Home Shendetesi Mungon edhe serumi, pacientët në spital gjejnë vetëm shtratin

Mungon edhe serumi, pacientët në spital gjejnë vetëm shtratin

1221
0

Mjekët dhe pacientët pohojnë se në spitalin “Nënë Tereza” mungojnë edhe materialet më elementare, si pambuku, serumi dhe termometrat

QSUT

Mungojnë serumet, mungon jodi, mungon edhe pambuku me termometrat për të matur temperaturën. Këto mangësi nuk i gjen në një poliklinikë fshati, por në qendrën më të madhe spitalore “Nënë Tereza”.

Pacientët janë ata që përballen çdo ditë, prej disa muajsh, me mangësitë në këtë spital dhe të ndodhur përball kësaj situate ata theksojnë se në spital po gjejnë vetëm shtratin dhe asgjë më shumë. “E bleva vet serumin 150 lekë për djalin. Është e tmerrshme këtu nuk ka asgjë”, pohon nëna e pacientit 9-muajsh, Julina Bleba, nga Kamza shtruar në Pediatrinë e QSUT-së.

Ndërkohë, edhe mjekët theksojnë se e ndjejnë presionin e mangësive që tashmë kanë arritur kulmin dhe e kanë të vështirë. Ndërsa drejtori i QSUT-së pranoi se mungesa e medikamenteve dhe e materialeve spitalore ka qenë evidente këto muaj, por ai premtoi se kjo situatë do të rregullohet deri në javën e parë të qershorit kur të mbylljen procedurat e tenderëve.

Pacientët

Të lodhur nga sëmundjet, sorollatjet dhe shpenzimet që po bëjnë për çdo gjë që iu nevojitet në spital, pacientët shprehen shumë të revoltuar ndaj kësaj situate. “Nuk e dimë nëse mund të quhet spital, por kam blerë edhe pambuk dhe termometër sapo erdha kur shtrova djalin. Ta dija më mirë ta mbaja në shtëpi se të paktën pambukun, alkoolin dhe termometrin i kam edhe në shtëpi.

Nuk e kuptojmë si mund të quhet spital kur këtu kemi vetëm krevatin dhe konsultën e mjekëve”, – pohon njëri nga prindërit e pacientëve të vegjël në Pediatri. Gjithashtu, pacientët pohojnë se shpenzimet janë shumë të mëdha, pasi detyrohen të blejnë pothuajse çdo gjë në spital.

“Duhet të dini e ne që kemi përfunduar këtu jemi edhe të varfër, ndryshe do shkonim në spital privat ose do të marrin avionin e parë dhe të zhdukeshim sa më shpjet nga ky vend që nuk na siguron dot as mjekimin edhe pse jemi në gjendje të rëndë shëndetësore”, – pohojnë pacientët.

Mangësitë

Qendra Spitalore Universitare prej disa muajsh ka ndjerë mungesën, përveçse të ilaçeve, edhe të mjeteve elementare që nevojiten për pacientët. Problemi është sidomos për sëmundjet e rënda dhe të pashërueshme, siç janë sëmundjet e gjakut apo sëmundjet kancerogjene, të cilat janë shumë të kushtueshme dhe të papërballueshme për pacientët.

Sipas bluzave të bardha, mangësitë janë në medikamente, kite analizash, ekzaminime dhe materiale spitalore. Ndërkohë, mjekët dhe pacientët theksojnë se kjo situatë po ndikon negativisht në shëndetin e pacientëve pasi diagnozat vendosen me vështirësi dhe vonesë. Tashmë, nuk bëhet fjalë vetëm për medikamentet e shtrenjta, siç janë citostatikët, por edhe për këto materiale shumë elementare që çdo kush i ka në shtëpi.

**************************

Sipas mjekëve të QSUT-së, kriza e analizave po vështirëson punën e tyre. Po punojmë si në kohën e Hipokratit
Mjekët: Mangësitë skandaloze, s’vendosim dot diagnozat

Mangësi në realizimin e analizave e si pasojë e kësaj edhe vështirësi në vendosjen e diagnozave.
Madje, vendosja e diagnozave po realizohet vetëm falë aftësive të mjekëve, pasi analizat dhe ekzaminimet në spital në shumicën e rasteve mungojnë.

Këtë e pohojnë vetë mjekët e QSUT-së, të cilët theksojnë se kërkojnë të marrin masa sa më shpejt për përmirësimin e situatës. “Pacientët e shtruar nuk po realizojnë analizat. Jemi përballë faktit se po punojmë si në kohën e Hipokratit dhe diagnozat po i vendosim me hamendësime.

Pacientët po marrin shërbim vetëm falë aftësive të mjekëve, pasi procesi i realizimit të analizave është në krizë dhe kjo po ndikon negativisht jo vetëm mbi shëndetin e pacientëve, por mbi të gjitha po vështirësohet së tepërmi edhe puna jonë”, shpjegojnë mjekët e QSUT-së, të cilët theksojnë se duhet të merren masa sa më shpejt për t’i dhënë fund kësaj situate. Sipas tyre, problemi vështirësohet, sidomos kur kanë të bëjnë me sëmundje tepër specifike që duhet në mënyrë të domosdoshme që të vendosen diagnozat me anë të analizave.

Madje problemi, po sipas mjekëve, bëhet akoma më evident kur këto mangësi janë pikërisht për pacientët e shtruar në spital. “Spitali më i madh në vend është kthyer si në poliklinikë lagjeje, pasi këtu pacientët nuk munden të realizojnë as edhe analizën më elementare. Kjo është vërtetë skandaloze, ndaj dhe duhen marrë masa sa më shpejt për të përmirësuar situatën”, theksojnë mjekët.

*******************

Dashi: Përmirësimi i situatës, brenda qershorit

Drejtori i Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, Ilir Dashi, e pranon situatën e krijuar me mungesën e barnave dhe materialeve elementare të krijuar për shkak të procedurave të fundit të tenderimit, por garanton se këtë vit do të ketë furnizim me të mirë me medikamente krahasuar me vitet e tjera. Sipas Dashit, 60 % e buxhetit total të QSUT është përdorur vetëm për barna.

“Ka përfunduar tenderimet për barnat e këtij viti dhe këto ditë jemi në fazën e lidhjes së kontratave me firmat farmaceutike, që do të thotë furnizim i menjëhershëm me ilaçe, sipas listës së planifikuar të spitalit”, pohon Dashi, duke shtuar se mungesat e hasura deri më tani në spital, kanë të bëjnë me disa barna specifike për pacientë apo grupe pacientësh të veçantë.

Sipas tij, pavarësisht se mund të jenë të paplanifikuara disa barna, do të sigurojnë me çdo kusht ato, duke përdorur të ardhurat dytësore e disa rezerva të tjera që do të krijohen gjatë tenderimeve. Ndërsa, sa i takon materialeve të mjekimit, kanë marrë masa të shpejta për plotësimin e nevojave më emergjente brenda qershorit, muaj në të cilin përfundojnë procedurat elektronike për të gjithë sasinë vjetore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here