Home Mustafa Nano Mustafa Nano: Udhëheqësit tanë pa kauzë e adhurimi i njerëzve për ta

Mustafa Nano: Udhëheqësit tanë pa kauzë e adhurimi i njerëzve për ta

660
0

Lexuesi Adi-ny, në komentin që ka bërë në fund të shkrimit tim me titull ‘Twitteri gjetkë e twitterat “magjikë” të Ramës’, shkruan: “Ta quash Edi Ramen  qullac  dhe … të lavdërosh Sali Berishën dhe Lulzim Bashën si më të aftë në debate televizive, është më shumë se një hipokrizi për M. Nanon si antiberishian. Të thuash që Edi Rama nuk qullos gjë, kur mua (dhe jam i bindur, jo vetëm mua) më duket se veçon nga të gjithë të tjerët në debate TV … më fal, por mua më duket vërtet e pafytyrë nga ana juaj M. Nano. Apo ndoshta dhe ju bëni pjesë te ajo pjesë e shoqërisë që ngazëlleheni kur dëgjoni se ‘Shqipëria [është] kopësht me lule’? “

Përgjigjja ime është e thjeshtë, dhe po e ndaj në disa pohime: 1. Adi-ny do kish bërë mirë, që ta kursente atë përcaktimin ‘i pafytyrë’ në adresën time; dhe bën mirë në përgjithësi të jetë një internaut më me edukatë; 2. Ajo pyetja e fundit që më bëhet mua vjen prej faktit që Adi-nyja i do të tjerët si veten, e tërbohet kur ata nuk janë si ai; dhe ky është tabiat talebani; 3. Adi-nyja bie në dashuri me udhëheqësit, ndërsa mua udhëheqësit, e fati i tyre, nuk më interesojnë; unë bie në dashuri me kauzat (dhe me grate, me që ra fjala); 4. Personalisht ka vite që nuk i ndjek intervistat televizive të politikanëve të rëndësishëm shqiptarë, dhe konsiderata ime është krijuar në kohët, kur i ndiqja tek-tuk këto intervista; 5. Kur them që Sali Berisha e Lulzim Basha janë më të zotë në pikëpamje televizive nuk duhet kuptuar sikur “mua më magjepsin”. Jo, unë – përsëris – nuk i ndjek. Nuk mund t’i ndjek. As ata, as Ramën (kam gjëra më të vlefshme për të bërë në këtë botë; mjaftohem t’i lexoj në gazeta të nesërmen si detyrë që më vjen nga “detyra” që mbuloj). Por njerëz që më rrethojnë i ndjekin dhe, ndonëse votojnë kundër Berishës e Bashës, më thonë se Berisha e Basha ia hedhin Ramës në pikëpamje televizive; 6. Ajo që them për aftësitë televizive të Berishës e Bashës nuk ka të bëjë me atë që ata thonë; është thjesht një gjykim i ftohtë, fare i ftohtë, që bazohet tek stili, ligjërimi, gjuha e trupit, etj, etj. Për Berlusconin kam menduar gjithë kohën se është një politikan i keq dhe i rrezikshëm, por ky fakt s’më ka penguar të pranoj se në pikëpamje televizive ai ka qenë i ndjellës dhe pakonkurueshëm; në të njëjtën mënyrë s’e kam hiç të zorshme të them se fjalimet nëpër tubime Rama, krahasuar me të tjerët, i thur më mirë; 7. Më fyeni kur më veçoni si anti-berishian; më fyeni po aq sa dhe ca të tjerë që mendojnë kollaj-kollaj se “jam mbështetës i Edi Ramës”. Por ndoshta është dhe faji im, që s’kam mundur të tregoj se në qëndrimin tim ndaj Berishës nuk ka të bëjë fare ndonjë antipati apo maraz personal, por ka të bëjë hendeku i madh që më ndan me të në planin politik, kulturor, ideologjik, patriotik, moral, dhe se me Ramën kam veç një gjë të përbashkët: të dy duam të largojmë Berishën. Më shumë se sa kaq Rama nuk më intereson. E më vjen keq që kjo gjë s’është kuptuar. E më vjen inat që s’kam mundur e s’kam ditur ta nënvizoj faktin që s’kam asnjë kauzë të përbashkët me Ramën, veç kauzës për të rrëzuar këtë regjim që po sundon në mënyrë banditeske e kriminale këtë vend.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here