HYRJE Mustafa Nano Mustafa Nano: Kristal-Leaks: Në pritje të verifikimeve të prokurorëve

Mustafa Nano: Kristal-Leaks: Në pritje të verifikimeve të prokurorëve

0
136

Sipas të përditshmeve tona të dy ditëve më parë, prokurorët kanë bërë me dije se në lidhje me scoop-in e diplomave të marra në Universitetin Kristal të Tiranës nga shtetasit italianë Renzo Bossi e Pierangelo Moscogiuri “është vendosur të fillojë një proces verifikimi për elementet e veprës penale, pra nëse ka shkelje të ligjit”. Pritej kjo ndërhyrje e prokurorëve, dhe duhet thënë se, në ndryshim nga herë të tjera, ndërhyrja ka ardhur shpejt, gjë që do të thotë se prokurorët ose kanë të njëjtin shqetësim me qytetarët e me opinionin publik (ka patur reagime të shumta pas kësaj që u raportua me burim median italiane), ose nxiten e vihen me pahir në presion nga ky shqetësim publik.

Ngjarja, në fakt, është nga ato që mund të ndriçohet në harkun e pak ditëve, dhe prokuroria, nëse e ka seriozisht këtë punë, duhet të bëjë pikërisht këtë gjë: t’i thotë publikut shpejt e shpejt se si janë punët. Nuk bëhet fjalë për ndonjë hetim të ndonje vepre penale të rrethuar nga misteri, me prova që s’gjenden dhe me të dyshuar që kanë një seri alibish; jo, bëhet fjalë për – siç e thonë dhe vetë ata – një proces verifikimi të disa fakteve që janë publikuar dhe një proces ballafaqimi të këtyre fakteve me një numër deklaratash që janë bërë. Ne e dimë tanimë që ekzistojnë dy diploma të marra në Universitetin Kristal nga Renzo Bossi dhe Pierangelo Moscogiuri, dhe nuk duhet ndonjë mundim i madh për të verifikuar nëse këto diploma janë të rreme, dmth të falsifikuara nga zotëruesit e tyre, apo janë njimend të lëshuara nga Universiteti Kristal. Një oficeri të policisë gjyqësore do t’i duhet të harxhojë jo më shumë se një gjysmë ore në sekretarinë e këtij universiteti për të marrë vesh, nëse ato dy diploma janë autentike, dmth me firmën e me vulën e drejtuesve të Kristalit. Nëse diplomat janë të rreme, atëherë procesi i verifikimit nuk ka arsye të vijojë (është punë e italianëve). Nëse nuk janë të rreme, do duhet të vijohet me verifikime të tjera, të cilat janë po kaq të kollajta e të cilat do duhet t’i japin përgjigje pyetjes: si janë dhënë këto diploma?

Sipas informacionit që erdhi nga Italia e që u raportua zellshëm nga mediat e këtushme, rezulton që dy italianët kanë marrë “tre vite akademike në një vit kalendarik”, gjë që përbën shkelje ligji. Dhe ky është gjithashtu një proces i kollajtë verifikimi. Shihet data e regjistrimit të tyre në këtë universitet, dhe kaq. E duke qenë se dy ‘studentët’ italianë kanë dhënë një numër të konsiderueshëm provimesh, i bie që ata ta kenë vizituar me dhjetra herë Shqipërinë. Do të ishte mjaft një kontroll i thjeshtë i regjistrave të pikave doganore, që na lidhin me Italinë.

Përveç kësaj, në mes të kësaj zhurme që u provokua nga ky lajm bombastik, kemi patur një numër deklaratash, konfirmimesh e përgënjeshtrimesh. Shtypi ka njoftuar për një reagim në emër të universitetit, ku thuhet se “shtetasi italian Pierangelo Moscogiuri është regjistruar në bazë të dokumentacionit të paraqitur në administratën e Universitetit në vitin akademik 2008-2009, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë; [ndërsa] shtetasi italian Renzo Bossi është regjistruar në bazë të dokumentacionit të paraqitur në administratën e Universitetit në vitin akademik 2007-2008, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë”. Kjo është një deklaratë me shkrim e shpërndarë për gazetarët, që do duhej ballafaquar me të dhënat që përmbajnë regjistrat dhe arkivat e Universitetit Kristal. Nëse ky pretendim është i saktë, atëherë i bie që Renzo Bossi të jetë regjistruar pa një dëftesë mature, të cilën ai e ka marrë në vitin 2009, ose me një dëftesë të rreme mature (ky fakt i fundit do ta shfajësonte Kristalin tonë).

Por deklaratat nuk mbarojnë këtu. Është intervistuar ish-rektori i Universitteit Kristal, Marenglen Spiro, firmën e të cilit mbajnë diplomat në fjalë. Dhe ky thotë qartë e prerë, se “në menaxhim biznesi nuk mban mend të ketë pasur student djalin e ish-drejtuesit të partisë Lega Nord, Umberto Bossi”. Ai thotë gjithashtu në të njëjtën intervistë, se nuk kujton të ketë pasur studentë italianë të regjistruar në universitetin që drejtonte. Përveç tij, ka dhënë deklarata dhe Olsi Baze, drejtor i një deparamenti në po këtë universitet. Një tjetër zë, ai i Marsel Kalemit, profesor tek Kristali, i intervistuar nga një radio italiane (Radio Capital), ka bërë deklaratën se “nuk mban mend të ketë pasur një student të tillë, dhe se diploma nuk mund të merret për një vit”. Dje na është shfaqur një farë Arben Dybeli, koordinator përfaqësues i Universitetit Kristal për Italinë (ka Universiteti i Cambridge-it koordinatorë të tillë?), që ka një zyrë në Bergamo më të vogël se 15 katrorë, dhe ai flet për 25 mijë studentë të Kristalit (!!!). Sipas shqiptares.com, zëra nga ambasada italiane kanë thënë se “nuk u rezulton që Renzo Bossi të ketë vizituar shqipërinë gjatë viteve të fundit”. Nëse ai do të kishte vënë këmbë në vendin eshqipeve pas marsit të vitit 2010, ambasada do duhej ta dinte, pasi Renzo Bossi ka qenë anëtar i këshillit të rajonit të Lombardisë. Është po kjo e përditshme që në numrin e djeshëm flet për një organizim të tipit mafioz të shit-blerjes së diplomave, me qendër në Itali e me përfshirjen e disa universiteteve në Tiranë, Prishgtinë, Kiev, etj.

Në gjithë këtë histori të shoqëruar me këto thënie e kundër-thënie, prova e dëshmira, bie erë skandali. Kuptohet, është skandal nëse provohet se diploma të tilla janë dhënë jashtë të gjitha rregullave e ligjeve tona, e në këmbim të parave të paguara nën dorë. E për t’u provuar kjo gjë, prokurorëve u duhet të bëjnë këtë proces verifikimi që rezulton i thjeshtë. Njerëzit e Ina Ramës mund të marrin gjithë kohën që u duhet për t’u bindur vetë (ishte problem krejt i stisur ai që ngrinte Panorama, kur fliste për një konflikt interesi, pasi dy prokurorë shqiptarë që s’janë pjesë e grupit të hetimit janë në të njëjtën kohë dhe pedagogë të jashtëm të Kristalit; e pastaj?), e për t’na bërë me dije neve, se në këtë mes ka elementë të një vepre penale, por nga ana tjetër nuk do bënin keq të linin të rridhte ndonjë informacion për median nga dosja ‘kristal-leaks’ që po mbushet me shpejtësi. Nëse e gjitha kjo është një rrenë e madhe e prodhuar jashtë Shqipërisë, atëherë do ish mirë t’i hiqej kjo njollë e pamerituar botës universitare shqiptare (universitetet e Tiranës janë të parat që duhet të jenë të interesuara për ta ndriçuar këtë ngjarje, që komprometon fort imazhin e tyre). Nëse nuk është rrenë, atëherë duhet të ndalemi seriozisht në këtë histori. Duke filluar nga pyetja: Si ka mundësi që asnjë agjenci e institucion shqiptar nuk ka rënë në gjurmë të këtyre praktikave të shitjes e të blerjes së diplomave?

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here