Home Sociale Mesuesit 1 jave pa marre rrogen

Mesuesit 1 jave pa marre rrogen

820
0

mesues-shkolleVonohen një javë pagat për mësuesit e arsimit parauniversitar. Ndonëse rrogat mujore të mësuesve duhet të kalonin në llogaritë e tyre bankare që në datën 2 dhjetor, një gjë e tillë për pjesën më të madhe të arsimtarëve të vendit nuk ka ndodhur.

Problemi nuk ka prekur vetëm mësuesit e rretheve të largëta të vendit, por edhe ata që japin mësim në shkollat e kryeqytetit. Disa prej mësuesve të shkollave 9- vjeçare të Tiranës thonë se as ditën e djeshme nuk e kanë marrë pagën e muajit nëntor. Mësuesit pohojnë se u kanë thënë që do ta marrin sot rrogën e nëntorit.

“Ne rrogën çdo muaj e kemi marrë në datën 2. Këtë muaj nuk na është kaluar ende paga e muajit nëntor. Na thanë që do t’i marrin nesër (sot), të shohim nëse do bëhet pagesa”, pohon për gazetën një mësues. Po me këtë situatë janë ndeshur qindra mësues nga të gjitha rrethet e vendit, të cilët nuk janë paguar ende për muajin nëntor. Lidhur me këtë çështje, zëvendësministri i Arsimit, Arbjan Mazniku, ka deklaruar se pagat e mësuesve kanë kaluar, por ka pasur një vonesë si pasojë e një problemi në Thesar. Ndërkohë, burime zyrtare nga Ministria e Arsimit, të kontaktuar nga gazeta, pohuan pasditen e djeshme se çështja është zgjidhur dhe nuk ka më probleme me pagesat e mësuesve. Për vonesat në pagat e mësuesve ka reaguar edhe Ministria e Financave. Sipas këtij dikasteri, vonesa ka ardhur për shkak të administrimit që kanë bërë drejtoritë arsimore rajonale. Ministria e Financave sqaron se vonesa nuk ka lidhje me mungesën e fondeve. Në të gjithë sistemin arsimor parauniversitar punojnë mbi 35 mijë mësues, pjesa më e madhe e të cilëve mbajnë familjen me këto rroga mujore. Vetëm pak kohë më parë, përfaqësues të arsimtarëve kërkuan nga qeveria që të rrisë buxhetin për arsimin në jo më pak se 5 për qind të GDP-së, me qëllim rritjen e financimit në sistemin arsimor publik. Sipas sindikalistëve, me këtë rritje zgjidhen të gjitha problemet e tjera që lidhen me sistemin e pagave, të shpërblimeve, të kushteve më të mira në shkollë etj.

Duke marrë parasysh këtë situatë, sindikalistët kanë kërkuar vazhdimisht miratimin e statusit të mësuesit. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, gjatë finaleve publike për përzgjedhjen e drejtorëve të arsimit ka premtuar se qeveria do të bëjë gjithçka për statusin e mësuesve dhe rritjen e pagave, duke mos lënë pas as cilësinë e mësimdhënies. Por, edhe pse janë vonuar pagesat e mësuesve, për disa drejtori arsimore është bërë kalimi i fondeve për subvencionimin e teksteve shkollore.

Gjatë këtyre ditëve pritet të nisë edhe shpërndarja e kompensimit për kategoritë që përfitojnë. Edhe këtë vit, masa e subvencionimit do të jetë e kategorizuar, në varësi të gjendjes ekonomike të familjeve. Kompensimin në masën 100 për qind do ta përfitojnë të gjitha familjet që kanë nivel të ulët të ardhurash, të cilat e kanë të pamundur blerjen e librave me çmimet reale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here