Home Mustafa Nano Nëpër kurthet “patriarkaliste” të leksikonit shqip

Nëpër kurthet “patriarkaliste” të leksikonit shqip

652
0

Në shkrimin e vet të fundit, të publikuar fillimisht në blogun ‘Peizazhet e Fjalës’ e të marrë më pas nga ‘respublica.al’, Eda Derhemi ish ngacmuar nga termi ‘çiqitëmizëm’ që unë e përdora në dy raste, duke e marrë hua nga Aurel Plasari, që nga ana e vet e kish coin-uar në një rrethanë të shkujdesur, në një shënim që kish bërë në profilin e tij në facebook, duke i dhënë kuptimin “indiferencë, moskokëçarje, etj” (Derhemi përmendte vetëm inicialet e Plasarit, dhe nuk e kuptova pse). Sipas Derhemit, kjo gjetje, që afërmendsh e ka burimin tek lokucioni ‘ç’i qi t’ëmën’, nga më të përdorshmit në zhargonin urban të gjuhës shqipe, është e pahijshme, e pashijshme, e dëmshme, seksiste, maskiliste, etj, e prandaj nuk duhet përdorur. Po citoj gërmë për gërmë Derhemin: “Neve si shoqëri na janë mësuar veshët me shprehjen, dhe kjo mund të krijojë përshtypjen se shprehja është bërë tashmë e padëmshme. Në fakt, nuk është hiç kështu. Gjuha jo veç shpreh, por edhe mban gjallë të njëjtën ideologji grua-urrejtëse.” Dhe pak më poshtë: “Hyrja e fjalës në çfarëdolloj diskursi, sado larg atij të akteve seksuale kafshërore ndëshkuese të nënkuptuara, e bart dhe e transferon kudo që gjendet, po atë peshë kulturore të një shoqërie tmerrësisht të pagdhendur, primitive dhe abuzive ndaj gruas. Kjo është një shëmti patriarkale që shoqëria jonë ende e ruan, dhe, duke legjitimuar shprehjen qoftë edhe në një kuptim tjetër, gazetari krijon një alibi të re kulturore dhe konfirmon se shprehja (bashkë me të edhe akti) indeksohet në ligjërim si e pranueshme.”

Shkrimi i Eda Derhemit është argëtues (në një moment, ajo sugjeron që në vend të termit ‘çiqitëmizëm’ të përdoren terma të tjera “që nuk e rëndojnë edhe më shumë antifeminizmin e kulturës sonë patriarkale”, si ‘pirdhinteizëm’, ‘mosçajbythizëm’, ‘kushpytizëm’), por ajo që lë shenjë është çalltisja polemike. Dhe në këtë pikë kam frikë se vetëm vrulli është i madh, sepse me goditjen ka dalë huq. Unë vetë pretendoj, ashtu si dhe Derhemi, se e kam hall ethosin e shoqërisë patriarkale shqiptare, me të gjitha përthyerjet praktike që ka ky ethos. Edhe në rastin konkret e pata një lloj ngurimi para se ta merrja prej Plasarit e ta shtija në punë për llogarinë time, dhe ngurimi ka qenë i lidhur me shqetësimet e Derhemit, por nuk është se hoqa shumë për ta bindur veten se t’i njohësh në çdo rrethanë lokucionit ‘ç’i qi t’ëmën’ një ngarkesë patriarkale është si të kërkosh të gjesh qimen në vezë. Ky lokucion, me shumë gjasë, e bart qysh në krye të herës një ngarkesë e motivim patriarkalist, gjë që të vjen ta besosh edhe prej trajtës veprore të foljes ‘qi’ e prej faktit që subjekti veprues është burri. Është burri që qi pra, dhe gruaja që qihet. Është kështu në shumicën e gjuhëve të botës. Apo mos vallë e gjitha ka lidhje me fiziologjinë e aktit seksual, ku praktikisht është mashkulli që bën një akt depërtues? Këtë nuk di ta them. Por edhe në mos pastë asnjë logjikë patrirkaliste (patriarkaliste në kuptimin: përbuzëse ndaj gruas) qysh në origjinë, kjo logjikë e ka përmbytur lokucionin më pas.

Me kalimin e kohës, megjithatë, lokucioni “i qi t’ëmën, a motrën, a robt e tjerë ‘me vrimë volitëse’” ka marrë formën e një tic-u ligjërimor që është tek-tuk asnjanës në planin kulturor. E di, në shumë raste kjo shprehje përdoret me ngarkesën e njohur fyese e poshtëruese për gratë, por të gjithë e dimë se në jetën e përditshme, në gojën tonë, të të gjithëve, ‘ç’i qi t’ëmën’ ka marrë formën e një shprehjeje krejt të pafajshme. Filmat e Hollywood-it janë të mbushura me sharjen ‘motherfucker’, dhe të shumtat e herëve kjo sharje ka formën e një shfrimi aspak seksist. Nuk është çudi që edhe vetë Eda ta ketë nxjerrë shumë shpesh nga goja këtë term, në anglisht a në shqip. Mund ta ketë nxjerrë nga goja, kuptohet, nëse në tentativën për ta përsosur harmoninë mes vetes e kauzës së saj në favor të barazisë mes gjinive, nuk ka gjetur ende mënyrën për t’u dhënë munxët të gjitha shprehive, që ajo vetë ka marrë në habitatet patriarkale ku është rrritur (edhe shoqëritë më të përparuara të botës së sotme janë sadopak patriarkale), s’ka gjë se këto shprehi nuk e bartin më atë virulencën e origjinës apo të qytetërimeve e kulturave që përbuzjen e gruas e kanë tipar dallues të tyrin edhe sot e kësaj dite.

Por unë jam i sigurtë se Derhemi nuk ia ka dalë “ta përsosë veten” e ta ngrejë atë në lartësinë e kauzës së vet. Sepse duket e pamundur, tek-tuk dhe e panevojshme, një gjë e tillë. Sikur të isha në vend të saj, më shumë do t’u sulesha ideologjive e doktrinave mizogjine, siç janë fetë dhe librat e shenjtë të tyre, të cilat përbëjnë themelin patriarkalist të njerëzimit, dhe më pak, ose aspak, lokucioneve ‘ç’i qi t’ëmën”, ‘ç’i qi motrën’, termit patriarkal ‘mankind’ (pse jo womankind?, do thosh Eda), apo përemrit mashkullor ‘ata’ që shpesh herë shtihet në punë për të kualifikuar grupe të papërcaktuara apo të përziera në pikëpamje gjinore, apo ku di unë se ç’çikërrime tjetër.

Edhe nëse këtë diskutim e sjellim në terrenin konkret të Shqipërisë, duhet thënë se vëmendjen duhet të na e tërheqin shfaqje të dhunshme e dramatike të natyrës patriarkale të shoqërisë sonë. Nuk them se Derhemi nuk e ka bërë këtë. E ka bërë. Por duhet bërë më shumë. Madje, vëmendja jonë duhet drejtuar ekskluzivisht tek këto shfaqje (nuk po sjell shembuj, pasi nuk di ç’të zgjedh më parë). Ndryshe i bie që të merremi me gjininë e engjëjve, siç bënte në mesin e shekullit XV nomenklatura e topitur dhe e ngeshme e Kostandinopojës bizantine, teksa Sulltani Mehmet II e kish rrethuar këtë të fundit. Po e kishin kot pasi, përveç të tjerash, edhe engjëjt janë burra, në ngjashmëri me krijuesin e tyre, apo me Atë që i ka mandatuar për ta përfaqësuar edhe në angaritë e botës sonë, me Atë pra që në fetë e mëdha abrahamike është, gjithashtu, në imazhin e burrit. Dhe s’ka se si të jetë ndryshe, ngaqë fetë abrahamike kanë lindur në kohë sundimesh patriarkale, në ato kohë që kanë pjellë dhe shprehjen “ç’i qi t’ëmën” me një ngarkesë fyese e poshtëruese për gratë. Fetë, ku më shumë e ku më pak, vijojnë ta bartin edhe praktikisht këtë qasje, ndërsa shprehja “ç’i qi t’ëmën”, në të shumtën e herëve, është thjesht një trajtë ligjërimore e zhveshur prej semantikës mizogjine të origjinës a të traditës. Në mos, është një çikërrimë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here