HYRJE Mustafa Nano Një parathënie për një libër mbi 23 qershorin

Një parathënie për një libër mbi 23 qershorin

0
122

Nuk di nëse ndokush tjetër në këtë botë e ka parë ndonjëherë të udhës t’i bëjë parathënien një libri, në të cilin ka shumë ide që nuk e bindin, e lënë ndërdyshës, apo më keq akoma, i provokojnë ngasjen për një diatribë. Por edhe në pastë raste të tjera të kësaj natyre, ato afërmendsh janë të rralla; e ndonëse janë të rralla, madje pikërisht ngaqë janë të rralla, ideja më ngjau ndjellëse qysh në krye të herës. Nuk është çudi që edhe autori ta ketë parë kështu të njëjtën ide.

Henri Çili e ka bërë këtë libër në të nxehtë, menjëherë pas ngjarjes të 23 qershorit, përmasat e së cilës e kanë kapur në befasi dhe e kanë trazuar (se mos vetëm atë!). E ka ndihmuar dhe segmenti kohor “bosh” që lidh përfundimin e zgjedhjeve me ditën e votbesimit të qeverisë në parlament, dhe Çili, si të ketë dashur “ta shtrydhë” deri në fund situatën, bëri tok në kohë përurimin e librit me përurimin e qeverisë së re.

Libra të tillë të shkruar me shpejtësi rrufe me dëshirën për ta thënë tënden shpejt e shpejt bartin fiziologjikisht avantazhin e interpretimeve të freskëta dhe rrezikun e interpretimeve emocionale. Dhe Çili, ndërsa e ka shfrytëzuar deri në pikën e fundit këtë avantazh, nuk ka arritur ta shmangë tërësisht rrezikun, ndonëse merret vesh se e ka pasur si synim ta bëjë, e ndonëse do duhet ca kohë që kjo e fundit do të merret vesh saktësisht.

Por Henri për fat ka bërë atë, që unë vetë kisha frikë se nuk do ta kish bërë në momentin që ma dha dorëshkrimin, dmth e ka mbajtur librin në një pjesë të madhe të tij në nivel akademik, gjë që duket tek fakti që ballafaqimin mes PS-së e PD-së, më konkretisht mes Ramës e Berishës, e ka trajtuar si një ballafaqim projektesh politiko-kulturore. Jam i sigurtë se sikur këtë libër ta kish shkruar ndonjë vit më vonë, autori do t’u kish bërë bisht më shumë emrave të politikës shqiptare, e në të njëjtën kohë, do t’i kish bërë bisht edhe një qasjeje tepër pajtuese/mospajtuese me vizionin e Berishës/Ramës. E them këtë, pasi në këtë moment të nxehtë, nën trysninë e rrethanave e në mes të animozitetit mes kampeve, nga një lexim mes rreshtave e nga një shije që të mbetet pas leximit, të del se Henri ka bërë njësh, në kurriz të nervit akademik të librit, kredot e veta liberale me mbështetjen që i ka dhënë njërës palë në garën elektorale. Ky është leximi mes rreshtave, megjithatë. Tek rreshtat vetë, Henri e ka patur merak të bëjë saktësimin, se “aleati Berisha ishte më i afërti mundshëm, jo më i afërti; më liberali i mundshëm, jo më liberali”.

Më duhet të them se mua libri më ka tërhequr më shumë në ato pjesë, ku scholar-i Çili e ka mundur analistin Çili, apo ku analisti e scholar-i nakatosen bashkë, siç është rasti i një analize të ftohtë të asaj që ka ndodhur në tetë vitet e fundit, apo i asaj që pritet të ndodhë në vitet e ardhshme, apo ku ligjërimi dominohet nga termat “fluks kulturor”, “gjendje kulturore e majtë”, fryma e dekadës së re”, “epërsia kulturore e së djathës”, ‘lëvizje kulturore”, “gjendje e re konceptuale”, “fryma liberale”, apo ku syri të kap fraza veçantërisht inteligjente, s’ka gjë se, sipas meje, një pjesë sosh janë pjesërisht, ose shumë pak, të vërteta, si “Berisha nuk ishte aq liberal sa duhej, dhe shoqëria nuk e pranonte aq liberal sa ai ish”, “Berisha doli më liberal se ç’hyri në këtë lojë”, “Berisha i hapi të gjitha kantieret e mundshme, por është e zorshme të gjesh një që ai e ka mbyllur plotësisht”, “ndërtohet pa leje, ngaqë është më e lehtë e kushton më pak se sa të ndërtosh me leje”, “sa më shumë inspektoriate e policira të ndërtojmë për të mbrojtur territorin, aq më pak do të kontrollohet territori”, maksimumi i liberalizmit politik shtrydhej tek format e pluralizmit politik e shoqëror”, etj.

Kulturalisht, unë puqem me Henrin në një masë të caktuar te recetat liberale në planin ekonomik, ndonëse Henri, në ndryshim nga unë, të jep përshtypjen se shtyhet deri atje sa këto receta t’i shohë si të vlefshme për çdo kohë, për çdo krizë, për çdo vend, për çdo qeveri. Përveç kësaj, kam vënë re, dhe më erdhi mirë për këtë, që kemi të njëjtë edhe një lexim të shqetësimeve reale të vendit, madje dhe një alarm të ngritur mbi këto shqetësime, siç janë kontrolli i humbur mbi territorin, dhe për rrjedhojë, dëmet e mëdha që i janë bërë territorit vetë, financimi okult i fushatave elektorale në veçanti e i politikës në tërësi, fshati shqiptar që ka mbetur jashtë binarëve të kapitalizmit, reformat e munguara në lëmin e shëndetësisë e të arsimit, kultura e rushfetit, administrata publike që është bërë plaçkë për militantët e partive, etj, etj.

Ndërsa ndahem me Henrin kur vjen puna liberalizmi politik. Nuk besoj se ndahemi në planin doktrinor, pasi doktrina, që s’është as e imja, as e Henrit, është e njëjtë, e na thotë po ato gjëra, dmth se pushtetet në demokraci duhen ndarë, se pavarësia e institucioneve publike e shtetërore është shumë e rëndësishme, se të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara ligjit, se ndryshe vijmë në përjashtimin Orwell-ian, se “derrat janë më të barabartë se të tjerët”, se në një garë elektorale qeveria është thjesht një nga lojtarët në fushën e lojës, e jo një instancë që ka për detyrë të kontrollojë garën, se asnjë qeveri nuk mund t’i japë vetes tagrin që të dhunojë liritë civile e politike, që janë të drejta, dhe fakultete, individuale të pamohueshme, etj, etj.

Por ndahemi në vlerësimin që i bëjmë sendërtimit të këtyre parimeve në Shqipërinë e këtyre kohëve të fundit, sidomos në Shqipërinë e periudhës 2005-2013. Henri thotë se në këtë periudhë janë bërë reforma të mëdha, dhe lë të kuptohet se këto reforma ai i sheh edhe të natyrës liberal-politike, e prandaj sheh tek ndërrimi i qeverive një rrezik për ngadalësimin e këtyre reformave. Unë personalisht e shoh këtë punë shumë ndryshe, dhe për t’mos u futur në detaje të politikës korrente, po mjaftohem të them se ajo që ne po trashëgojmë në planin e liberalizmit politik është dukur qartë qoftë dhe vetëm në dy muajt e fundit, në harkun e të cilëve është pritur të kryhet procedura kilometrike (kushtetuese) e këmbimit të kuajve në krye të karrocës së qeverisjes. Çfarë u duk? U duk që, me rënien e qeverisë, u shkreh si me magji i gjithë shteti, sidomos administrata publike, pjesa më e madhe e së cilës, për shkak të vetëdijës se është futur në administratë si shpërblim për kontributet elektorale që ka dhënë, ka bërë valixhet gati ende pa ua kërkuar ndokush. Dhe kjo gjë, afërmendsh, nuk është një përthyerje liberal-politike në funksionimin e një shteti.

Në fund, më duhet të them se ky libër – ma ka qejfi ta nënvizoj këtë gjë – më bëri të mendoj se ne, analistët, edhe pse rrimë shumë kohë me njëri-tjetrin, edhe pse ndeshemi nëpër studio televizive, edhe pse lexohemi nëpër gazeta, kemi një njohje të përciptë të kafshës politike e ideologjike që është brenda tjetrit. Ky libër mua më dha mundësinë të kem një ide më të saktë mbi Henri Çilin, tamam-tamam mbi mënyrën se si ai i sheh, përtej qëndrimeve që mban në publik lidhur me karfosjen politike të ditës, punët e këtij vendi e punët e kësaj bote.

Parathënie e librit të Henri Çilit me titull ‘Kundër-reforma ..’

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here