Home Mentor Nazarko Mentor Nazarko: Vendimi shpresëdhënës i Kolegjit

Mentor Nazarko: Vendimi shpresëdhënës i Kolegjit

668
0

Vendimi i fundit i Kolegjit Zgjedhor krijoi interpretime të ndryshme, deri diku të kundërta me njëri-tjetrin, madje dhe brenda të njëjtit kamp politik. Por, sigurisht, kishte dhe pika të njëjta interpretimi midis të dyja palëve. Kështu, ndoshta në mënyrë të pasaktë profesionalisht, zonja Subashi e KQZ-së dhe Gjata, ish-kryetar i KQZ-së, e konsideruan si shkelje faktin që Kolegji sugjeroi që të numëroheshin të gjitha kutitë ku kishte fletë të hedhura në mënyrë të gabuar, duke sugjeruar klasifikimin e tyre si të kontestuara. Sipas tyre, nëpërmjet kësaj kërkese, Kolegji kishte kapërcyer objektin e padisë, duke shkelur një parim juridik, sipas të cilit, organet gjyqësore duhet të japin zgjidhje vetëm për aq sa i kërkohet në padi.
Në fakt, interpretimi i dy juristëve, ashtu dhe interpretimet e tjera të kundërta, mbështeteshin vetëm në tekstin e shkurtër urdhërues të vendimit, dhe jo në tërësinë e plotë të tij. Të dy juristët e bënë të qartë këtë. I vetmi që vazhdoi në një vepër të rrezikshme që fyen inteligjencën profesionale të juristëve duke tejkaluar madje dhe qëndrimet e PD-së, duke provokuar madje bashkësinë ndërkombëtare, që e gozhdoi në mënyrë të sinkronizuar, është kryetari i KQZ-së. Në mënyrë tërësisht komprometuese për integritetin e vet profesional, atë të institucionit që ai drejton, megjithëse me status tërësisht përfaqësues dhe jo vendimmarrës, Ristani paratha në një intervistë pardje përfundimin e procesit, fituesin e zgjedhjeve, me gjithë urdhërimet e Kolegjit. Tash që vendimi i Kolegjit doli dhe u bë publik në tërësinë e vet, dalin në dritë disa përfundime të tjera, që nuk i japin të drejtë Ristanit.
Teksti i plotë i vendimit nuk ka provokuar reagime të vendosura të palëve dhe, me sa duket, ato duhet të kenë rënë dakord për disa përfundime, megjithëse pa e shpallur këtë. Kjo ndihet sa kohë që nuk po vihet re entuziazëm i skajshëm i tyre dhe me shumë gjasa po përpunohen strategji se si ky vendim të përdoret në favor të vetes.
Pikërisht ky është problemi. Kolegji Zgjedhor, në mënyrë shumë elegante, bëri sikur i kënaqi të gjithë, duke i dhënë njëlloj besueshmërie një institucioni që pothuajse e kishte humbur shpresën e opinionit publik, të institucioneve ndërkombëtare, se mund të merrte vendime të pavarura. Kolegji Zgjedhor, i orientuar nga zonja Dhurata Haveri, arriti, nëpërmjet një vendimi, të pajtojë të papajtueshmet, diçka që e bën shumë të rëndësishëm vendimin e tij. Në dukje, Kolegji i dha vërtet të drejtë KQZ-së, apo dhe vetë PD-së, që të numëronte të ashtuquajturat votat e hedhura në kutitë e gabuara, por kjo ndodhi sepse Kolegji nuk mund të kundërshtonte vendimin e mëparshëm të kolegëve të Haverit, të cilët e kishin konsideruar si korrekt “hetimin administrativ” të KQZ-së me 117 kutitë. Nuk mund t’i kërkoje të shkelnin një parim themelor të pushtetit gjyqësor këtyre zonjave juriste. Por ky Kolegj, në mënyrë shumë profesionale, e shkatërroi atë që ishte thelbi i këtij numërimi: selektivitetin, apo ndërrimin e rregullave të lojës në mes të lojës dhe në një segment të procesit. Duke vepruar kështu, Kolegji praktikisht afirmoi parimin kushtetues të barazisë së votës, dhe pikërisht për këtë arsye ai kërkoi rinumërimin e votave të diskutueshme në të gjitha kutitë e Tiranës, pavarësisht se për kë votohej. Ishte pikërisht ky moment që kundërshtonin Gjata dhe Subashi, duke injoruar qasjen kushtetuese që qëndronte në bazë të këtij urdhërimi.
Kolegji, ndërkaq, nuk e injoroi një çështje të ndjeshme, siç është ajo e mospërputhjes së tabelave, d.m.th. numrit të votuesve me numrin e fletëve në kuti. Pikërisht për këtë arsye, Kolegji urdhëroi hapjen e të gjitha kutive, duke i vënë në kurriz një barrë tjetër më të rëndë KQZ-së: të përputhë, sipas ligjit, numrin e votuesve me të fletëve, jo më në 117 kuti, por në mbi dy mijë kuti. Por, nëse ky numër nuk përputhet për 117 kuti, si mund të përputhet nga mbledhja e tyre me të gjitha kutitë e tjera? Është pikërisht kjo hapësira e krijuar për opozitën në betejën e saj në të ardhmen: mospërputhja e numrave. Nuk mund të prisje nga Kolegji që t’i nxirrte këto fletë si produkt i manipulimit, sepse kjo është tepër: Kolegji nuk është prokurori dhe nuk mund të bëhet palë. Kolegji, ama, zhvleftësoi pikërisht për shkak të kësaj mospërputhjeje, numërimin e KQZ në 117 kuti me fjalinë parimore: vlefshmëria e procesit është pasojë e ligjshmërisë së tij. Nëse Kolegji e ka shpallur mënyrën si u numërua vetëm në 117 kuti si të paligjshme, atëherë dhe produkti i saj është i pavlefshëm. Aq më tepër dhe një rezultat përfundimtar që do të na rezultonte pas një muaji e që duhet të mbajë parasysh rezultatin e këtyre 117 kutive. Por, Kolegji nuk mund të ishte i qartë për këtë, sepse përndryshe do të kundërshtonte vendimin e vet të mëparshëm. Ndërkohë, që ky vendim të realizohet në tërësinë e vet, opozita duhet të luftojë brenda KQZ-së. Duhet të kundërshtojë çdo akt, i cili i kundërvihet në frymë vendimit të Kolegjit, për të pasur argumente për ankimime të tjera dhe në Gjykatën Kushtetuese. Pse jo?
Arritja më e madhe historike e Kolegjit, përveç rikthimit të besimit tek institucionet, ishte goditja që i dha ai manipulimit të proceseve zgjedhore në Shqipëri. Ky manipulim kuptohet qartë nga mospërputhja e numrit të votuesve me numrin e fletëve në kuti. Kolegji e kishte strukturuar argumentimin e vet pikërisht mbi, d.m.th. mospërputhjen e numrit të votuesve me fletët në kuti, duke prodhuar tabela të papërputhshme. Është kjo një pikë kruciale e administrimit të proceseve zgjedhore në Shqipëri, e cila deri sot ishte injoruar. Është kjo pika thelbësore e betejës së opozitës në të ardhmen jo vetëm të betejës së Tiranës, por gjithë proceset zgjedhore në Shqipëri. Nëse opozita do të kishte pasur si argument kryesor pikërisht këtë argument dy vjet më parë, beteja e vet për hapjen e kutive do të dukej më logjike para ndërkombëtarëve dhe shqiptarëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here