Home Opinione Prec Zogaj: Marrëveshja Rama-Basha premton një etikë të re të fushatës

Prec Zogaj: Marrëveshja Rama-Basha premton një etikë të re të fushatës

1004
0
Prec Zogaj
Prec Zogaj

Që nga dita e pardjeshme, qeveria politike katërvjeçare Rama-Meta është një qeveri e bashkadministrimit të zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit nga shumica dhe opozita. Kryeministri i saj është përsëri zoti Rama. Bërthama e saj mbetet sërish grupi i ministrave politikë të shumicës në pushtet. Kësaj bërthame i janë bashkangjitur një zëvendëskryeministër dhe gjashtë ministra teknikë të propozuar nga opozita. Këta të shtatë pak kanë të bëjnë me detyrat që përmbushin zakonisht ministrat politikë. Por janë si me thënë shtatë palë sy dhe shtatë fuqi vepruese par exellance në mbrojtje të standardeve zgjedhore.

Kjo lloj qeverie e zgjedhjeve është vërtet një rast i veçantë që nuk e kemi ndeshur në botën perëndimore. Ajo është fryt i arsyeve të mëdha ku u mbështet protesta maratonë e opozitës, arsye të cilat ideuan dhe diktuan marrëveshjen RamaBasha të ndërmjetësuar nga Uashingtoni dhe Brukseli. Duhet thënë se në momentin e fundit formati i marrëveshjes së ndërmjetësuar apo paketa “McAllister plus” thirri në kauzë një vetëdije të re të kryeministrit Rama dhe shefit të opozitës Basha, gjë që u pa jo vetëm në zgjerimin domethënës të marrëveshjes bazë, por edhe në premtimin prej tyre të një reformë kushtetuese dhe zgjedhore që pritet të zgjidhë njëherë e mirë problemet e zgjedhjeve të lira e të barabarta në Shqipëri.

Kjo vlen të theksohet jo vetëm për të nderuar të vërtetën, por edhe për të promovuar përgjegjësinë e liderëve politikë të qeverisë dhe opozitës për të punuar së bashku pa qenë nevoja të merren përdore nga miqtë dhe partnerët. Qeveria e bashkadministrimit të zgjedhjeve është një premisë e jashtëzakonshme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në vend. Por do të ishte naivitet të mendohet se me kaq ua hodhëm zgjedhjeve të lira. Funksionimi i kësaj formule është një gjë që mbetet për t’u shpikur në punë e sipër, pa humbur kohë. Sepse nuk ka kohë.

Ministrat teknikë janë misionarë të zgjedhjeve të lira. Ministri i Brendshëm dhe forcat e rendit kanë për detyrë t’u presin duart dhe të nxjerrin jashtë luftimit në kuptimin e ligjit individët me rekorde apo pa rekorde kriminale që do të tentojnë të ushtrojnë presion e dhunë ndaj zgjedhësve, të blejnë karta dhe vota, të manipulojnë me presione dhe me para administrimin dhe numërimin e votave. Në qoftë se policia nuk bëhet palë me kriminelët e angazhuar në zgjedhje, por i mbërthen me prova dhe fakte, nuk ka prokuror apo gjykatës me dy para mend në kokë që mund t’i lërë të lirë.

Ministrat e tjerë teknikë dhe drejtorët e agjencive kanë për detyrë të mbajnë larg zgjedhjeve administratën publike, të ndalojnë përdorimin e shërbimeve, aseteve dhe burimeve publike për të orientuar apo blerë votën e qytetarëve. Veç kësaj, siç e cekëm më lart, këta ministra do të kenë mundësi të mbledhin një volum informacioni të zyrtarizuar që i ka shpëtuar deri më sot vëzhgimit të zgjedhjeve.

Nuk ka dyshim se përgjegjësia kryesore për mbarëvajtjen e zgjedhjeve i mbetet kryeministrit të vendit, zotit Rama. Pa e paragjykuar, nuk bëjmë keq ta paralajmërojmë se prania e ministrave teknikë në qeverinë e tij nuk do të mund t’i shërbejë në asnjë rast si një alibi për parregullsitë apo manipulimet e mundshme. Shpresojnë të mos ketë manipulime. Nëse do të ketë, përgjegjësitë do të jenë lehtë- sisht të adresueshme. Barra më e madhe do të bjerë mbi supet e tij.

Marrëveshja për qeverinë e zgjedhjeve ka sjellë përveç formulës së re të kompozimit të saj, edhe një shtendosje dhe zbutje të gjuhës politike. Përtej kësaj risie, që shoqëron të gjitha marrëveshjet në ditët dhe javët e tyre të para, nuk ka asgjë që të provojë në rrafshin teorik dhe praktik se kjo është një qeveri koalicioni PS-PD-LSI. Një qeveri politike koalicioni dhe një qeveri kalimtare e bashkëadministrimit të zgjedhjeve janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Konfondimi i tyre është ose një naivitet, ose një spekulim i pastër që ka për qëllim të ulë sa të jetë e mundur kreditet e opozitës në garën elektorale, sikur ajo nuk është më opozitë, sikur vendi nuk ka më opozitë të madhe, por vetëm disa zëra të veçuar opozitarë, e të tjerë. Kryeministrit Rama i vjen për shtat kjo lloj retorike, pavarësisht se nuk e thotë. Atij i intereson të shfaqet si babaxhani i madh që i ka marrë nën sqetull të gjithë. Në këtë mënyrë shpreson të zvogëlojë efektet e luftës së padrejtë që i bëhet për lëshimin e shtatë posteve ministrore dhe disa agjencive. Njëherësh ta tregojë opozitën si pjesë të sistemit që do të kënaqej me llokma.

Të gjitha këto do t’i përgënjeshtrojë e rrëzojë gara elektorale, gongu i së cilës ka rënë për socialistët dhe pritet të bjerë të shtunën edhe për demokratët. Socialistët e Ramës dhe eurosocialistët e Metës do të konkurrojnë si forca që kanë qeverisur për një mandat katërvjeçar këtë vend. Demokratët e Bashës dhe aleatët e tyre do të konkurrojnë si forcat që kanë bërë opozitën. Kjo nuk ndryshon. Kjo është gara në këto zgjedhje. PS dhe LSI do të duhet ta fillojnë me bilancin dhe llogaridhënien për premtimet e para katër viteve. Kjo është elementare për një qeveri që synon një mandat të dytë. Është detyrë para zgjedhësve edhe kur qeveria nuk e synon një mandat të dytë.

Deputetët e PSse dhe LSI-së kanë detyrimin të dalin para zgjedhësve për t’u ballafaquar me ta për punën e katër viteve. Dhe jo t’ia mbathin po me firmën e kryetarëve në një qark tjetër për t’ia filluar gënjeshtrës nga e para. Fushata e partive të qeverisë nuk bie gjëkundi era llogaridhënie. Në vend të bilancit në raport me premtimet elektorale bëhet propagandë e shfrenuar. Programi për katërvjeçarin e ardhshëm është një lumë fjalësh në hava, ku më shumë flitet sërish për qeverisjen e Berishës a thua se Rama nuk i ka marrë njëherë votat duke sulmuar e anatemuar atë qeveri. Rama në fakt është në siklet. Deri para marrëveshjes kishte shaluar si kalin e betejës se re elektorale vetingun, fajësimin e kundërshtarëve sikur nuk po dinë ku të futen nga frika e vetingut.

Me këtë shpresonte të kalonte lumin pa paguar kosto për premtimet e pambajtura dhe skandalet. Tani që ky kalë beteje i ra, ai po xhiron në një shtjellë të zbrazët llafesh. Atij i duhet të shpikë një fabul të re elektorale dhe ka pak gjasa t’ia arrijë. E dëgjova pardje në një takim elektoral me gratë në Durrës. Kryetari i Bashkisë, zoti Dako, reklamoi kobet që do të binin mbi Shqipërinë dhe shqiptarët po të mos i jepej një mandat i ri Edi Ramës! Vetë Rama futi në fjalën e tij farat e kungullit që hanin policët e qeverisë së shkuar dje, sipas tij, dhe që do të fillojnë t’i hanë prapë nëse njerëzit nuk votojnë PS-në! Dukej si gallatë, në fakt e kishte seriozisht.

Kjo e farave të kungullit është vetëm një hollësi në vargun e marrëzive që ilustrojnë mjerimin e një fushate pa bilanc, pa program, pa objektiva konkretë, që po vë në boshtin e saj kërcënimin e apokalipsit po të mos kemi në karrigen e kryeministrit Edi Ramën! Opozita nga ana e saj ka realisht shumë për të treguar për bilancin e saj si opozitë gjatë këtyre katër vjetëve. Opozita ka një vizion të konsoliduar për republikën e re të lirive dhe konkurrencës, me të cilën mund të zgjojë shpresën e shqiptarëve.

Mbi të gjitha, opozita ka një program shumë konkret për zhvillimin, për taksat e ulëta, për qeverinë e vogël, për uljen e shpenzimeve, për lancimin e investimeve, për pensionet, për rrogat, për politikat sociale, e të tjerë, që nuk e ka pasur deri më sot asnjë opozitë. Marrëveshja Rama-Basha premton një etikë të re të fushatës, plot përmbajtje dhe konstruktivitet, së cilës opozita duhet t’i qëndrojë sepse e ka në favor. Me një program shumë të mirë, me ekip dhe me etikë, opozita ka shansin t’i japë jetë një gare të vërtetë alternativash që nuk e ka njohur vendi. Kjo do të jetë faqja e parë në librin e republikës së re.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here