Home Aktualitet Levizja ne zonen “Schengen”, pa vize por me formulare

Levizja ne zonen “Schengen”, pa vize por me formulare

1628
0

Pa vizë, por me formular! Në një intervistë për “Deutsche Welle”-n, Komisioneri i Çështjeve të Brendshme të BE-së, Dimitris Avramopoulos sqaroi se Sistemi Europian i Informacioneve të Udhëtimit dhe Autorizimit (ETIAS) nuk do të thotë rikthim i vizave.

Mesazhi i tij u drejtohet shtetasve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të interesuar në mënyrë të veçantë për masat e reja të hyrjes në zonën “Schengen”. Brukseli i konsideron “hapa historike” lëvizjen e lirë dhe liberalizimin e vizave për shtetet e rajonit, të cilat nuk kontestohen me masat e paralajmëruara për kontrolle shtesë.

“Ballkani Perëndimor është një rajon shumë i rëndësishëm dhe partner i afërt me Bashkimin Europian. Qëllimi ynë është që të ruajmë këtë afërsi dhe të gjitha masat kanë për synim lëvizjen më të lehtë dhe kontaktet më të shpejta mes shtetasve të vendeve të BE-së dhe atyre të rajonit”, tha Dimitris Avramopoulos, Komisioner i BE-së.

Avramopoulos shpjegon se sistemi i ri “ETIAS” është propozuar para një viti, si pasojë e ardhjes më masive të personave pa viza në BE. Qëllimi i këtyre masave është të forcohet Sistemi europian i Administrimit të Kufijve dhe Emigrimit, që është në të mirën e BE-së dhe vendeve të cilat nuk kanë nevojë për viza.

“ETIAS, – këmbëngul Avramopoulos, – nuk do të thotë rikthim i vizave, por është një mekanizëm që duhet ta përdorin të gjitha vendet, prej nga udhëtohet pa viza në hapësirën Schengen”, duke përfshirë edhe Kanadanë e Shtetet e Bashkuara.

Qytetarët që gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza, edhe më tej do të udhëtojnë në hapësirën “Schengen”, por do të kenë një leje, një dokument, para se të futen në këtë hapësirë. Ata duhet të plotësojnë formularin në internet, ku duhet të shënojnë të dhënat personale, kontaktet, vendin ku udhëtojnë, të dhënat për sëmundjet, të dhënat për ndjekjen penale, të tregojnë nëse janë refuzuar në ndonjë vend apo janë dëbuar.

Veprimet kryhen në internet, ndërsa përgjigjja duhet të kthehet më së largu pas 72 orësh. Komisioni Europian thotë se, për plotësimin e këtij formulari duhen vetëm 10 minuta kohë, ndërsa taksat paguhen në mënyrë elektronike.

Këshilli për të Drejtat e Qytetarëve në Parlamentin Europian (LIBE) vendosi që pagesa të jetë 10 euro, ndërsa kërkesa të vlejë 3 vite, por kjo mund të ndryshojë, sepse vendimi duhet miratuar në Parlamentin Europian.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here