Home Aktualitet Lek Plepi sjell ide për fushatën elektorale

Lek Plepi sjell ide për fushatën elektorale

908
0

Fama e papritur e Lek Plepit ka mbërritur deri tek Flamuri. Në fillim shqetësimet erdhën nga Shkodra, më pas nga Tirana dhe tani nga gjithë Shqipëria. Por, me gjithë pyetjet e shumta të Flamurit, ende nuk kuptohej pse ishte kaq i famshëm Leka. Të gjithë i thoshin shikoje në Facebook.

E hapi më në fund. Lek Plepi kishte kaluar 100 mijë fansa. Ndërkohë Doktori, Jozi dhe Flamuri të tre bënin dhjetë mijë fansa, sa një e dhjeta e Lek Plepit. Kjo ju duk e tmerrshme. Pyeti në Dukagjin për këtë gjë, por s’mori asnjë përgjigje. Në katund të Lek Plepit s’kishte internet, dhe Leka bënte dy orë rrugë me këmbë me shku në internet-kafe. Atëherë pyeti për bindjet politike të Lekës.

S’kishte asnjë përgjigje. Hapi Facebook-un e Lekës dhe e vetmja batutë politike ishte “Lek Plepi është një mbështetës i djathtë i PS dhe një luftëtar i majtë i PD-së”. Hajde ta kuptosh këtë, tha Flamuri me vete.

Atëherë vendosi të kopjojë teknologjinë e Lek Plepit për të bërë të famshëm Doktorin. U bë entuziast nga ideja. Shkoi të konsultohej me Jozin. Ja tha me një frymë idenë e tij.
– E kam studiuar këtë Lek Plepin si është ba i famshëm, tha. Është shumë e thjeshtë. Gjithë njerëzit shpikin gjëra dhe ia veshin Lek Plepit.

A e di si ia bënim në kohë të komunizmit kur thuhej ndonjë gjë kundër sistemit, thoshin e ka thënë një shkodran. Tani thonë e ka thënë Lek Plepi. Unë mendoj të njëjtën gjë të bëjmë dhe ne. Të mbledhim gjëra të mençura të thëna nga gjithë njerëzit dhe t’i shkruajmë në faqe të Doktorit.

– Ku, ku mar Flamur, ku të shkon menia në këto gjana. Po marrina gjen boll njerëz me thanë, po gjana ta mençme veç ai burrë mund të thotë.

– Po s’ka gjë, le të jetë dhe ndonjë marrinë, tha Flamuri. Rëndësi ka të bëhet popullor. P.sh., të marrim gjithë batutat e tij në mbledhje qeverie dhe t’i fusim në faqe. P.sh: Projekti i arroreve do të jetë më i madhi që nga koha e Skënderbeut. Ose: Pas Skënderbeut, udhëheqësi i dytë që ka mbjellë ullinj është Sali Berisha.

Ky do të jetë viti i shegës…
– Jo mor çfarë viti i Shegës se duket si me kenë viti i Shega Ligorit. Heke këtë shegë.
– Dakord, s’ka rëndësi, e heqim Shegën, kemi fidanë të tjerë, viti i gështenjës apo lajthisë.
– Mirë mar Flamur, mirë, po kam frikë se nuk bajm dot aq shumë batuta sa ka ba Lek Plepi.

– Po kemi dhe batuta të fushës politike që Lek Plepi s’i ka. P.sh., shkruajmë ç’a ka thënë ai burri për Nanon, Metën, Ramën…

– Jo mar Flamur se nuk esht ma njeri me to, se me i dëgju ç’a ka thanë e çfarë thotë, të kap të qarit.

– Po mirë ja p.sh., të fusim disa fjali për zhvillimin e Shqipërisë… dhe fusim komente nga Lek Plepi dhe të tjerë. P.sh: Pse Berisha thotë që jemi vendi me rritje ekonomike më të madhe në botë? …Përgjigjet Lek Plepi: Se çdo njeri e vlerëson botën me sytë që vlerëson mirëqenien e Familjes.

Fatmir Mehdiu: Atdheu fillon tek Familja. Ose: Pse Berisha thotë që Tuneli i Kalimashit është më i madhi në Ballkan?…Përgjigjet Lek Plepi: Se Berisha mbyll sytë sa më shumë i afrohet Tropojës kur shkon në veri. Përgjigjet Lul Basha: Se Berisha mbyll sytë duke numëruar me mendje paratë që ka fitu nga tuneli…

– Po ti don me e nderu apo me e turpnu atë burrë, mar Flamur?
– Jo, dua ta bëj popullor si Lek Plepi. Shiko, po na prish shumë punë ai djalë. Duhet me e konkurru.

P.sh., Shqipëria do të ndërtojë stadiumin më të madh në botë, Shqipëria do të jetë superfuqi energjetike, Shqipëria do të kalojë ylberin dhe do të bëhet burrë d.m.th., do të quhet Shqiptari… Berisha është pro deklarimit të kombësisë se nuk ka frikë nga tradhtarët e kombit, dhe përgjigjet Lek Plepi: Tradhtarët, por si miu, i dënon Kreshnik Spahiu!

– Krejt kot po më duken këto Flamur. Na s’mund të bajmë eksperimente me atë burrë në prag të fushatës. Unë them ma mirë t’i botojmë gjithë fjalimet e tij në politikë me ia dhënë popullit me lexu se sa me ba lojna si këto që thu ti me Lek Plepin.
– Unë them mos t’i lexojë populli të gjitha ç’ka thënë se po arriti t’i lexojë, natyrisht që ia kalon Lek Plepit.

– Veç ashtu mund ta bëhet Flamur. S’kena rrugë tjetër. Pastaj ke me pa ti që këta Lek Plepat janë kot. Kjo parti ka kenë parti e Leka Meksit, u bë e Leka Frangajt, e Leka Arvizut, s’mundet me përfundu e Lek Plepit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here