Home Mustafa Nano Mustafa Nano: BE-ja po na refuzon

Mustafa Nano: BE-ja po na refuzon

690
0

Zgjedhjet përfundimisht mund të quhen të prishura. Do duhet të presim raportin përfundimtar të osbe-odihr-it, mbi bazën e të cilit do të modelohen të gjitha qëndrimet, por shenjat janë që ai raport ta nxijë procesin, të paktën aq sa lipset për t’na skualifikuar si kandidatë seriozë për në BE. Mirëpo Sali Berisha po jeton në një planet tjetër. Ai po kap limite të frikshme pacipësie – ky ishte mendimi që më lindi në kokë pardje, teksa agjencitë po shpërndanin copa nga fjala e tij në grupin parlamentar të PD-së. Shikoni se ç’llomotiti mes të tjerash: “1. Funksionimi institucional që u dha përgjigje ankimimeve të palëve (kupto: trukimi i rezultatit në tavolinë. M. N.) është dëshmi e egzistencës së shtetit ligjor në Shqipëri; 2. Opozita le të propozojë amendamentet që don, dhe ne jemi të gatshëm t’ia miratojmë (s’ka gjë se më vonë, në momentin e aplikimit të kodit elektoral, ushtria e Ristanëve do ketë për detyrë t’i injorojë e t’i shkelë këto amendamente. M. N.); 3. Takimi i sotëm i Luksemburgut është një thirrje për të mirën e këtij vendi, është një ofertë jashtëzakonisht e rëndësishme, në mënyrë që procesi i integrimit të vendit në BE të ecë me ritmet e merituara. Uroj që të lexohet njëlloj nga të gjitha forcat politike të vendit. Garantoj partnerët tanë se qeveria do të bëjë gjithçka për funksionimin e shtetit ligjor, dialogun dhe bashkëpunimin”. Nuk pashë materialin video, e rrjedhimisht më kanë shpëtuar tonet e qeta, pamja e përvuajtur, dhe sjellja prej gentleman-i, të cilat ai i nxjerr në shesh sa herë që është duke kaluar momente të vështira. Dhe ai po kalon njimend momente të vështira. Keq për të? Jo, keq për ne. Ai s’e ka për gjë që në ditët e veta më të këqija të sillet sikur gjithë dynjaja t’i jetë në borxh, dmth ai s’e ka për gjë të ecë në të vetën, s’ka gjë se bash për këtë po i vinë kritika nga të gjitha anët. Dhe s’ka hiç turp që të na thotë: “S’e kanë vetëm me mua; e kanë me të gjithë ne”.

Nesër, ai nuk do mendohet dy herë për të vënë në bangën e të akuzuarve opozitën, e cila “ka bërë çmos të prishë imazhin e Shqipërisë dhe të flasë keq në sytë e diplomatëve të huaj për qeverinë më të mirë që shqiptarët kanë pasur ndonjëherë”. Mbani vesh! Kështu ka për të ndodhur. Këto do të jenë pak a shumë fjalët që do të thotë, kur të bëhet publik raporti i osbe-odihr-it, kur Brukseli e Washingtoni t’i bëjnë jehonë këtij raporti, kur të shtohen zërat kritikë në adresë të Shqipërisë, e kur i gjithë ky presion të marrë formën e një refuzimi më të qartë të Shqipërisë në strukturat e BE-së.

Është kjo që po ndodh, apo jo? Po vinë dita-ditës sinjale domethënëse. Ky që erdhi nga Luksemburgu ishte i fundit në radhë. Dhe duhet thënë se ish më i buti, ngaqë është lëshuar nga ministrat e jashtëm, mes të cilëve gjenden do “miq të mëdhenj të Shqipërisë”, të cilët nuk kanë lënë gur pa lëvizur në mënyrë që deklarata e përbashkët të dilte ashtu s doli, dmth “shumë e keqe për Shqipërinë, por duke e lënë të nënkuptuar përgjegjësin kryesor të krizës”. Ai e dinte qysh më përpara këtë deklaratë. Me siguri, ia ka përcjellë ndonjë tip si Frattini. Nga kjo deklaratë do duhej të skuqej e do duhej të fshihej, por për atë është mjaft që nuk është përmendur si përgjegjës. Dhe kështu as skuqet, as zverdhet. Përkundrazi, del e na thotë, se “duhet të dimë ta lexojmë të gjithë atë që u tha në Luksemburg”.

Lajmi më i keq i kohëve të fundit nuk është që për Shqipërinë nuk është folur kurrë kaq keq, dhe që Shqipërisë po ia mbyllin derën e BE-së. Jo. Lajmi më i keq është që Sali Berisha nuk e vë ujin në zjarr për këtë gjë. Ka njerëz këtu në Tiranë që mendojnë se një izolim i ri i Shqipërisë (dhe me izolim kuptoj këtë që po ndodh, dmth që diplomatët e huaj tallen dhe e përqeshin këtë vend, që ata as e çojnë nëpër mendje të na pranojnë tok me të tjerët si anëtarë të BE-së, që ata thjesht kënaqen kur ne nuk shajmë sho-shoqin, dhe na thonë në këto raste ashtu si Kukan u tha deputetëve tanë në takimin e Brukselit: ju lumtë, sot më keni pëlqyer; sot nuk e ndërpretë njëri-tjetrin, dhe nuk lëshuat sharje), ka njerëz pra që mendojnë se një izolim i ri i vjen për mbarë Sali Berishës, pasi nën përçmimin e të huajve ai do të ketë mundësi të lëshojë fëmijët (fëmijët e tij) mbi plaçkën që ka mbetur pa u pretuar, të mbyllë një sy ndaj mbështetësve të tij që bëjnë të njëjtën gjë mbi pasurinë publike, të marrë në dorë ato institucione që i kanë mbetur jashtë kontrollit, të ngushtojë edhe ca më shumë hapësirën e opozitës, të medias e të aktorëve të tjerë që i bëjnë karshillëk bandës së tij, dhe atij vetë.

Personalisht, mendoj ndryshe. Ai nuk do ta donte këtë izolim, por ai nuk është i gatshëm të ndryshojë kurs asnjë milimetër nën kërcënimin e këtij izolimi. Ai nuk do mend që do donte t’na pranonin në Europë, por në të njëjtën kohë nuk do donte që e gjithë kjo të ngushtonte hapësirën dhe shanset e tij për ta sunduar këtë vend. E nëse s’na pranojnë për shkak të këtyre që ai po bën, atij aq i bën. Ai, në mënyrën e vet, po i thotë BE-së atë që i ka thënë gjithë kohën shqiptarëve në përgjithësi e opozitës në veçanti: është mirë t’më pranoni kështu si jam, dhe në pushtet; nëse jo, e keqja nuk do të jetë e imja. Dhe në fakt, qetësia me Berishën në pushtet ka vetëm një emër: appeasement, që me fjalë të varfëra do të përkthehej “doni paqe? Ecni mbas volles sime; ndryshe, do keni rrëmujë, destabilitet, rënie të shtetit”.

Ka dhe një situatë tjetër që e favorizon. Me sjelljen e tij prej marroku, ai ka vendosur një standard. Dhe të huajt i bëjnë vlerësimet mbi punët e këtushme mbi bazën e këtij standardi të vendosur prej tij. Me fjalë të tjera, sjellja e tij është bërë standardi ynë. Kur e pyeta një diplomat, se si nuk i bënte përshtypje kur kryeministri ynë del përballë kamerave dhe i thotë shefit të opozitës, që “do të ndëshkoj personalisht si një bandit, nëse guxon të sulmosh edhe njëherë kryeministrinë”, ai më hodhi fytyrës përgjigjen, që e kish në majë të gjuhës: Kjo është Shqipëria. Dhe nuk është se s’ka të drejtë. Kryeministri ynë, për ta, është një psikopat i rrezikshëm, por është në fund të fundit njëri prej nesh, që ka mbështetjen e gati gjysmës së popullsisë.

Ka shumë vetë që shpresojnë se të huajt mund t’ia vënë kufirin te thana Berishës. Mirëpo e kanë kot. Jemi ne shqiptarët që duhet të bëhemi të gjallë. Nëse jo, Berishën do ta kemi aty derisa të japë shpirt.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here