HYRJE Mero Baze Mero Baze: Të poshtëruar me korrektesë

Mero Baze: Të poshtëruar me korrektesë

0
133

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka poshtëruar politikisht themeluesit e Partisë Demokratike, të thirrur pas vitit 2005 për t’iu ribashkuar partisë së tij në emër të fitores në zgjedhje. Në votimin e fundit të komanduar në Këshillin Kombëtar të kësaj partie, u poshtëruan publikisht të gjithë të thirrurit për të ndryshuar imazhin e PD-së, por sidomos të Berishës si njeri që zboi gjithë bashkëpunëtorët e vet nga partia që bashkëthemeluan. Gjashtë vjet pasi ata iu bashkuan thirrjes së tij për t’u rikthyer në PD, gjenden më larg se kurrë strukturave të saj, bile dhe të fyer nga klani familjar i Sali Berishës që ka pushtuar kryesinë e PD-së.

Tritan Shehu, Genc Pollo, Arben Imami, Ferdinand Xhaferri, Leonard Demi, Genc Ruli, dhe mbështetës të tyre në PD, tashmë nuk kanë asnjë shans të kenë të ardhme politike në PD. Duke i konsideruar të padobishëm për të ardhmen e tij politike dhe duke i zëvendësuar me koalicionin pragmatist të Ilir Metës, Shpëtim Idrizit dhe partive të tjera aleate, Berisha praktikisht ka rifirmosur largimin e tyre nga PD-ja duke i provokuar në mungesën e moralit që ata kanë si individë politikë duke qenë se janë ende pjesë e qeverisë. Deri më dje shumë vetë besonin retorikën politike të Arben Imamit se ishte kthyer në partinë që kishte themeluar vetë dhe se do të kandidonte për Sekretar të Përgjithshëm të PD-së pasi i interesonte karriera politike. Sot, kur ai për herë të dytë është sprapsur nga klani familjar i Berishës në PD, Arben Imami jo vetëm që nuk ndihet, por është gati të ripërdoret më keq se pas 21 janarit, tashmë për të justifikuar pushkatimin e tij politik në PD. Arsyeja e vetme është se ai nuk ka pasur qëllim karrierën në PD, por marrjen e një llokme nga pushteti i PD-së, të cilën Berisha nuk e kursen për të kompromentuar rivalët e vet. Imami, Pollo, Ruli dhe të tjerë janë duke soditur ndarjen e posteve në PD si ai qeni personazh në një fabul, ku me një kockë në gojë shikon gjithë zili hijen e saj në ujë, me ndryshimin që nuk e lëshon atë që ka në gojë për të kapur tjetrën. Me nga një kockë në gojë, që Berisha ua ka dhënë pasi i njeh sa vlejnë, ata heshtin tani për përjashtimin e tyre politik dhe poshtërimin publik që Berisha u bëri duke i zëvendësuar me shokët e Zenit dhe miqtë e Argitës. Nëse ata do të kishin qoftë dhe një fije integritet politik, duhet të reagonin jo vetëm për votimin skandaloz të komanduar, por mbi të gjitha për rregullat, mbi të cilat duhet të bëhej ky votim. Të thirrurit në PD pas largimit dhe armiqësisë së tyre të gjatë me PD-në, nuk mund të integrohen në parti si anëtarë të thjeshtë të saj. Ata duhet të futeshin në garë me kuota duke respektuar identitetin e tyre, që i ofronin PD-së si ish-fraksione të saj. Anëtarët e Këshillit Kombëtar duhet të votonin preferencën e tyre për kuotat që Berisha duhet t’u jepte të rikthyerve në PD dhe jo të tallej me ata ashtu siç u tall duke i përdorur për të ardhur në pushtet, duke u mbyllur gojën me nga një kockë dhe tashmë duke i mbajtur peng në një afat të pacaktuar pikërisht me postin dhe frikën për përjashtim nga lista e ardhshme. Pollo, Imami, Xhaferi etj., të cilët i bënin karshillëk Berishës për çdo gjest të tij, tani që ai ua ka kthyer kusurin me një gjest tepër poshtërues, nuk kanë fuqi as të komentojnë eliminimin polik të tyre.

Pas kësaj do të jetë qesharake të dëgjojmë sërish nga këta se janë kthyer në PD për vlera politike që kanë, apo për historinë e tyre. Tani ata shihet qartë se janë kthyer në PD thjesht se duan një kockë, të cilën Berisha nuk ua ka kursyer. Me këtë, ata kompletojnë CV e tyre politike, herë duke qenë ministra të Berishës, herë të së majtës, dhe dalin nga politika si njerëz që ia panë hairin pazareve për pushtet, por jo ideve të tyre politike apo identitetit të tyre politik. Arben Imami, për shembull, mund të mburret se ia doli të ishte dy herë ministër i socialistëve dhe dy herë i Berishës, Pollo ia vlen të mburret se i shërbeu luftës kundër opozitës dhjetë vite më parë dhe po i shërben pazareve të Berishës për çështje delikate siç është feja, kombësia apo çështjet etnike, Shehu do të mbahet mend që u ka shërbyer gjithë qeverive, Ruli që ka fituar në gjithë qeveritë e kështu me radhë. Por askush prej tyre nuk ka më asnjë bazë morale të flasë për personalitet politik. Hakmarrja e Berishës ndaj tyre është bërë e plotë. I kishte, i zboi, i duroi në opozitë kur ja përdori kundërshtari, i thirri, i vuri në rresht, u futi nga një kockë në gojë dhe tani nuk flasin dot edhe pse ai po i zbon në rrugë të madhe, duke i zëvendësuar me atë që i gjen toka Zenit, me atë që ia regjistron, me atë që i jep tenderë shokëve të Zenit, e kështu me radhë. Edhe pse e drejta është në anën e tyre të reagojnë, edhe pse ata kanë sot shumë më tepër arsye të jenë kundër Berishës se sa kishin atëherë kur dolën, fakti që nuk flasin për shkak të kockave që mbajnë në gojë, tregon se asnjëherë nuk kanë qenë parimorë kur kanë dalë kundër tij. Edhe atëherë kur dukej sikur kishin të drejtë. Dikush u ka dhënë dhe atëherë një kockë ndaj kanë lehur. Ndaj poshtërimi i tyre duket korrekt.

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here