Home Politike PS drejton “artilerinë e rëndë” ndaj Dritan Priftit

PS drejton “artilerinë e rëndë” ndaj Dritan Priftit

1465
0

Selia rozë ka shtuar akuzat ndaj ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Deputetja e qarkut të Beratit, Ermonela Felaj ka publikuar dokumente të reja që i shtohen akuzave për përvetësim pasurie të nënkryetarit të LSI-së në mënyrë të paligjshme. Duke iu referuar kundërpërgjigjes së ministrit Prifti, se ai nuk ka konflikte interesi deputetja Felaj, deklaroi se ministri ka punësuar në bordin e OST-së Rasim Hamzarajn që sipas PS është kushuri me ministrin Vasili. Akuzat e PS ditët e fundit sa kanë ardhur dhe janë shtuar kundrejt ministrit të Ekonomisë për pasurinë e tij të deklaruar në ILDKP. Nga ana e saj Bashkia e Tiranës përforcon idenë se do të dorëzojë shpejt padinë ndaj Dritan Priftit në Prokurori pasi është ende në fazën e plotësimit të dosjes për këtë qellim. Megjithatë kjo bashki denoncon faktin se deri tani ka dorëzuar një listë të gjatë kallëzimesh dhe është ende në pritje të një hetimi nga ana e Prokurorisë së Tiranës.
Akuzat e opozitës
Sipas PS, ministri ka emëruar njeriun të cilin e deklaroi se i kishte shitur aksionet në postin e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Operatorit të Sistemit të Transmetimit.
“Sot opozita ka megjithatë pyetje të reja për Dritan Priftin: Ç’do njeriu që të dha 1.8 milionë euro në bordin e OST-së? Për çfarë arsyesh ky njeri është në këtë bord? Ç’lidhje tjetër në dëm të shtetit e në cenim të ligjit ke ti zoti Prifti me këtë individ? Ne e dimë që Prifti s’ka përgjigje as për 1.8 milionë eurot, as për tatimin e papaguar të fitimit, as për kushëririn e Petrit Vasilit që tenderët i merr tek shëndetësia dhe lekët i shton tek ekonomia, sepse të dyja i ka partia, LSI-ja”, u shpreh deputetja Felaj. Sipas deputetes së PS-së, kjo shitje është shkelje e hapur e ligjit për konfliktin e interesit dhe afera korruptive e ministrit sipas saj, nuk mbaron me kaq. Deputetja Ermonela Felaj, tha se ministri Prifti që mbrohet nga kryeministri Berisha dhe zëvendëskryeministri Meta, ende nuk tregon dot si i bëri 1.8 milionë euro.
Bashkia përgatit padinë ndaj Priftit
Zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës, Florian Serjani ka depozituar dje pranë Prokurorisë së Tiranës listën e padive të ngritura nga Bashkia e Tiranës, drejt të gjithë krerëve të mazhorancës, që kanë akuzuar padrejtësisht kryetarin e Bashkisë, Edi Rama. Sipas Serjanit mes padive, të cilat ai i lexoi për mediat para oborrit të Prokurorisë është edhe ajo më e fundmja që i kushtohet Ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, për fyerjet e drejtuara ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës, ndër të tjera i ka bërë thirrje Prokurorisë së kryeqytetit që të hetojë të gjitha aktpaditë dhe të zbardhë të vërtetën e akuzave në dëm të kryebashkiakut Rama, pasi qytetarët të cilët e kanë votuar Ramën për kaq vite në krye të Bashkisë më të madhe në vend, kanë të drejtë të mësojnë të vërtetën mbi akuzat e padenja.

Ermonela Felaj
“Dritan Prifti merr detyrën e tij si Ministër i Ekonomisë në 17 shtator 2009 dhe vetëm një javë më pas, në 23 shtator 2009, ai emëron kushëririn e ministrit Vasili, biznesmenin Rasim Hamzaraj anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të OST. Nuk duhet harruar se OST është një monopol i qeverisë, i drejtuar nga Dritan Prifti si Ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës.”

Florian Serjani
Zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës, Florian Serjani ka depozituar sot pranë Prokurorisë së Tiranës listën e padive të ngritura nga Bashkia e Tiranës, përdrejt të gjithë krerëve të mazhorancës, që kanë akuzuar padrejtësisht kryetarin e Bashkisë, Edi Rama. Sipas Serjanit mes padive, të cilat ai i lexoi për mediat para oborrit të Prokurorisë është edhe ajo më e fundmja që i kushtohet ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti.
Përtej lajmit…

Sulmet e opozitës, janë ndaj Priftit apo dyshes Berisha-Meta?

Sulmet e forta dhe akuzat që opozita i ka bërë ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti kanë ngritur dhe dilemën nëse vërtet Edi Rama dhe PS janë të interesuara për të vendosur pas “muri” një ministër apo kërkojnë goditjen e dyshes Berisha-Meta? Dritan Prifti, akuzat që i erdhën në mënyrë të beftë dhe të fortë nga opozita, u mundua ti përgjigjej me kundërsulme ndaj liderit të opozitës Edi Rama. Por u pa qartë se artileria e rëndë e opozitës për ballë vetëm një ministri ishte e papërballueshme. Kryeministri Berisha në një gjendje jo të mirë shëndetësore e ka pasur të pamundur që të mbrojë ministrin e kabinetit të tij. Ilir Meta i cili ka detyrën kryesore për të reaguar ndaj akuzave të opozitës për nënkryetarin e LSI e ka bërë një gjë të tillë vetëm ditën e djeshme me një deklaratë e cila në thelb as e mbronte dhe as e akuzonte Priftin. Ajo që shihet në gjithë këtë histori është fakti se PS është e interesuar në mënyrë të drejtpërdrejtë që të sulmojë dyshen Berisha-Meta, dhe nuk ka nyje më të mirë se Prifti që i lidh dy politikanët kryesorë të qeverisë. Nëse PS do të kërkonte të merrej me një ministër të veçantë sigurisht që nuk do ishte Prifti i pari në listë, pasi me ardhjen e zgjedhjeve lokale Basha padyshim që përbënë interesin më të madh për opozitën për ta sulmuar duke parë se përflitet nga mazhoranca si kandidati i së djathtës për bashkinë e kryeqytetit. Në gjithë këtë lumë akuzash dhe sharjesh mes opozitës dhe Priftit, dyshja kryesore e qeverisë Berisha-Meta, duhet të marrë përsipër sulmet e opozitës, në të kundërt, rënia e ministrit Prifti është padyshim dhe një goditje e fortë për të gjithë koalicionin PD-LSI.

Kreu i LSI-së mbron ministrin e Ekonomisë nga sulmet e socialistëve
Meta: Fobia e Ramës ndaj Priftit është e vjetër

Reagon PS, Xhaçka: Keqardhje për mënyrën se si Meta justifikon pasurinë e Priftit

Në përgjigje të sulmeve që Partia Socialiste po i bën ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, lideri i LSI-së, Ilir Meta, deklaron se fobia e Ramës për Priftin është e vjetër. Ministri i Jashtëm tha ndër të tjera se sulmet e njëpasnjëshme të PS-së, janë banale dhe denigruese. Ndërkohë, kundrejt kësaj deklarate ka reaguar deputetja e PS-së, Olta Xhaçka, duke thënë se Meta po mbron Priftin duke justifikuar aktet e tij abuzive.  Ndërsa, zv.ministri i Ekonomisë, ka kërkuar që ILKDP të hetojë pasurinë e Priftit dhe Edi Rama të bëjë analizat për drogë.
Deklarata
Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi dje se konflikti Rama- Prifti i ka rrënjët e thella. “Për mua ky nuk ishte një konflikt i ri; konflikti Rama-Prifti është një konflikt i vjetër që kur kanë qenë të dy në Partinë Socialiste”, u shpreh Meta. Diplomati shqiptar tha se këtë debat e ka ndjekur përmes internetit pasi nuk ka qenë në kryeqytet.  “Në këtë debat, të cilin më tepër e kam ndjekur përmes sms-ve dhe internetit, pasi vetë fluturimet për në Afganistan dhe në Kazakistan e kanë bërë të pamundur ndjekjen e një debati të tillë. Por mund t`ju them me keqardhje se xhelozia dhe fobia e z. Rama ndaj z. Prifti janë të vjetra, nuk janë të reja”, theksoi Meta. Ndër të tjera, Meta i cilësoi si absurde sulmet e soicliastëve, që krijojnë lidhje abuzive mes ministrit Prifti dhe ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili”. “Gjithashtu dëgjojmë edhe një absurditet tjetër, që ortaku i cili ka marrë këto aksione, sipas Partisë Socialiste, qenka kushëri i Petrit Vasilit, ministrit të Shëndetësisë, dhe ky paska marrë pjesë në tenderët që bën Ministria e Shëndetësisë apo QSUT-ja për çështjen e ilaçeve. Kjo është thjesht një përpjekje diabolike për të krijuar një klimë denigruese dhe të pandershme, pasi me sa u interesova edhe vetë, ky person merret me këtë aktivitet farmaceutik prej 15 vitesh dhe njëkohësisht në këtë kompani që është një ndër më të njohurat në vend, ai është një ndër tre aksionarët,  duke marrë pjesë në këtë lloj aktiviteti shumë kohë përpara se z. Vasili të bëhej ministër i Shëndetësisë”, sqaroi diplomati shqiptar.
Reagimi
Pas deklaratave mbrojtëse të ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta ndaj ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, i menjëhershëm ka qenë reagimi i selisë rozë.  Deputetja e PS-së, Olta Xhaçka deklaroi se “Duke dëgjuar sesi Ilir Meta mbron Dritan Priftin, shprehim edhe njëherë keqardhjen për trafikimin, që grupi i Ilir Metës u bëri vjet 80 mijë zemrave socialiste për përfitime personale e pasurim të paligjshëm në oborrin e pushtetit të Sali Berishës”. Xhaçka tha se me të tillë keqardhje PS, po sheh mënyrën krejt banale me të cilën zv/kryeministri i këtij vendi në krizë ekonomike, justifikon 1.8 milionë eurot fitim të një ministri, që pasurohet si biznesmen me detyrën shtetërore. Duke iu referuar deklaratave të Priftit ndaj Ramës, Xhaçka shprehu keqardhjen e selisë rozë, për mbrojtjen që zëvendëskryeministri Meta i bën këtij ministri, që për të mbrojtur veten, flet si rrugaç duke turpëruar shtetin dhe qëndron në detyrë për të mundësuar tjetërsimin deri në fund të pronave të shtetit në prona private të familjeve të pushtetit. Ndërsa, zv.ministri i Ekonomisë, Leonard Beqariaj ka kërkuar që ILDKP të hetojë pasurinë e Priftit dhe Rama të bëjë analizat e drogës.

Ilir Meta
“Partia Socialiste duhet t`i ndjekë akuzat e saj në këtë rrugë. Për mua ky nuk ishte një konflikt i ri; konflikti Rama-Prifti është një konflikt i vjetër që kur kanë qenë të dy në Partinë Socialiste. Dua të deklaroj se nuk kam patur asnjë rol në këtë debat, të cilin më tepër e kam ndjekur përmes sms-ve dhe internetit, pasi vetë fluturimet për në Afganistan dhe në Kazakistan e kanë bërë të pamundur ndjekjen e një debati të tillë. Por mund t`ju them me keqardhje se xhelozia dhe fobia e z. Rama ndaj z. Prifti janë të vjetra, nuk janë të reja”.

Olta Xhaçka
“Duke dëgjuar sesi Ilir Meta mbron Dritan Priftin, shprehim edhe njëherë keqardhjen për trafikimin që grupi i Ilir Metës u bëri vjet 80 mijë zemrave socialiste për përfitime personale e pasurim të paligjshëm në oborrin e pushtetit të Sali Berishës. Ashtu siç rishprehim keqardhjen për mënyrën krejt banale me të cilën zv/kryeministri i këtij vendi në krizë ekonomike, justifikon 1.8 milionë eurot fitim të një ministri që pasurohet si biznesmen me detyrën shtetërore, flet si rrugaç duke turpëruar shtetin dhe qëndron në detyrë për të mundësuar tjetërsimin deri në fund të pronave të shtetit në prona private të familjeve të pushtetit.

Leonard Beqiraj
“Ministri i ka kërkuar Ramës, që të bëjë analizat, që vërtetojnë nëse ai ka përdorur ndonjëherë lëndë narkotike apo jo. I kërkojmë sërish zotit Edi Rama, që të kryejë këto analiza, në një klinikë të zgjedhur. Populli nuk mund t’i besojë një personi, që emocionet e veta kërkon t’i kontrollojë duke përdorur lëndë të palejueshme, lëndë narkotike, konkretisht kokainë. Dorazi sipas tij, rinia shqiptare nuk mund të shohë zotin Rama si një model për të ndjekur atë”.
Meta: Jemi vonë, të nisë reforma zgjedhore

Lëvizja Socialiste për Integrim bën thirrje që të nisë sa më parë puna për reformën zgjedhore dhe të bëhet sa më shpejt transparenca e zgjedhjeve, në mënyrë që ti jepet situatës së rënduar politike në vend. Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, njëkohësisht edhe kryetar i LSI-së ka deklaruar se komisioni hetimor duhet ngritur sa më parë. Meta sqaroi se vota pro për kandidatët për Gjykatë të Lartë dhe kundërshtimet për ligjin e SHISH nuk përkthehen si përplasje më Partinë Demokratike. Ne mezi po presim për këtë. Kemi një vit që kemi kërkuar të ngrihet Komisioni Hetimor, që të bëhet transparenca, dhe të gjithë e kanë bërë të qartë që kërkojnë respektimin e Kushtetutës dhe pavarësinë e gjyqësorit. Shpresojmë që kjo situatë e pakuptimtë të kalohet sa më shpjet dhe të ecet përpara. Ndërkohë, gjej rastin edhe një herë tjetër të bëj thirrje që të fillohet puna për reformën zgjedhore, sepse transparenca garantohet me ligj”, u shpreh Meta. Gjithashtu, Meta ka sqaruar deklaratat e përfaqësuesve të LSI—së lidhur me ligjin e SHISH nuk interpretohen si përplasje më mazhorancën. “Unë e kam thënë me kohë se ligji ka nevojë për ripërtëritje në përputhje me Kushtetutën, në përputhje me shumë aspekte të tjera, dhe kjo nuk është një gjë e re”, theksoi diplomati shqiptar. ndër të tjera, Ministri i Jashtëm deklaroi se përpos koalicionit me mazhorancën, LSI ka një linjë politike të vetën, duke theksuar se nuk kishte arsye që LSI të kundërshtonte dekretet e Presidentit për anëtarët e gjykatës së Lartë.

————————————————————————————————————————————————
Grupi COSMOTE – në pararojë të teknologjisë Shpejtësi prej 100 Mbps me teknologjinë LTE

Grupi COSMOTE është i pari që lancon rrjetin LTE (Long Term Evolution) në Europën juglindore. Ky test çel rrugën për rrjetin 4 G në vendet ku shtrin aktivitetin Grupi COSMOTE. Rrjeti LTE ofron shpejtësi shkarkimi 100 Mbps dhe shpejtësi ngarkimi prej 45 Mbps. Shpejtësi të tilla, që krahasohen vetëm me shpejtësinë e rrjetit me fibër optike, do t’u japin mundësi abonentëve të kenë akses në shërbime si videokonferencë në HD dhe shikim videosh në HD, navigim jashtëzakonisht të shpejtë, etj. Për shembull, përdoruesit do të kenë mundësi të shkarkojnë një film HD brenda 2-3 minutave. Deri tani shumë pak operatorë në botë kanë në përdorim rrjete të tillë. Kështu Grupi COSMOTE vendoset në krye të zhvillimeve teknologjike. AMC, pjesë e Grupit COSMOTE dhe Grupit Deutsche Telekom, është krenare që sjell në tregun tonë teknologjinë moderne, si dhe produktet e shërbimet me çmimet më të leverdishme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here