Home Mentor Nazarko Mentor Nazarko: “Ja tezat greke kunder shqiptareve ne Maqedoni”

Mentor Nazarko: “Ja tezat greke kunder shqiptareve ne Maqedoni”

1816
0

Ndaj zhvillimeve të fundit në Maqedoni nuk mund të rrinte pa folur dhe Greqia. Folën gjithë aktorët më të rëndësishëm ndërkombëtarë, përfshi dhe Rusinë, e cila e vinte gishtin në faktorin shqiptar si faktor shkatërrues për fqinjin tonë. Dhe më në fund foli dhe fqinji ynë jugor nëpërmjet ministrit të jashtëm Kotzias, i cila ndërsa i përmbahet deklarativisht politikës së mosndërhyrjes, praktikisht foli për ruajtjen e karakterit unitar të shtetit maqedonas.

Po për kë e ka fjalën Greqia kur flet për politikën e mosndërhyrjes, të cilën pretendon se e ka respektuar si askush tjetër në Ballkan? Me siguri e ka për Shqipërinë, e cila akuzohet nga partia e Gruevskit si palë që ka ndikuar në të ashtuquajturën Platformë të Tiranës.

Kush janë kërcënuesit e karakterit unitar të Maqedonisë? Dhe çfarë nënkupton ky karakter unitar sipas politikës së jashtme greke? Mosndryshimin e kushtetutës së Maqedonisë, mosfederalizimin e saj, apo në përgjithësi mosavancimin kushtetues të të drejtave të shqiptarëve atje? Për këtë po flitet më shumë në fakt, dhe me gjasë Greqia e ka saktësisht për këtë temë. Kur Greqia flet për ruajtje të karakterit unitar, do duhet të kujtohemi në fakt se këtë term e ka përdorur presidenti Ivanov si kundërvënie ndaj LSDM-së,  dhe liderit të saj Zaev, të cilit nuk po i jep mandatin e krijimit të qeverisë pse e akuzon se po zbaton platformën e Tiranës. Nga Greqia, po ashtu në mënyrë kritike ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, ka folur dhe një lider tjetër i Syrizas, i cili e ka parë përfshirjen e krerëve të vendit në zhvillimet në Maqedoni si një mënyrë për të shmangur vëmendjen nga problemet e brendshme. Dhe ky zë grek do duhet quajtur gjithashtu një zë zyrtar.

Në fakt, në lidhje me zhvillimet maqedonase nuk ka folur vetëm një zë zyrtar grek, apo dhe dy, por dhe një ambasador me eksperiencë, i angazhuar në atë që është OJQ-ja më serioze greke e politikës së jashtme, një lloj instituti zyrtar i studimeve strategjike greke, ELIAMEP, ambasadori Aleksandër Mallias, që ka punuar në Tiranë, por dhe në Uashington. Në një artikull të publikuar dhe në Konica.al, me titull 9 të verteta mbi krizën e Shkupit, Mallias, i njohur për qëndrimet e veta realiste ndaj faktorit shqiptar në Ballkan, thotë disa të vërteta të tjera alternative me qëndrimin e kancelarisë greke. Ai, në fakt, e gjen origjinën e krizës tek pabarazia e faktorit shqiptar në Maqedoni, faktor i cili duhet nxitur të arrijë më shumë, të përfshihet në negociatat me Greqinë për emrin, etj., etj. Mallias, në mënyrë diplomatike siç është zakoni, e quan të dobishme deklaratën e ministrisë së jashtme të vendit të tij, por duket se vë theksin vetëm tek politika e re greke e mosndërhyrjes.

Realizmi grek, përballë rreshtimit tradicional grek ndaj shqiptarëve

Sepse në gjithçka tjetër, Malliasi është praktikisht në kundërshtim me qëndrimin zyrtar grek. Në të vërtetë, vetë qëndrimi zyrtar grek është kontradiktor në vetëvete dhe shumë ndërhyrës, gati protektiv: nëse je me politikën e mosndërhyrjes, atëherë nuk ke arsye pse të jesh kritik ndaj vullnetit të palëve të caktuara në Maqedoni që duan avancim kushtetues të të drejtave të shqiptarëve që mund të arrijë deri në federalizim. Pse Greqia duhet të jetë kundër federalizimit për shembull, nëse atë e duan vetë faktorët politikë maqedonas, pavarësisht origjinës së tyre etnike?

Ky shkrim rreket thjesht të kuptojë arsyet e këtij qëndrimi grek në këtë kohë dhe jo të bëjë kritikën e tij. Politika zyrtare greke ndjek interesat kombëtare të vetat, sipas vizionit të partisë politike apo koalicionit në pushtet.  Dhe ja disa cilësi të këtij vizioni aktual të politikës së jashtme greke, ballafaquar me një zë realist grek.

Së pari, politika greke rreshtohet njëlloj si politika ruse, e cila e sheh rrezikun e destabilizimit të Maqedonisë tek faktori shqiptar. Rusët, për arrogancë prej të madhi, janë më konkretë, duke thënë se fantazma e Shqipërisë së madhe është problemi, kurse grekët, më të ndrojtur flasin «për ruajtje të karakterit unitar të shtetit», që i bie se kërcënohet nga shqiptarët. Në këtë pozicionim grekët janë qartazi jashtë linjës së Bashkimit Evropian, që nuk ka folur kurrë për ndonjë kërcënim shqiptar, sa kohë që platforma nuk ka asgjë që kapërcen madje dhe kushtetutën e Maqedonisë. Po ajo që nuk pranon Greqia, si duket, është aktivizmi i Tiranës, i qeverisë së saj, i kryeministrit Rama, i cili ka arritur një lloj kompaktësimi të faktorit shqiptar në Maqedoni. Kah avancimi i statusit të tyre kushtetues.

E pikërisht në këtë rol të Tiranës nuk sheh asgjë problematike ambasadori Mallias. Ai, madje, kur flet për rol të Greqisë në Ballkan, kërkon që ajo të merret vesh me shqiptarët në bllok, pra të realizohet një marrëveshje midis dy kombeve, që të parashikojë shkëmbime të tipit: ju njohim Kosovën, por na jepni kufirin detar, etj., etj. Pavarësisht përmbajtjes së marrëveshjes që propozon Mallias, lloji i negocimit ngjan racional: faktori shqiptar të paraqitet në një tryezë rajonale, bashkë.  Imagjinoni, parë nga Greqia, ne (Shqipëria, Kosova, partitë shqiptare në Maqedoni) mund të rrimë bashkë në një tavolinë. E pse vallë, parë nga Shqipëria s’mund të rrimë bashkë?  Malliasi (prej vitit 1999 ka analiza si kjo) pranon në analizën e tij konseguente rritjen e peshës së faktorit shqiptar në Ballkan, ndaj ai propozon që duhet bërë marrëveshje me të. Politika zyrtare greke ngjan se jo, se nuk don ta pranojë këtë peshë.

Arsyet greke

Ka një arsye pse politika aktuale greke nuk e pranon këtë faktorizim shqiptar (dy shtete, Shqipëria, anëtare e NATO-s, afër BE-së, marrëdhënie aleance me Perëndimin) që e bën me realizëm Malliasi. Ai po ndodh kur politika e jashtme greke është defaktorizuar si pasojë e krizës ekonomike greke. Dhe mjerisht kjo përpjekje e druajtur për rifaktorizim, e kamufluar si mosndërhyrje, po shfaqet nëpërmjet një deklarate kundërvënëse ndaj shqiptarëve në Maqedoni, por dhe në rajon.

Ky rifaktorizim po ndodh në fakt dhe nëpërmjet një rishikimi rrënjësor të pozicionit grek ndaj faktorëve politikë maqedonas. Dhe këtu Malliasi është prapë realist-ai mbetet kundër Gruevskit. Deklarata zyrtare greke e pozicionon Greqinë pro mbrojtësve të karakterit unitar të shtetit, ku rreshtohet Gruevski, Ivanovi, njerëzit që e kanë bllokuar zgjidhjen e çështjes së emrit, hyrjen e Maqedonisë në NATO, etj., etj. Në këtë rreshtim, madje, politika zyrtare greke e formuluar dhe ekzekutuar nga të majtë, nuk është as e pozicionuar majtas kah Zaevi, që është socialdemokrat. Pse vallë?

I vetmi element që mund të shpjegojë pozicionimin e fundit grek është padurimi ndaj faktorizimit të shqiptarëve në një aleancë tjetër politike me LSDM-në dhe mbrojtja që i bën perëndimi atyre. Dhe këtu përsëri Malliasi nuk është dakord. Ndaj mjafton kritika e tij jo e drejtpërdrejtë për të shpjeguar pse Greqia nëpërmjet përpjekjes për rifaktorizim, krahas humbjes së terrenit në Shqipëri, në Serbi eventualisht apo në Mal të Zi, po humb shansin ta fitojë në Maqedoni. Sepse shqiptarët atje, po flasin me një zë, madje me ndihmën e Shqipërisë. Dhe të Perëndimit!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here