Home Politike Ligji per mbetjet. PD-LSI aleance

Ligji per mbetjet. PD-LSI aleance

1777
0

Partia Socialiste ka qëndrim zyrtar për t’u tërhequr nga ligji për mbetjet, të cilin e miratoi më shumë se një vit më parë në Parlament, por që ende nuk ka hyrë fuqi për shkak të kthimit të ligjit nga Presidenti.

Dekreti presidencial nuk ka akoma një përgjigje, por Eduard Shalsi, nismëtar për lejimin e importit të mbetjeve nuk dha ndonjë detaj kur shprehu dakordësinë për tërheqjen.

“Është marrë një vendim, së bashku me disa projektligje të tjera që të tërhiqen si propozime. Nga pikëpamja formale nuk jam në dijeni sesi do të realizohet kjo”, deklaroi kryetari i Komisonit të Veprimtarive Prodhuese, Eduard Shalsi.

Ky ishte rasti kur opozita, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ishin në një qëndrim të përbashkët se ka vetëm një rrugë që u mundëson socialistëve tërheqjen nga ligji i mbetjeve.

“Dekreti i Presidentit për të mos hyrë në fuqi ligji i mbetjeve duhet të bëhet i vlefshëm dhe e vetmja rrugë për ta bërë këtë është që ligji të bjerë dhe të rrëzohet me votim në Parlament”, deklaroi Florion Mima nga Partia Demokratike.

Petrit Vasili shkoi edhe me tej, kur i kujtoi kryetarit të Kuvendit rëndësinë e respektimit të procedurës parlamentare.

“Nuk ka asnjë mundësi Partia Socialiste që të tërheqë një ligj. Nuk është projektligj, është ligj. Nëse kryetari i Kuvendit do të pranonte një dhunim të tillë skandaloz të rregullores ky do të ishte fundi i Kuvendit”, deklaroi Petrit Vasili.

Prej një viti në Kuvend është e depozituar edhe një kërkesë e Partisë Demokratike për referendum, një zgjidhje që tani e pranon edhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

“Sillni të vlerësojmë kërkesën e opozitës për referendumin lidhur me këtë çështje tejet të ndjeshme”, u shpreh Florion Mima.

“Aty ku Parlamenti nuk është në gjendje që të japë zgjidhjen e duhur dhe bindëse për një çështje të caktuar, zgjidhja e logjikshme dhe e vetme është referendumi”, deklaroi Vasili.

Me njëlloj referendumi ishte dakord edhe Eduard Shalsi, por ai u tregua i kujdesshëm për të bërë dallimin mes mbetjeve dhe plehrave.

“Referendum për importin e plehrave në Shqipëri, i pari që do ta firmos do të jem unë”, tha Shalsi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here