HYRJE Sport Maradona: Finalja e vitit ‘90 ishte e turpshme

Maradona: Finalja e vitit ‘90 ishte e turpshme

0
185

Gjermani-Argjentinë për Maradonën nuk mund të jetë një ndeshje normale. Në mendjen e Pibe de Oros qëndrojnë akoma dy momente: finalja e vitit 1986 në Meksikë (e fituar) dhe ajo e vitit 1990 në Itali. Në një intervistë dhënë dje të përditshmes “Nacion”, Diego është ndalur gjatë te sfida e zhvilluar në “Olimpiko” të Romës 20 vjet më parë. “Ishte një natë e veçantë, – rrëfen tekniku aktual i Argjentinës. – Ishte një mbrëmje që nuk e harroj kurrë. Nuk mund ta fal atë që e shkatërroi. Finalja ndaj Gjermanisë ishte një farsë. Që nga fillimi”, shton ai. Duket se 20 vjet më mbrapa, inati është i njëjtë me atë pas ndeshjes. “Nuk do t’i harroj kurrë fyerjet ndaj himnit tonë dhe mungesën totale të respektit ndaj kombit argjentinas gjatë ekzekutimit të himnit, që u mbulua nga fishkëllima të pafundme. Fotoja ime shfaqej në ekranin gjigand që ishte vendosur në stadium dhe atëherë thashë qartazi: “Bij ku…!”. E bëra kështu, qetësisht, në mënyrë që të gjithë ta kuptonin. Doja t’ia thosha në vesh çdo spektatori, isha gati të kapesha me duar me secilin prej tyre”, shton Maradona. Por, ai rrëfen edhe një moment tjetër, që shton akuzat ndaj asaj finaleje. “I kisha premtuar vajzës time Dalma se do të kthehesha në shtëpi me Kupën e Botës, por pas asaj finaleje m’u desh t’i shpjegoja diçka më të shëmtuar dhe të dhimbshme: që në futboll ekzistonte mafia”. Ajo mbrëmje e korrikut 1990 do të mbahet mend sidomos për lotët e Maradonës, për penalltinë e dyshimtë të dhënë nga arbitri si edhe për faktin se të gjithë italianët, bënë tifozllëk për Gjermaninë.
Pele
Ndërkohë, në prag të ndeshjes së të shtunës, nuk mund të mungonte një koment i Pelesë për Maradonën. “Nuk kam asnjë problem me të, thjesht mendoj se nuk është një trajner i mirë”, deklaroi braziliani. Pele ka konfirmuar mendimin e shprehur pak javë më parë për argjentinasin. “Diego ka një mënyrë të jetuari të pazakonte dhe kjo, rrallëherë është gjë e mirë për një skuadër. Nëse Argjentina luan mirë, merita është e yjeve që ka në skuadër dhe jo e Maradonës”, shtoi “O Rey”. Në lidhje me favoritet, Pele shprehet: “Brazili është i pari, por edhe Spanja e Gjermania mund ta vendosin në vështirësi. Edhe Argjentina? Jo, nuk besoj”.
Myler
Ndërkohë, prag të ndeshjes me Gjermaninë, një skenë tepër kurioze është treguar dje nga sulmuesi i Gjermanisë Tomas Myler. Ai kujtoi takimin e parë me Maradonën, në miqësoren e zhvilluar në muajin mars. “Sapo kishte përfunduar ndeshja dhe e takova Diegon në zonën e intervistave, – deklaroi Myler. – Ai nuk më njohu, më shkëmbeu me një mbledhës topash që kërkonte autograf. Por, nuk më trajtoi aspak keq”, u shpreh sulmuesi gjerman duke qeshur.

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here