Home Politike Parlamenti i heq imunitetin ish Zv.Kryeministrit Ilir Meta

Parlamenti i heq imunitetin ish Zv.Kryeministrit Ilir Meta

517
0

U zhvillua sot seanca parlamentare për imunitetin e ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta, për t’i dhënë kështu prokurorisë mundësi për hetimin e tij. Debate pati mes pozitës dhe opozitës sidomos lidhur me ndryshimin e rregullores dhe kthimin e parlamentit në një institucion të pavarur nga ligji e Kushtetuta. Në fund u miratua heqja e imunitetit të Metës ndërsa pritet një tjetër seancë për imunitetin e ish-ministrit Dritan Prifti.

11:49 – I hiqet imuniteti Metës
Në mbyllje të sencës u votua për heqjen e imunitetit të Metës, për të cilin pati 128 vota pro dhe 2 kundër.

11:41 – Meta: Me bllok në dorë për hallet tuaja
Është rikthyer pas një ndërprerjeje disaminutëshe seanca në sallën e Kuvendit. Fjalën e mori ish-zv.kryeministri Ilir Meta. Në fjalën e tij, Meta ripërsëriti shqetësimin e tij në lidhje me punën e institucionit të akuzës.
“Shqetësimi im në raport me Prokurorinë lidhet me faktin se pas një muaji, edhe kur kreu i PS-së ka dalë garant për videon, Prokuroria vjen me një kërkesë që mund të kishte ardhur që ditën e parë pas transmetimit të videos”.
Sipas Metës, Prokuroria është me vonesë për shkak të debateve që e kanë shoqëruar punën e saj dhe për shkak të instrumentalizimit politik të saj për të frymëzuar dhunë”
Gjatë fjalës së tij, Meta pranoi se “është e vërtetë që jam filmuar me bllok në dorë. Mbaja shënim hallet dhe problemet që kishit ju”.
Ai theksoi se do të shkojë në Prokurori jo thjesht për videon, por për çështjen e 21 janarit, “sepse nga montimi i saj nisi gjithçka dhe për këtë kryetari i PS-së do të mbajë përgjegjësi”.

11:20 – Berisha: Tetë vjet që flas në emër të procedurës
Në vijim, fjalën e mori kryeministri Berisha, i cili akuzoi opozitën për bllokim të seancave parlamentare dhe theksoi se ajo nuk mund ta bëjë më këtë, pasi ligji nuk do ta lejojë më një gjë të tillë.
“Do të garantoj shqiptarët se Kushtetuta dhe vetëm ajo do të rregullojë marrëdhëniet në këtë vend, mes individëve, si dhe ato mes institucioneve”. Berisha nënvizoi se Parlamenti do të vijojë të funksionojë, pavarëshit sjelljes së opozitës.
“Ju mund të përdorni grushta, shkelma, por ky parlament do të funksionojë siç do sovrani”, tha kreu i qeverisë. Berisha vijoi me shifrat e bëra të ditura edhe më parë prej tij në lidhje me protestat e opozitës në vite dhe respektimin e tyre nga ana e shtetit .
“Garantoj se ligji dhe Kushtetuta do të veprojnë me forcë ndaj çdo dhunimi, kërcënimi të rendit kushtetues dhe institucioneve kushtetuese. Ne nuk bëjmë rregullore për të kufizuar fjalën tuaj. Tetë vjet jam detyruar unë të flas në Parlament vetëm në emër të procedurës. Neni që përcakton një orë debate nuk do të preket.
Meqenëse ju keni abuzuar duke bllokuar Parlamentin në emër të atij neni, kjo nuk mund të ndodhë më. Ligji do të sundojë në këtë tempull dhe çdo rrugë e shesh të këtij vendi”, nënvizoi Berisha.

10:55 – Patozi: Mazhoranca, e gjitha pa imunitet prej 6 vitesh
Topalli i dha fjalën deputetit të PD-së, Astrit Patozi, i cili e cilësoi fjalimin e Dokles si të palidhje me seancën. “Ne si mazhorancë nuk ia njohim vetes imunitetin prej 6 vitesh dhe ky vullnet duhet të materializohet.
Meta që në çastin kur video u publikua, çoi te kryetarja e Kuvendit kërkesën për heqjen e imunitetit. Kërkuam thirrjen e seancës për të mos zvarritur procesin. Procedura është bërë të mbrojë deputetin dhe ai të ketë kohë të përgatitet, por kur ai heq dorë vetë, pse duhet të zvarritet?”, tha Patozi.

10:30 – Dokle: Mazhoranca po zhvlerëson Kushtetutën
Nis seanca parlamentare në të cilën diskutohet në lidhje me heqjen e imunitetit të Ilir Metës dhe nismën e Partisë demokratike për të kufizuar imunitetin e deputetit.
Pas hapjes së seancës, Topalli ia dha fjalën deputetit të PS-së Namik Dokle. Në fjalën e tij, Dokle e quajti seancën një atentat kundër parlamentarizmit. “Kjo do të thotë se tani e tutje në Shqipëri nuk ka vlerë Kushtetuta dhe ligji. Këtë e tregon mënyra se si u organizua kjo seancë. Qeveria kërkon të vendosë diktat mbi opozitën.
Sot ju po shkelni rregulloren, siç keni bërë edhe herë të tjera. Ju doni ta nënshtroni opozitën, t’i mohoni lirinë e fjalës. Mblodhët Këshillin e Rregullores, Konferencën e Kryetarëve dhe erdhët me çorbën tuaj antidemokratike”
Dokle u shpreh se deputetët e Partisë Socialiste janë për heqjen e imuniteteve atyre që u takon. Ai citoi nenin 118, i cili ka qartësisht hapat që ndërmerren në këtë rast.
“Pse e bëni vetëm për njërin nga deputetët që kërkon prokuroria? Po bëni lojën e të ndershmit. Sapo erdhi kërkesa për imunitetin, ju sillni nismën antikushtetuese për kufizim imuniteti. Kështu bëtë edhe në rastin e Lulzim Bashës. Ja ku e keni ministrin me imunitet, shëndoshë si molla nga jashtë e të korruptuar nga brenda. Nuk mund të barazohen deputetët e ndershëm me ata që u kërkohet imuniteti”.
Dokle nuk pati mundësi ta vijonte fjalën e tij, pasi kryetarja e Kuvendit i ndërpreu fjalën në përfundim të kohës. Ai vijoi të fliste nga foltorja, edhe pse pa mikrofon, ndërsa Topalli vijoi me kërcënimet se do të mbledhë Byronë parlamentare menjëherë pas seancës, për të gjykuar mbi sjelljen e Dokles.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here