Home Shendetesi Përse s’duhet banja e diellit

Përse s’duhet banja e diellit

1567
0

Forcimi i rezistencës së organizmit duhet të jetë pjesë përbërëse e çdo individi. Organizmi duhet që gradualisht t’u ekspozohet disa faktorëve dhe kushteve në të cilat e forcon rezistencën. Fortësimi i rezistencës së organizmit arrihet me shfrytëzimin e rregullt të faktorëve të jashtëm: diellit, ajrit dhe ujit. Drita e diellit ka cilësi shumë të dobishme, ku në ndikimin e saj kryhet një numër i madh i proceseve në qelizë. Kryesisht efekte pozitive kanë rrezet ultravioletë, ndaj të cilave lëkura ka ndjeshmëri të ndryshme. Personat me sëmundje të lëkurës duhet t’u ekspozohen rrezeve të diellit vetëm sipas udhëzimeve të mjekut. Është e nevojshme marrja e rrezeve të diellit në det. Por ky veprim duhet të jetë gradual. Rekomandohet që ditën e parë ekspozimi ndaj diellit duhet të jetë vetëm 5 minuta. Së pari, duhet të marrin rreze duart dhe këmbët pastaj shpina dhe gjoksi. Lëkura e barkut i merr e fundit rrezet, për arsye se është më e ndjeshme. Të ndjeshëm ndaj rrezeve janë personat neurolabilë, si dhe personat shumë të dobët fizikisht. Personat me sëmundje të zemrës dhe enëve të gjakut duhet të ekspozohen me kujdes ndaj rrezeve të diellit.

Pasojat e plazhit
Njolla, myk, quka, djegie të thella, dehidratim, por edhe skuqje, infektim janë disa nga “pasojat” e plazhit. Më të ndjeshëm ndaj këtyre janë fëmijët e vegjël, gratë dhe të rinjtë. Lëkura dhe organizmi në njëfarë mënyre janë të rrezikuar nga dielli. Pas plazhit shfaqet tharja e lëkurës dhe të tjera probleme që shkojnë deri në infeksione serioze, si të mykut mbi lëkurë etj.

Më të theksuara, djegiet e lëkurës
Problem serioz për plazhistët dhe njerëzit që ekspozohen ndaj rrezeve të diellit janë djegiet e lëkurës. Ato nuk mund të shmangen ndryshe, përveç se me anë të përdorimit të solarëve, me mbrojtës me filtër të lartë, si edhe duke mos u ekspozuar në diell pas orës 10.00. Është e këshillueshme që pas plazhit të përdoren kremra hidratues “pas diellit” për lëkurën, pasi nga plazhi lëkura thahet jashtë mase. Në raste djegiesh të thella, rekomandohen edhe preparate në formë xheli. As qëndrimi nën çadër nuk të mbron nga dielli, pasi edhe rëra, edhe gurët rrezatojnë. Probleme shkakton rrezatimi diellor edhe te nishanet mbi lëkurë. Njëlloj ndodh me njollat dhe qukat, prej të cilave ankohen shumica e njerëzve që vuajnë nga shfaqja me tepri e pullave të bardha mbi lëkurë, pa pigment. Zakonisht, për mykun dhe njollat rekomandohen preparate me ekstrakte bimore.

Këshillat pas ekspozimit në plazh
Pas çdo banje në det ose në pishinë trupi duhet të shplahet me ujë të pastër. Pas shfaqjes së mykut mbi lëkurë, duhet të ndërpritet plazhi dhe të niset kura. Në raste djegiesh jo të lehta, duhen përdorur antibiotikë dhe xhel “pas diellit”.Për njollat dhe qukat, duhet të përdoret mbrojtësi me filtër maksimal. Për ata që kanë nishane të ngritura mbi lëkurë, është i këshillueshëm mbrojtësi i lartë, sidomos në zonën e kurrizit.

Jo banja deti për tuberkolarët, të sëmurët nervorë, dhe kardiakët
Sëmundjeve si psoriazis vulgaris, ekzema kronike e thatë, deurodermitet, faza premykotike, tuberkulozi i lëkurës, sëmundja e leshmanozës, aknejuvenilia, alopecia areta, urtikaria kronike etj., të cilat kanë vetëm përfitim nga banjat e detit. Në mjekimin e këtyre sëmundjeve ndikojnë mjaft mirë rrezet ultravioletë, aerojonet dhe radioaktiviteti i ajrit, si dhe faktorë të tjerë të ajrit, të tokës dhe ujit. Rrezet e diellit nuk mund të zëvendësohen në asnjë mënyrë me rrezet ultravioletë që prodhohen në mënyrë artificiale. Megjithatë, ka edhe raste kur banjat e diellit nuk janë të këshillueshme dhe kjo më konkretisht u “mohohet” atyre që vuajnë nga tuberkulozi aktiv i mushkërive, që kanë eksitime (shqetësime të forta të sistemit nervor, dhimbje të vazhdueshme të kokës, marrje mendsh me të vjella, rrahje të shpejta të zemrës). Po ashtu, nuk rekomandohet banja në ato sëmundje të lëkurës që acarohen si fotodermatozat. Banjat e diellit nuk u këshillohen atyre që vuajnë nga epilepsia, nga sëmundjet infektive, nga sëmundje të rënda të veshkave, atyre që kanë prirje për hemorragji në tru, që janë shumë të dobët, me stenokardi (shtrëngime në zemër), që kanë tension të lartë të gjakut etj. Banjat u ndalohen njerëzve me moshë të thyer dhe grave në periudhën e dytë të barrës. Edhe të moshuarit që kanë predispozicion për tumore të lëkurës nuk duhet të qëndrojnë në diell më shumë se dy orë. Për çdo rast është e nevojshme të merrni parasysh këshillat e mjekëve.

Kura për sëmundjet e sistemit nervor
Për sëmundjet e sistemit nervor (neurozat), banjat e ajrit zhvillojnë një veprim shumë të mirë. Për këtë qëllim praktikohet gjerësisht gjumi në breg të detit si natën, ashtu edhe ditën. Këto procedura janë të mjaftueshme për 10 – 15 ditë rresht. Në disa të sëmurë veprojnë mirë edhe banjat e diellit, si nëpërmjet syrit edhe nëpërmjet lëkurës. Rrezet e gjelbra që reflektohen nga bimët e qetësojnë të sëmurin, ato i frenojnë proceset nervore, kurse rrezet ultravioletë, i ngacmojnë. Rrezet e diellit kanë vetinë të ndikojnë edhe në uljen e dhimbjeve. Tek i sëmuri përmirësohet gjumi, largohet dhimbja e kokës, dhimbjet e zemrës dhe ai e ndien veten të rigjallëruar. Këto banja bëhen në temperaturën e ajrit 22 – 18 gradë nga 15 minuta deri në 1 orë e gjysmë, në 15 – 20 seanca. Është mirë të zgjidhen vende malore.

Njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm në ekspozimin ndaj rrezeve të mbasdites në plazh
Si mund të mbrohemi nga dielli

Receta të specialistëve dermatologë dhe këshillat e tyre

Mungesa e informacionit bën që shumë njerëz të mos e kenë idenë se cilat janë oraret më të përshtatshme për t’u ekspozuar në diellin e verës. Kjo do të mundësonte respektimin e orareve të antidiellit. Po ashtu, shumë plazhistë nuk e kanë bërë të tyrin “vajin e plazhit”, e, për më tepër, nuk përdorin as kapele dhe as çadra. Mjekët porosisin që kur je i pambrojtur në diell, në një temperatutrë që shokon në mbi 35 gradë Celsius, rreziku për kancer të lëkurës, ose trauma psikike është evident.

Nuk duhet të ekspozohemi shumë në diell

Dermatologët këshillojnë që nuk duhet të ekspozohemi në diell nga ora 11.00 e deri në orën 16.00, për shkak se në këtë orar rrezet e diellit janë më të dëmshme. Megjithatë, nga sonadazhet e bluzave të bardha rezulton se janë shumë pak ata plazhistë që e kufizojnë ekspozimin në diell në këto orare. Po ashtu, gjatë gjithë kohës së banjës së diellit është i rekomandueshëm përdorimi i kremit sa herë që të futeni në det e të dilni që andej. Specialistët thonë se çdo një orë duhet përsëritur mbulimi me krem solar.

Mos e teproni me ngjyrën çokollatë të trupit

Plazhi shihet si një mënyrë për të larguar stresin. Të gjithë, sapo hyn stina e verës, mendojmë pushimet në bregdet. Synojmë që nën rrezet e diellit të marrim ngjyrën çokollatë të dëshiruar, edhe pse e dimë që ajo s’është gjë tjetër veçse teprim me qëndrimin në diell. Por, ngjyra çokollatë e trupit është teprim edhe me një pigment kanceroz. Njerëzit që jetojnë dhe punojnë në mjedise të mbyllura gjatë gjithë vitit në verë, në mënyrë të parregullt dhe jograduale, marrin rrezet e forta të një dielli nën temperatura të larta, pa u mbrojtur prej tij. Këta njerëz nuk i bind as fakti shkencor se nxirja është shfaqje e dukshme në lëkurë e një mbidoze rrezesh ultravioletë.

Shqiptarët shpenzojnë pak për kremrat anti-diell
Shumë pak shqiptarë shpenzojnë për krem mbrojtës ndaj diellit. Krejt ndryshe ndodh në vende të tjera rreth nesh. Ka një tendencë të klientëve për të blerë solar që shërben për mbrojtje nga rreziku i tumorit të lëkurës. Këto ditë temperaturat po arrijnë kulmet në Shqipëri. Ndërkohë, shqiptarët u janë drejtuar plazheve në bregdetin e Adriatikut, Jonit dhe të liqeneve.

Cilësitë kuruese të klimës bregdetare

Terapia e ujit të detit

Terapia e detit kuron me sukses mjaft sëmundje dhe lehtëson përparimin e shumë të tjerave. Por nuk duhet abuzuar me dëshirën për banjë dielli, pasi rekomanimi i saj ose jo, mësohet vetëm në kontaktet me mjekun. Dihet që një numër sëmundjesh përkeqësohen dhe për disa të tjera, dielli mund të jetë me pasoja për jetën. E mira është që të bëhen banja ajri në hije dhe në orët e mëngjesit.

Banjat për frakturat dhe plagët

Në raste të frakturave ose të plagëve veprojnë mirë banjat e ajrit prej 15 – 20 minutash e deri në dy orë, dy – tri herë në ditë në temperaturën e ajrit 16 – 22 gradë. Banjat e diellit përdoren të pjesëshme dhe të përgjithshme. Të pjesëshme kur plagët mbyllen me vështirësi. Janë të dobishme edhe banjat e ujit, nëse nuk ka pengesë prej ndonjë sëmundjeje tjetër. Banjat e mëngjesit janë të këshillueshme për sëmundjet e kockave dhe muskujve. Banjat e detit kanë veprim pozitiv në shërimin e reumatizmës që ka kaluar fazën e acarimit para 6 – 7 muajsh. Për të tillë të sëmurë këshillohen banja ajri dhe pas një jave banjat e diellit në orët e mëngjesit. Bëhen 15 – 20 seanca të përgjithshme. Mund të bëhen edhe banja dielli të pjesëshme, duke zbuluar vetëm kyçet e sëmura në 2 – 3 seanca. Nëse nuk ka prirje për t’u përsëritur sëmundja, përdoren edhe banjat e ujit, por për këtë, i sëmuri duhet ambientuar mirë, duke u lagur me ujë deti disa herë. Temperatura e ujit në fillim duhet të jetë 34 gradë Celsius, pastaj mund të zhytesh në ujë që zbret në 22 gradë.

Nxehtësia, e dobishme për sëmundjet veshkave

Banjat e diellit veprojnë mbi veshkat. Krahas me zgjerimin e enëve të gjakut të lëkurës, zgjerohen edhe enët e gjakut në veshka. Nëse shtohet djersitja në lëkurë, nuk ka ndonjë ndryshim në funksionin e veshkave, por kur nuk shtohet djersa, banjat e diellit shkaktojnë rritjen e punës së veshkave duke shtuar nxjerrjen e urinës dhe bashkë me të, edhe të lëndëve e tjera që përmban urina. Është vënë re se veprimi i rrezeve të diellit nuk shkakton ndonjë dëm mbi veshkat, jo vetëm kur ato janë të shëndosha, por edhe kur janë të sëmura. Klima e nxehtë përgjithësisht ka një ndikim të mirë në funksionimin e veshkave. Banjat e ajrit bëhen 1 – 2 orë në ditë, veçanërisht në sëmundjet e gurëve të veshkave dhe fshikëzën e urinës.

Pyjet dhe banjat e hijes, ilaçi për sëmundjet e tiroideve

Sëmundjet e këtyre gjëndrave janë të lidhura me funksionin e prishur të tyre nga shumë faktorë. Sëmundja që do mjekim klimaterik është tireotoksikoza e gradës së mesme dhe të rëndë, por pa çrregullime të thella. Kanë efekt të mirë vendet klimaterike në pyje dhe bregdet. Për këta të sëmurë, rëndësi të madhe ka qetësia fizike dhe psikike, krahas mjekimit dhe ushqimit. Ka të dhëna se në disa nga këta të sëmurë, bregdeti krijon shqetësime, sidomos gjatë verës, prandaj është mirë që të bëjnë banja ajri në hije. Banjat e ujit në det dhe lumenj t’i bëjnë me kujdes, kurse banjat e diellit t’i evitojnë. Në sëmundjen e strumës (gushës) që lind si pasojë e mungesës së jodit në ushqim, këshillohen banjat e detit ku ajri është i pasur me kripëra të jodit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here