Home Mustafa Nano Përgjigje një insinuate që vjen nga Prishtina

Përgjigje një insinuate që vjen nga Prishtina

745
0

mustafa_nanoPublicisti kosovar Halil Matoshi ka shkruar një artikull, në të cilin polemizon me aktorin e regjizorin Arben I. Kastrati. Dhe në fund të këtij artikulli bën një përmbledhje të librit tim ‘Unë jam gegë’, ndoshta të një kapitulli të librit, atij mbi gjuhën standarde. Dhe thotë (fjalët brenda kllapave katrore janë të mijat]: “Mustafa Nano shkruan [në librin ‘Unë jam gegë] se kufiri dialektor mes shqiptarëve nuk është në lumin Shkumbin, por në Morinë, aty ku fillon Kosova dhe ku jetojnë kosovarët e “topitur gjuhësisht”, që nuk dinë të flasin shqip!? Dhe sa për dijeni të Nanos dhe Kastratit [nuk kuptohet ky çiftëzim në këtë histori; unë nuk di që Kastrati të ketë mbrojtur ndonjëherë atë tezë që, sipas Matoshit, e mbroj unë], kosovarët e flasin shqipen që nga dardhanët [duhet të jetë fjala për dardanët?], madje të normuar në standard letrar nga “Komisija e Shkodrës” që në vitet 1917 dhe vlente si gjuhë zyrtare e Mbretërisë Shqiptare deri në shfaqjen e nacional-komunistit Hoxha.”

Duket që Matoshi e ka shkruar artikullin kritik mbi Kastratin në zemërim e sipër, ashtu siç ka bërë dhe Kastrati me filipiken e vet kundër kryeministrit Thaçi. Dhe në këto rrethana edhe mund të kuptohet pse ai i fërkon brirët me Mustafa Nanon (“shefin e portalit ‘Respublica’”, ku është publikuar artikulli i Kastratit), por nuk kuptohet pse ka pasur nevojën të bëjë një keqinterpretim të mesazhit të librit tim. Ai nuk më citon gërmë për gërmë, por lë të kuptohet se unë mendoj, apo se unë kam thënë, që “kosovarët e topitur gjuhësisht nuk dinë të flasin shqip”.

Uroj që ta ketë lexuar librin tim, ose që të mos e ketë lexuar shkeleshko, ose që të mos e ketë lexuar me synimin për të gjetur, jo atë që është shkruar, por atë që do donte ai të ish shkruar. Kush i ka bërë një lexim tjetër librit, s’e ka pasur hiç të zorshme të marrë vesh se unë thjesht i mbahem pretendimit që “kur vjen puna te shqipja standarde (vini re: shqipja standarde, e jo gjuha shqipe; fjala vjen, ‘dardhan’ është shqipe, por në standard thuhet ‘dardan’, pa ‘h’), kosovarët e kanë një ngecje, a një topitje, madje tek-tuk dhe animozitet. Dhe kjo nuk është një akuzë. Nuk është as fyerje. Është thjesht konstatim. Është dhe shtrim i një problemi që fillimisht duhet njohur (nuk e kuptoj pse nuk e pranojmë si problem), e pastaj duhet zgjidhur në funksion të kompaktësimit a seriozitetit kombëtar.

Pas publikimit të librit ‘Unë jam gegë’, unë kam pritur, sidomos nga kolegët kosovarë, të më thonë që problemin e kam ngritur gabim, ose që problemi as që ekziston, ose që problemi zgjidhet në një mënyrë tjetër, ose që problemi nuk ka asnjë zgjidhje, etj, etj. Mbi këtë bazë, mund të hapej një debat. Ndërsa insinuata e Matoshit të fton veç për gërricje të kota (‘gërricje’, me sa di unë, nuk i përket shqipes standarde), të cilave unë s’ua kam ngenë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here