Home Alfred Lela Na duhet një sherif në qytet: radhën e ka z. Rama

Na duhet një sherif në qytet: radhën e ka z. Rama

871
1

sherifKryeministri Rama që në krye të herës pat shpallur territorin si kryefjalë të aksionit të tij politik. Rregullim territori me çdo kusht, në formën e prishjes së ndërtimeve pa leje, apo dhe atyre që e kishin një të tillë por, megjithatë hynin si çibanë në estetikën apo etikën e asaj që përftohet apo është interes publik. Kjo këmbë e parë e urës së sipërmarrjeve prishje-rregullim-derregullim erdh e takua me një të dytë, atë të reformës territoriale për të cilën mazhoranca po kërkon edhe dorën e opozitës.

Nuk e ka marrë, dhe opozita ka ofruar për refuzimin e saj kushte që nuk janë aq idiote sa ai i dikurshmi i socialistëve ‘e japim Brukselin për Fierin’, por sërish pretekste mbeten. Megjithatë, edhe pse trupi i Shqipërisë vuan një zgjebe kronike që ka filluar që me ndërtimtarinë pa kriter të fillimviteve ’90, për të pritur më pas edhe një dorë bujare nga kryebashkiaku socialist i Tiranës sot kryeministër, Edi Rama; edhe pse shumë mund të pajtohen, përfshirë autorin e këtyre radhëve, se territori shqiptar e ka në fakt të tillë pamjen sa për ta quajtur ‘në emergjencë kombëtare’, siç ka bërë shefi i ekzekutivit, nuk është më ky alarmi me të cilin duhet të përballemi.

Tashmë statusin e emergjencës kombëtare e meriton rendi dhe siguria, punët e brendshme domethënë. Në krye të tyre është një ministër i ri, i besuar i kryeministrit Rama, një politikan që e ka filluar me kreshendon e pasionit të punës së parë punën e drejtimit të punëve të brendshme, por puna nuk po i ndrin.

Krimet, të të gjitha llojeve, janë bërë jo vetëm lajme të ditës por pothuajse janë kthyer në përditshmëri. Aq sa pritshmëritë për rendin janë kthyer kryengulthi: nuk pritet më një ditë pa vrasje. Krimi po bëhet natyrë e ditës shqiptare dhe ky ‘normalitet’ është i rrezikshëm dhe kërkon një reagim të fortë nga ana e qeverisë.

Shkaqet e këtij amplifikimi të kriminalitetit mund të jenë disa, dhe shumë prej tyre ministri Tahiri i ka kërkuar t’i gjejë, gjatë të gjitha daljeve të tij televizive, në oborrin e së djeshmes, brenda sindromit ‘ma mbaj këtë kopil sa t’i them asaj kurvë’. Ose në një kapërcim që e nxjerr ministrin jashtë kostumit të vet, ai i ka strehuar vrasjet te një tjetër strofull e sigurt: natyra e shqiptarit apo problemet e bartura.

Të gjitha janë nga pak, por kjo nuk e shpëton ministrin e ri socialist nga barra e rëndës e detyrës dhe sidomos nga kuptimi dhe detyrimi parësor i saj: ai është aty për të gjetur zgjidhjet dhe jo për të diagnostikuar. Përndryshe rotacioni do të ish i panevojshëm. Nuk jemi më në kohën e partisë, kur shoku komunist bën një autokritikë, falet nga kolektivi por i vë gjoksin vështirësive dhe ecën përpara. Në demokraci ka ballafaqim të përditshëm me opinionin publik dhe sidomos një institucion të shenjtëruar, që është dorëheqja.

Edhe pse mund të mos jetë përgjegjësi e tij, megjithatë po ndodh në orën e tij. Atmosfera ka ardhur me një pigment të tillë sa e përditshmja i ngjan një guernike, por më shumë se pamja tragjike e ‘krim për kilometër katror’, gjeneron rrezik social përshtypja se dinamitvënësit, pritangrehësit, grabitësit e të jashtëligjshëm të tjerë, nuk kanë frikë nga shteti. Në këtë bravado të madhe të llojit wild west qyteti ka nevojë për një sherif.

Nëse këtë nuk e bën dot Sajmir Tahiri me portretin e një politikani në rini, kryeministri Rama duhet të bëjë një lëvizje që të paktën e bën atë të duket si sherif.

1 COMMENT

  1. Ministri Tahiri ka marre mbi shpine nji barre qe s' mund ta mbaj. I ka mbet n'qafe si magjypi Dinit. S' bahen punet me konstatime, "natyra e shqiptarit etj. etj. S' themi se ai duhet t'i kap kriminelet, drogaxhinjte, vrasesit e prostitutat, po duhet organizim e jo shplamje duersh si Pilati. Po Rama i ban te gjitha, se asht vizionar, po Tahiri, i biri i te atit, veç ban vrima n' ujë. Duhet nji dore e forte aty. Te jap doreheqjen, s' asht turp. Ma turp asht te shoh me sy krimin e t' mos jete i zoti me e ndale. Artikull mjaft sinjifikativ e me vlera shoqnor: po fye kerkend, pa i hy n' hak askujt. Me pelqejne shkrime te tilla. Te lumte Alfred Lala!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here