Home Alfred Lela Pranvera e vetmuar e Lulzim Bashës

Pranvera e vetmuar e Lulzim Bashës

1367
0

Alfred LelaNjë fantazmë po e kërcënon Shqipërinë. Ajo e skizofrenisë politike. Shenjat e saj nuk mund të mos i vëresh tek aleancat zgjedhore që po konturohen këtë javë. Ku spikasin sigurisht “besa-besat” politike të lidhura me mazhorancën. Shpëtim Idrizi me të tijtë, që portali lapsi.al i quan me shpoti ‘tregu çam’, e kanë hekurosur tashmë një marrëveshje me Edi Ramën duke marrë, sipas raportimeve të medias, tri bashki të vogla por të sigurta dhe me oreks për ndonjë tjetër.

Shefi i qeverisë i ka bërë thirrje edhe ish-presidentit Topi, tashmë kryetar i Frymës së Re Demokratike, që t’u bashkohet vagonëve elektoralë që lidhen pas lokomotivës së tij.

Ndërkohë që gjendja në kampin qeverisës ngjan robuste me oportunitete, ligsht duken gjërat djathtas ku prin Partia Demokratike e Lulzim Bashës. Edhe ‘i fundmi i mohikanëve’, një partner që nuk i është ndarë PD-së, republikani Fatmir Mediu, duket se po kërcënon me shenjën e lamtumirës nga kampi i djathtë. Në mes të kësaj mosmarrëveshjeje qëndron Agron Duka, deputeti republikan i cili kërkon të jetë kandidat për kryetar bashkie në Durrës.

Nëse gjithë këto lëvizje nuk mund të ishin më shumë se normalitet paraelektoral, nuk mund të mos vëresh anomali e deri skizofreni, nëse skenës i vendos nga mbrapa edhe sfondin e zhvillimeve politike e sociale në vend.

Shumë gjëra kanë ndodhur këtë muajin e fundit që aktorët politikë të guxojnë e të sillen sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Kanë ndodhur gjëra që në të gjitha kushtet e në të gjitha rrethanat do ta riformulonin skenën, por edhe qëndrimet e aktorëve politikë e socialë. Në oborrin e parmë të mazhorancës kemi parë të dalin nga disa dyer, drejt e nga kthinat e thella, shumë të palara e bashkë me to edhe një sfond kriminal. E zeza përmbi të purpurtën e Rilindjes.

Më i fundit prej tyre është skandali me një dokument të Interpolit, të fshehur me paramendim nga autoritetet, ku kërkohej arrestimi i një deputeti të mazhorancës. Dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, z. Didi, nuk mund të duartrokitet siç duhej bërë në rrethana të tjera, sepse shoqërohet nga intuita dhe info se nuk ishte më shumë se një lëvizje për të mbuluar jashtëlojën institucionale të të tjerëve sipër tij në hierarki.

Kjo ngjarje qëllon të jetë vetëm njëri nga kapitujt e një romani kriminal, ku janë përfshirë protagonistë me lidhje të forta dhe qendrore të mazhorancës në pushtet. Bëhet fjalë për aferën e zotit Tom Doshi dhe akuzat e tij ende të pazbardhura, edhe më shumë të tilla nëse llogarit edhe lojën plot hije të prokurorisë.

Për këta demonë e të tjerë, trafiku i aleancave duhet të kishte kah të kundërt: mazhoranca të shihej me skepticizëm e gërdi dhe opozita si alternativë. Jo për atë se kjo e fundit meriton të quhet plotësisht e tillë, por qoftë edhe për faktin se pakica e ka patur dekriminalizimin kryefjalë të diskurit të saj politik prej më shumë se një viti.

Ato që i kujtonim kasandra fatkobe me qëllime përfitimesh politike, na dolën makthe dhe opozita u përligj në alarmin e saj.

Çfarë atëherë? Nuk na bën shumë përshtypje se kemi një skenë politike të inkriminuar? Apo i kemi thënë “Po” pushtetit me çdo kusht dhe, pavarësisht tronditjeve, më shumë pushtet për të shpërndarë ka mazhoranca? Apo dhe në ndërrofshin ata në krye, ndoca që sot hidhen andej do kërcejnë mbrapsht këtej? Apo shoqëria dhe politika janë tashmë të infektuara?

Të gjitha nga pak, e ca prej tyre edhe më shumë.

Por, më shumë se përpjekje për të dhënë përgjigje, ky koment është një vështrim i gjërave. Sa për të thënë: ja ku janë ngjarjet. Ngjajnë si skizofreni.
“Mapo”
*Titulli origjinal: Pranvera e vetmuar e Lulzim Bashës

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here