Home Kulture Nis sot Festivali në RTSH, zbulohet prezantuesja

Nis sot Festivali në RTSH, zbulohet prezantuesja

926
0

ledina-celoKanë kaluar 13 vjet që atëherë, kur në krah të Adi Krastës ajo tentoi të sfidonte vetveten. Sërish në skenë, por në një tjetër rol.

Provoi të prezantonte kolegët e saj… Sot ajo është më e maturuar. Koha ka bërë të vetën, eksperiencat po ashtu.

Një gjë nuk ka ndryshuar te Ledina Çelo, të qenit seksuale, e hijshme dhe e dashur për publikun. Këngëtarja Ledina Çelo, e cila prej vitesh i mungon skenës shqiptare, rikthehet si prezantuesja e edicionit të 55-të e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Publik Shqiptar.

Ajo do të prezantojë në krah të aktorit Kasem Hoxha, edhe ai prej vitesh i larguar nga Shqipëria. Ndërsa e ndajnë vetëm pak orë nga nata e parë e festivali, gjatë provave, ajo gjen pak kohë për të treguar ndjesitë e rikthimit dhe projektet e radhës…

Hera e dytë si prezantuese në Festivalin e RTSH-së, çfarë ju joshi, çfarë ju bindi të riktheheshit?

Më joshi dëshira për të qenë përballë publikut tim… Atij që më ka duartrokitur e mbështetur me vitet, edhe kur nuk kam qenë në terrenin tim, edhe kur nuk kam qenë në më të mirën time.

Frikë, emocion, padurim, çfarë ndjesish ju përshkojnë kur shihni sërish këtë skenë?

Një emocion shumë i madh… Përballja me këtë skenë gjigante më sjell gjithmonë emocion. Është një përzierje ndjesish në fakt. Padurimin mendoj që e kanë më të madh ata që janë në konkurrim.

I mungoni Festivalit të RTSH-së prej vitesh, e keni menduar rikthimin?

Për momentin kam vendosur të heq dorë nga garat. Ndoshta do të jetë kështu përgjithmonë, por ndoshta edhe ndryshoj mendim në të ardhmen. Mendoj që duhen parë më me prioritet të rinjtë. Ne e bëmë historinë tonë në festivale. Tani është radha e tyre.

Ka ndonjë peng që ju ka lënë kjo skenë?

Pengje jo. Nuk jetoj me pengje. Kam sigurisht dëshirë për t’i bërë gjërat më mirë, por kjo duhet parë edhe në kontekstin kohor. Shumë gjëra ndryshojnë me vitet dhe për këtë, nuk jam as unë dhe asnjë nga bashkëkohësit e mi përgjegjës.

Shumë e rëndësishme në prezantim është ndërveprimi me partnerin, njiheni me z.Hoxha, keni punuar më parë me të?

Nuk isha njohur më parë personalisht me Kasemin. Jemi takuar përpara tri ditësh dhe e kemi gjetur lehtë gjuhën. Jetojmë në qytete afër njëri-tjetrit në Gjermani dhe sigurisht unë i njoh serialet ku ai ka marrë pjesë. Ndoshta tani që e njoha, do t’ia shoh me më shumë vëmendje rolet në këto telefilma.

Prej viteve, kur ju ishit më aktive në Shqipëri, mediat rozë janë bërë më “agresive”. Ju tremb ky fakt?

Madje mund të them pa frikë që ju jeni lajmi i këtij edicioni… Jetova edhe unë pak në kohën e agresivitetit, por tani nuk kanë më çfarë të shkruajnë për mua… Jam shumë e hapur me ta.

A keni një projekt muzikor në duar tani, përveç atij “projektit” shumë të madh të të qenit nënë dhe bashkëshorte?

Ka gjithmonë një projekt në mendje… Një dëshirë për të prodhuar këngë, për t’u futur në studion e regjistrimit. Sa herë vij në Tiranë bëj nga një vizitë në studiot e kompozitorëve, me të cilët kam vite që bashkëpunoj dhe prej aty lind një krijim i ri.

Sa mbështetëse është familja juaj në karrierën tuaj si artiste?

Janë pa diskutim mbështetja ime më e madhe…

Mendoni të jeni më e pranishme në Tiranë me projekte muzikore, artistike?

Dua shumë të bëj diçka në Tiranë. Kam disa projekte në mendje, madje edhe disa propozime konkrete, por ende s’mund të them asgjë.

 

Festivali i 55-të i Këngës në RTSH, nis sot nata e parë

Nis sot në Pallatin e Kongreseve edicioni i 55-të i Festivalit të Këngës në RTSH. I konceptuar në 3 net, ky edicion do të sjellë shumë të reja, që nga zhvillimi në mesjavë, te pjesëmarrësit, të ftuarit, regjia, skenografia, prezantuesit etj. Në garën e këtij viti marrin pjesë 24 këngëtarë e grupe, më së shumti të brezit të ri të interpretëve dalë nga “talent show” të ndryshëm të zhvilluar në Tiranë.

Por ka edhe emra si Erlind Zeraliu, Orges Toçe, Genc Salihu, Flaka Krelani (edhe kjo e spikatur në talent shoën “Ethet e së premtes mbrëma”, por me një karrierë të konsoliduar tashmë), ndërsa në rang krijuesish kemi një ndërthurje gjeneratash. Mes tyre dallojnë emra si Zhulali, Sina, Hila, Tole, Salihu, Marsi, Qafoku etj. Pjesëmarrësit janë përzgjedhur jo nga një drejtor artistik, por disa syresh.

Edicioni i këtij viti mban emrat e Alfred Kaçinarit, Shpëtim Saraçit, Gent Rushit, Florent Boshnjakut dhe Bojken Lakos. Regjia e Festivalit u është besuar dy regjisorëve të njohur nga Kosova, të cilët kanë edhe eksperienca të mëparshme në skenën e Tiranës, në Festivalin e RTSH-së e më së shumti në “Këngën Magjike”, Agron Vula dhe Astrit Idrizi.

Festivali do të prezantohet nga këngëtarja Ledina Çelo dhe aktori Kasem Hoxha, i larguar nga Shqipëria në fillim të viteve ’90 dhe me një karrierë të pasur në Gjermani. Risi e këtij festivali është edhe vlerësimi i këngëve ku, përveç jurisë e cila do të jetë e ndryshme dhe do të zbulohet për çdo mbrëmje, një rol të rëndësishëm luan edhe publiku, që do të marrë pjesë aktivisht në zgjedhjen e fituesit, që si çdo vit do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian.

Nuk do të mungojnë edhe të ftuarit. Një ndër ta është edhe sopranoja Inva Mula, lidhja e së cilës me skenën e festivalit trashëgohet prej të atit, këngëtar dhe kompozitor i sa i sa krijimeve në këtë ngjarje të madhe muzikore të fundvitit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here