbjellim 500 mijë pemë për të zeruar të gjithë efektin dhe ndotjen që shkaktojnë ato”, deklaroi kryebashkiaku, Erion Veliaj.

Bashkia ka nisur sezonin e mbjelljes së pemëve, që do të zgjasë deri në muajin mars, ku paralelisht do të punohet edhe për ndërtimin e ambienteve argëtuese.

“E fillojmë mbarë këtë stinë mbjelljesh me 200 pemët e para, për të vijuar deri në mars të vitit tjetër. Është pjesë e konceptit tonë për Pyllin Orbital dhe duam që pas Parkut të Liqenit, që tashmë vizitohet rregullisht nga 300 mijë qytetarë, edhe në zonën e Farkës, që shtrihet në Njësinë 2 dhe në Dajt, të shtojmë aktivitetet argëtuese, të kemi më shumë animime, sporte dhe organizime në natyrë”, tha Veliaj.

Le të bëhemi pjesë e një qyteti ku kontribuojmë të gjithë, tha Veliaj, në vend që të ankohemi përditë.

“Të gjithë vullnetarët që janë këtu sot kanë bërë diçka jashtëzakonisht të dobishme dhe kanë vendosur që të mos bëhen pjesë e kategorisë së njerëzve që ankohet, por e atyre që thonë: Unë do të bëj diçka, po ndryshoj këtë realitet sepse mbjellja e pemëve s’mund të jetë monopol as i bashkisë dhe as i një kompanie të caktuar”, vijoi ai.

Pylli orbital në Tiranë parashikohet të ketë 2 milionë pemë gjithsej, ku vetëm në njësinë administrative Farkë janë mbjellur deri më tani 3000 fidanë drurë dekorativë dhe 2000 rrënjë ullinj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here