Home Mustafa Nano Olldashi e Co. nuk prodhojnë dot skizmë në PD

Olldashi e Co. nuk prodhojnë dot skizmë në PD

656
0

pd“PD-ja do çahet”, dëgjohet të thuhet pas kritikave që i bëri Sokol Olldashi procesit zgjedhor brenda PD-së dhe pas intervistës që dha Astrit Patozi në studion e Sokol Ballës. Me sa duket, ishin tonet e forta kritike të Olldashit e Patozit që e krijojnë këtë ide. Dhe nuk janë të paktë ata që mendojnë se “Olldashi/Patozi nuk do përdornin këto tone kritike, nëse nuk do kishin pikasur një klimë të qartë pakënaqësie brenda PD-së, nëse nuk do ishin të sigurt se ka dhe të tjerë që mendojnë si ata, nëse nuk do të kishin mbështetjen dhe inkurajimin e këtyre të fundit”. Mirëpo, kam përshtypjen që e kanë gabim. Nuk ka asnjë shenjë rebelimi në Partinë Demokratike. Kjo e fundit është një parti e vdekur. Aty thjesht po flasin do njerëz që po ndiejnë se nuk kanë asnjë shans për të dalë njëfarësoji të fituar nga loja për pushtet mes klaneve e grupeve të atjeshme pas largimit putativ të Berishës nga kreu i partisë.

E ka kot pra kush pret skizmë në PD. Duhet një kauzë për të provokuar një skizmë, duhet pastaj një grup njerëzish që ta përfaqësojnë e t’i dalin zot kësaj kauze, duhet në fund dhe një leader i grupit. Në PD nuk ekziston asnjë kauzë tjetër, përveç “kauzës” së Berishës, asnjë grup skizmatik, dhe asnjë leader që ta udhëheqë këtë grup. Nuk ka se si të ekzistojnë. Aty mund të ketë largime të njërit apo tjetrit për motive e qejfmbetje ngushtësisht personale, por largime të tilla janë të destinuara të jenë të pazëshme e të mos përbëjnë asnjë problem për establishmentin. Arsyeja është e thjeshtë: Berisha i ka lënë (ka bërë çmos që) të gjithë të bëhen pis, qoftë dhe me miratimin që u kanë bërë bëmave të tij deri dhe kriminale. Dhe prandaj gara për kreun e PD-së ishte një garë qesharake mes dy njerëzve që nuk kishin asnjë ide. Asnjë për be. Lajtmotivi, pas të cilit u kap Olldashi (dhe u kap në mënyrë të hareshme, si të kish zbuluar gurin filozofal), ishte: “Na dëmtoi LSI-ja, kjo çetë hajdutësh, dhe me të nuk duhet bërë koalicion qeverisjeje”. Ndërsa Basha pati për refren idenë se “ai, d.m.th Basha, di ta mundë Ramën, dhe këtë gjë e ka treguar në zgjedhjet e fundit lokale”. Gjithë gara mes tyre (gara e vërtetë, kanë pasur guximin të thonë ca e ca) u karakterizua veç nga kjo “diferencë”.

Është e habitshme. Secili politikan karriere mezi do ta kish pritur një rrethanë të tillë për të demonstruar se vlen, se ka ide, se ka një projekt rinovimi e reformimi (sidomos kur bëhet fjalë për një parti si PD-ja), ndërsa këta të dy rezultuan të ishin dy belbacukë. Pjesa qesharake e garës ish ajo, kur të dyve u duhej të jepnin konsiderata për Berishën e për Ramën. Në këtë pikë ishin/////////// idem. Nuk kishin asnjë dallim. Madje, gara u dominua nga zelli për të denoncuar Ramën (se ç’punë kish Rama me atë garë, veç ata e dinë) e për të heroizuar Berishën.

Mund të ketë çarje në PD në këto rrethana? Nuk ka se si të ketë. Nuk është çudi që ata që kanë ngritur zërin kundër Berishës këto ditë, ta lënë PD-në (edhe po t’mos e lënë, do flaken nga Berisha), por rëndësia e lëvizjes së tyre individuale apo kolektive do të jetë krejt e papërfillshme. Askush nuk ka për t’i ndjekur nga pas. Dhe është pikërisht kjo që po ndodh. Ka folur Olldashi e Patozi, e nuk ka dalë një mbështetës i tyre në publik. Përkundrazi, ata që kanë dalë janë të tjerë, janë njerëz që recitojnë fyerje e hedhin spica ndaj tyre, dhe këtë gjë e bëjnë si një provë luajaliteti për Berishën në këtë stinë të re, me anë të së cilës duan të rikuperojnë apo rrisin kuotat politike në kampin e tyre. Ka folur Bulku, Trashani, Alibeaj, Paloka, Strazimiri, dhe të tjerë pritet të flasin në ditët e javët në vazhdim.

Kjo është ajo që do të ndodhë. Madje, kjo është ajo që D-U-H-E-T të ndodhë. Nuk kemi pse t’u qajmë hallin. Aq më pak kemi arsye t’i mbështesim. Nuk na falet që në vitin 2013 të gjejmë arsye të rrethojmë me empathi për antiberishizmin e tyre njerëz që për 23 vjet nuk kanë ditur të bëjnë gjë tjetër, veçse të mbështesin Berishën në të gjitha zullumet e praktikat abuzive e kriminale të tij. E sikur të mos ish mjaft kjo, Olldashi bëri dhe gjatë garës për kreun e PD-së, vetëm pak përpara pra se të zbulonte nervin antiberishian të vetin, një gjest të fundit të luajalitetit ndaj Berishës. Ishte skandaloze, dhe shumë domethënëse, ajo që tha Olldashi gjatë garës në përpjekje për të ndjellë votues demokratë me një berishizëm të neveritshëm. “Sikur të ish në dorën time, më 21 janar do të isha më i ashpër se Berisha”, tha ai, duke lënë të nënkuptohet se të vrarët nuk do të ishin katër, por më shumë. Kjo ish një sjellje panevojshmërisht kriminale. Kjo ish një provë besnikërie që s’ia kërkonte askush “pas pilafit”, sidomos Olldashit që prova të tilla ka qenë ndër të paktit (do duhej të turpërohej për këtë) që i ka dhënë në të nxehtë. Por ai e bëri një gjest të tillë për të treguar se në garën për kreun e PD-së ishte më berishian se sa benianimi i Berishës, e këtë e shiti si kredenciale të fortë ndaj rivalit. Si të vetmen kredenciale që kish. Por s’i eci.

Patozi nuk ka thënë ndonjë frazë të tillë, por ky fakt nuk e shpëton e nuk e nxjerr të larë atë. Ai, ashtu si të gjithë të tjerët që, për t’u bindur se punët në PD nuk janë në rregull, paskan pritur të jenë viktimat e një gare të deformuar brenda një partie të deformuar qysh në krye të herës, nuk meritojnë asnjë fjalë të mirë, asnjë keqardhje, asnjë mirëkuptim, asnjë mbështetje, asnjë medalje. Olldashi, Patozi dhe të tjerë si ata nuk kanë pasur kurrë vlerë në PD, e kurrë nuk do të kenë vlerë në politikë në ndonjë parti tjetër. I vetmi talent i tyre ka qenë t’i qurraviten Berishës. Mirëpo Berishën nuk mund ta mundin njerëz të tillë. Për më tepër, edhe sikur të ish e mundur ta mundnin, një fitore e tillë s’do t’i lipsej askujt. Këtë e tregoi Olldashi edhe me garën belbacuke, edhe me pohimin se “në ndryshim nga Berisha, ai do të kish bërë një masakër më të madhe më 21 janar”.

Kam vënë re që gjatë ditëve të fundit gazetat, sidomos ato që kanë një distancë kritike me PD-në, kanë qenë të fokusuara tek zhvillimet politike në këtë parti dhe kanë demonstruar, si gjithnjë (është e natyrshme kjo), një lloj preference ndaj “rebelëve” anti–Berishë. Sipas meje, këtë herë e kanë kot. As nuk ia vlen që të “investohesh” në këtë rast. Është edhe një kauzë e humbur, edhe një kauzë e kotë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here