Presidenti Trump shkarkon drejtorin e FBI-se

0
33

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka shkarkuar drejtorin e FBI-së, James Comey. Mediat amerikane thonë se shkarkimi i drejtorit të Byrosë Federale të Hetimit është komunikuar nga Sekretari i Zyrës së Shtypit, Sean Spicer.

“Është esenciale që të gjejmë një udhëheqje të re për FBI-në që të rivendosë besimin e publikut”, thuhet mes tjerash në një letër që presidenti Trump i dërgoi Comey, e cila u bë publike të martën vonë nga Shtëpia e Bardhë.

“Presidenti ka pranuar rekomandimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe të Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm lidhur me shkarkimin e drejtorit të FBI-së,” tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, transmeton Rel.

Të martën, FBI-ja njoftoi Kongresin se Comey kishte paraqitur në mënyrë të pasaktë disa nga gjetjet që përfshinin hetimet rreth emaileve të Hillary Clinton gjatë dëshmisë së dhënë prej tij në Kongres javën e kaluar.

FBI-ja saktësoi se vetëm një “numër i vogël” i emailave i ishte dërguar ligjvënësit Anthony Weiner, jo “qindra dhe mijëra “, siç ishte shprehur në dëshminë e tij Comey.

Letra e FBI-së iu dërgua Komisionit Juridik të Senatit të martën, më shumë se një javë pasi Comey dëshmoi për orë të tëra në mbrojtje të mënyrës se si e kishte trajtuar hetimin e emailave të Clinton.

Comey luajti një rol të rëndësishëm në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, kur Trump mundi Clinton.

Comey tha në muajin korrik të vitit të kaluar se zonja Clinton kishte qenë “e pa kujdesshme” në përdorimin e informacioneve të klasifikuara, por nuk kishte bazë për akuzë.

Më pas në muajin tetor pak para zgjedhjeve, ai tha se kishte rihapur hetimet, meqë FBI kishte gjetur emaile të zonjës Clinton në kompjuterin e ligjvënësit Weiner.

Clinton fajësoi hetimet e Comey si njërin nga shkaqet që ajo humbi në zgjedhjet e tetë nëntorit të vitit të kaluar.

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here