Home Mero Baze Një ditë e keqe për “Aleancën kundër drogës”

Një ditë e keqe për “Aleancën kundër drogës”

675
0

hashashPolicia po hyn në plantacionin më të paprekshëm të drogës së paku për tetë vitet e fundit. Ashtu siç pritej, pati rezistencë me armë. Policia ka identifikuar një grup personash si të përfshirë në kundërshtimin me armë dhe po operon me kujdes. Është thjesht një akt që duhet t’i bëjë të pashpresë trafikantët e drogës, që mendojnë se mund të përsërisin historinë e drogës së kohës së Sali Berishës.

Operacioni i matur i policisë dhe sjellja profesionale, duke veçuar elementët e krimit nga banorët e Lazaratit, ka gjetur mbështetje kombëtare dhe ndërkombëtare. Kam parë në rrjetet sociale opozitarë të thjeshtë që kanë përshëndetur policinë. Kam parë anëtarë të PD dhe ish- zyrtarë të saj, që po ashtu e kanë përshëndetur. Natyrisht e ka përshëndetur shumica në pushtet dhe politikanët kryesorë të saj. E ka përshëndetur media ndërkombëtare dhe në fund dhe Komisioneri për Zgjerimin e BE, Stefan Fyle.

E vetmja që ka heshtur për operacionin është “Aleanca kundër drogës”, një sajim artificial i Sali Berishës për të krijuar një Kolumbi virtuale në Evropë, me shpresë se do ta pengonte marrjen e statusit. Por siç ndodh rëndom kur kërkon të spekulosh, pështyma të bie në surrat.

Sot “Aleanca kundër drogës” po jeton një ditë të keqe. Bastioni i saj i drogës, plantacioni që ka furnizuar venat e krimit të organizuar për tetë vite në Shqipëri nën bekimin e Sali Berishës, është futur nën kontrollin e policisë dhe Aleanca ka heshtur. Ka heshtur Lulzim Basha se është duke shkarkuar një trafikant droge që sapo e zgjodhi kryetar të PD në qytetin e Tepelenës. Kanë heshtur të gjithë aleatët e tij fallco, pasi shpresa e vetme për të mbajtur një imazh kolumbian për Shqipërinë ishte Lazarati, dhe ai po u shkërmoqet poara syve. Ata që po bëjnë rezistencë, po thyhen dhe po kërkojnë mëshirë duke u fshehur nëpër stane.

Heshtja e “Alencës kundër drogës” nuk vjen vetëm nga dëshpërimi që policia po merr kontrollin mbi bastionin e tyre, por dhe nga diçka më misterioze. Shpejtësia me të cilën u shpartalluan “të fortët” dhe u arratisën maleve, si dhe distancimi i tyre nëpër ekrane TV, mund të zbulojë në të ardhmen histori të errëta të lirisë së tyre për të qenë trafikantë. Dekurajimi i tyre për të vazhduar të jenë plantacioni i paprekshëm, mund t’i bëjë të flasin dhe të dëshmojnë se si ia dolën të ishin të paprekshëm në kohën e Sali Berishës.

Kjo e bën dhe më kumbuese heshtjen e “Aleancës kundër drogës”. Kjo e bën dhe më të mërzitur pamjen e kryetarit të saj, Lulzim Basha. Kjo e bën dhe më të heshtur Sali Berishën, një gjë e pazakontë qysh kur ka humbur.

“Aleanca kundër drogës” është sot në një ditë të keqe, jo pse po merret kontrolli në një bastion të krimit, por se mund të hapet Kutia e Pandorës për lidhjet e krimit me “Aleancën kundër drogës”.

Ata që i këshilluan Lulzim Bashës krijimin e “Aleancës kundër drogës”, ndoshta kanë besuar më shumë seç duhet tek miti që kanë krijuar vetë për Lazaratin. Ky mit po bie. Një shtet, që nuk është i përzier vetë në një histori të tillë trafiku, nuk ka zot që e ndal të vendosë kontrollin e ligjit mbi territorin. Ata që nuk hynin në Lazarat, nuk e bënin këtë thjesht se nuk kishin arsye të hynin në shtëpinë e tyre me tanke. Aty hynin çdo ditë makina private dhe transportonin drogën që ka mbushur Shqipërinë. Mijëra ton drogë të kapur nga Policia e Shtetit, dhe mijëra ton të tjera që nuk kapen dhe përfundojnë jashtë Shqipërisë, janë produkti real i “Aleancës kundër drogës”. Prodhimi i ri i drogës fillon tani dhe shteti po tregon dhëmbët. “Aleancës kundër drogës” natyrisht do t’i bien fitimet, por mbi të gjitha i ka vdekur përfundimisht fitorja. Fitorja politike, e ndërtuar sipas parimit ku hajduti thotë “kapeni hajdutin”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here