Loja për kohën në portat e BE, por edhe brenda saj

0
181

Para pak ditësh, përkatësisht Komisioni (strukturë ekzekutive e përhershme) i rekomandoi Këshillit Europian (mbledhja periodike e kryeministrave të vendeve anëtare) çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë, me një kusht konkret – miratimin e ligjit të vetingut. Palët tona politike ndërkaq e kanë shndërruar në debat propagandistik çështjen se sa kushte i ka vendosur Shqipërisë Bashkimi Europian në procesin e anëtarësimit, dhe a duhen konsideruar prioritetet si kushte.

Opozita dhe qeveria në fakt, përtej lojës-kushte apo prioritete, po i mbajnë sytë te 12 dhjetori, kur do të mblidhet Këshilli Europian: si do kapitalizohet prej tyre vendimi i tij për Shqipërinë. Le të analizojmë arsyen e këtij debati dhe reflektimin e tij ndërkombëtar.

E vërteta është ajo që tha komisioneri Hahn ditën e propozimit të Komisionit për Këshillin në favor të Shqipërisë: vendi ynë ka një kusht: fillimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi me miratimin e ligjit të vetingut. Ai duhet të bëjë punë intensive për realizimin e disa prioriteteve-administrata publike, lufta kundër kriminalitetit, korrupsionit, etj., etj. Dhe vetë deputeti gjerman Kirshbaum, aq shumë i anatemuar këto ditë, nuk tha se Komisioni vendosi 7 kushte.

Ai thjesht tha se Grupi i tij Parlamentar do t’i konsideronte si kushte prioritetet e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit, dhe se Kancelarja nuk mund të vendoste pro Shqipërisë pa u plotësuar të gjitha ato. Të njëjtën gjë e konfirmoi dhe europarlamentari Flekenshtajn, i cili në fakt u tall me kolegun e vet Kirshbaum (deputet i specializuar për integrimin), ndërsa tha se ai është informuar keq! Flekenshtajn me të drejtë tha se Bundestagu nuk vendos në këtë moment për çeljen e negociatave, që të imponojë sjelljen e Kancelares gjermane gjatë mbledhjes së dhjetorit të Këshillit Europian.

Në këtë vijë, edhe Kancelarja Angela Merkel, që takoi zyrtarisht Ramën për herë të tretë, nuk përdori termin «kushte» në shumës, por «prioritete», duke shtuar dhe zgjedhjet, diçka normale në rrugën e një vendi drejt anëtarësimit në BE. Por çfarë përfaqëson kjo polemikë shqiptare, e cila po reflektohet pak, por vetëm pak ama, edhe si polemikë brenda parlamentarëve gjermanë (Kirshbaum, Flekenshtajn, Patcelt – që dje inkurajonte Merkelin në mbështetjen e Ramës)?

Dihet se Gjermania është vend i cili ka peshë në cilësinë e vendimit të Këshillit Europian, sepse mund të ndikojë dhe vende të tjera pro ose kundër Shqipërisë. A kanë fuqi palët politike në Shqipëri, që të përcaktojnë vendimin pro ose kundër që do të miratohet pas pak ditësh dhe aq më tepër, të ndikojnë Gjermaninë? Është për të dyshuar, por ama miratimi i ligjit të vetingut nuk do mund të cilësohej më shprehimisht si kusht për Shqipërinë, siç ndodhi me propozimin e Komisionit Europian. Por vetëm kaq.

Asgjë tjetër në planin shqiptar nuk do mund të përcaktonte brenda pak ditësh vendimin pro ose kundër të Këshillit, mbledhjes së përbashkët të krerëve të qeverive europiane. Ky Këshill kushtëzohet nga brenda vetes për disa faktorë.

Së pari, lajmi pro Shqipërisë që vjen nga Këshilli do të ishte lajm shumë më tingëllues në opinionet publike europiane, sesa ai që erdhi nga Komisioni. Kjo do t’i bëjë më të matur anëtarët e Këshillit të vendosin pro Shqipërisë.

Së dyti, sipas traditës së BE-së, afrimi i zgjedhjeve shqiptare, është pengesë që Këshilli-koka e organizatës, të angazhohet në veprime që mund të konsiderohen pro qeverisë, ose kundër saj.

Së treti, brenda Këshillit ka ende vende të zëshme si Holanda etj. (jo domosdoshmërisht Greqia, që mbase fërkon duart prapa tyre), që nuk duan ta japin këtë lajm tingëllues për votuesit e tyre. Opinionet publike të vendeve europiane nuk merren me hollësi të procesit të negociatave të 35 kapitujve që merr vite- Ata arsyetojnë thjesht: Shqipëria po bëhet anëtare? E kjo duhet penguar.

LOJA POLITIKE DHE INTERESI I SHQIPËRISË

Në një situatë si kjo, kancelaria shqiptare mund të bëjë pak për të përftuar një vendim pozitiv të Këshillit, por mund të lobojë për një vendim, i cili jep data të përafërta për çeljen e negociatave. E bindur se Këshilli do të flasë në terma përafërsisht pozitivë, si ato të Komisionit, por si dhe konsideratat e Merkelit, qeveria do të donte të kishte vendosjen e një afati të sigurt pas zgjedhjeve, diçka që në fakt është një kusht i ri, i lidhur me to.

Për këtë qëllim Rama, madje publikisht, ngriti zërin me një partiturë që dëgjohet mirë në Perëndim, dhe që mund të krijojë njëlloj ndjeshmërie në liderët e BE-së. Ai vendosi gishtin te faktorë të tretë, si islamizmi, apo Rusia, që do të donin ta largonin Ballkanin nga integrimi, ndaj Ballkani, përkatësisht Shqipëria, duhet afruar sa më shpejt. Në një skenar europian si ky, skenari i debatit ngushtësisht shqiptar është vetëm me vlera propagandistike.

Me sytë e një europiani që e di mirë si funksionon Unioni, sulmet që i bën Rama Bashës se po lobon kundër integrimit nuk kanë shumë kuptim. Një sulm i tillë, në fakt, ngjan si dobësi prej Ramës në sytë e publikut vendor: ai ngre pakëz vlerat Bashës, ndërsa është krejt e vetëkuptueshme, se kreu zyrtar i opozitës shqiptare nuk ka asnjë mundësi ndikimi. Rama nuk shqetësohet se ç’do të ndodhë deri më 12 dhjetor, kur të mblidhet Këshilli, por si do pikturohet Basha në sytë e publikut vendës në lidhje me integrimin, pikërisht në atë ditë.

Dhe në rast se ky vendim nuk do të jetë 100% pozitiv, Rama mendon se e ka të lehtë që brenda vendit ta vendosë gishtin mbi fajtorin-Basha që ka ngritur murin e manipulimit me narrativën e tij antiqeveri për kanabisin etj.! Nga ana tjetër, Basha ngjan se ka rënë brenda kësaj gracke. Ai propozon negociata për amendimin e ligjit të vetingut, kur ai po shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese -diçka jonormale për dikë që ka vetëdije juridike të fortë.

Një iniciativë si kjo, megjithëse ngjan pro dialogut, konfirmon shumë prej akuzave të qeverisë. Opozita e ndikoka vërtet Gjykatën Kushtetuese, Drejtësinë në përgjithësi, madje duke i servirur kësaj Gjykate versionet zyrtare të përkthimit të ligjit, që i shkojnë Komisionit të Venecias; se ligji i vetingut është kushti real i Bashkimit Europian dhe se miratimin e tij e ka në dorë vetëm opozita etj., etj.

Basha mund të fërkojë duart se e mundi kundërshtarin nëse Këshilli Europian nuk merr vendim pozitiv, por ama hëpërhë don t’ia lerë topin e dështimit vetëm qeverisë. Kjo lojë propagandistike ka vetëm ndikim lokal, dhe jo ndërkombëtar. Interesi kombëtar i Shqipërisë është që të çelen negociatat me BE; që ne të arrijmë Serbinë në procesin e integrimit, që të forcojmë pozitën ndërkombëtare, nëpërmjet modernizimit tonë të brendshëm.

Faktori kohë është pra shumë i rëndësishëm për ne më së pari. Për këtë modernizim, Komisioni e tha fjalën e vet pozitive, duke inkurajuar përparimin, por Këshilli është më i matur. Të gjithë luajnë me kohën, me zgjedhësit, jo vetëm shqiptarët. BE, aq më shumë duhet të luajë pas erërave të ftohta që mund të fryjnë për Bashkimin Europian pas referendumit italian.

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here