Home Kulture Lamtumire Gent Demaliaj. Ja kush ishte pengu i tij

Lamtumire Gent Demaliaj. Ja kush ishte pengu i tij

1315
0

gent-demaliajNë tingujt e këngëve të tij më të bukura është përcjellë dje për në banesën e fundit, këngëtari i njohur, vokalisti i grupit të rrokut “Djemtë e detit”. Gent Demaliaj u nda nga jeta pardje në moshën 40-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë nga e cila vuante prej ditësh. Në homazhet e mbajtura në hollin e Radio Televizionit Publik Shqiptar, morën pjesë të afërm, familjarë, miq dhe adhurues të muzikës së tij. Demaliaj ishte i martuar dhe kishte një vajzë, e cila ka ndjekur rrugën e tij në art.

Pengu

Kushëriri i tij, Tedi Ngjela, rrëfeu para mediave kujtimet me të. “Me Gentin vetëm momente të veçanta kam pasur, çdo pjesë të bukur të jetës sime e kam kaluar me të. Më ka frymëzuar shumë në çdo çast. Jam shumë i prekur. E di se do të na mungojë shumë, për çdo gjë që më ka dhënë mua, njerëzve të familjes sime dhe njerëzve në përgjithësi”. Ngjela vuri në dukje dhe karakterin, sipas tij të jashtëzakonshëm të Demaliajt. “Një djalë që nuk përsëritet më. Ishte i pakomprometueshëm, asnjëherë nuk donte të dilte nga stili i tij dhe nuk luajti me artin. Vijoi të ishte ashtu si në fillim edhe në fund”.

Veçse në të ikur, këngëtari ka lënë një peng dhe një amanet. Si njeriu që ka qenë afër tij edhe muajt e fundit, atë e rrëfen Tedi Ngjela: “I vetmi peng ishte kënga e fundit, që kishte për babain e tij. E bëri por nuk arriti dot ta këndonte. Ka lënë amanet për dikë që duhet ta këndojë, por nuk mund të them më shumë tani”.

Sa i takon së bijës, Ngjela u shpreh se ka qenë Demaliaj ai që donte që Dea të vazhdonte me muzikën. “Dea është realisht shumë e talentuar. Besoj se do ecë në hapat e të atit”, – përfundoi ai. Vlerësimet për këngëtarin nuk munguan as nga aktori i njohur Timo Flloko. “Iku një artist, djalë me shpirt të madh, me personalitet të jashtëzakonshëm, një qytetar, një at, një mik, një shok. E ndjej dhimbjen sepse, veç faktit që jam njohur në rrethana të caktuara, ka qenë student i Akademisë së Arteve, kam bashkëpunuar me të, me disa poezi të këngëve të tij të mrekullueshme”. Sipas Fllokos, Demaliaj ishte një djalë me personalitet unikal dhe përfaqësues i një brezi frymëzues për rininë shqiptare. “Ikja është dhimbje e madhe për fatin fatal të realitetit. Zoti jo gjithmonë tregohet shpirtmadh me ata që duhet të jetojnë më gjatë. I paharruar qoftë kujtimi i tij!” u shpreh Flloko.

Në homazhe ishte edhe Eugent Bushpepaj, i cili pranoi që është përpjekur t’i ngjajë këngëtarit Demaliaj. “E kisha mik. Akoma nuk më besohet që iku. Ishte njeriu i humorit, i së qeshurës. E kisha idhull dhe jam përpjekur t’i ngjaj. Ai ishte shumë i thjeshtë si natyrë.”

Rinia dhe fillesat në muzikë

Sa u takon fillesave në muzikë dhe rinisë së tij, për Demaliajn foli miku i tij Flamur Toska, kitarist.

“Për mua, ka qenë një mik e një shok. Jemi rritur bashkë. Ishte i mrekullueshëm me zërin dhe shakatë e tij. Dikur ishim rebelë dhe ishte muzika që na mblidhte. Genti nuk ishte artist i kompromiseve, jo me këngën. Kur mungonim në prova, ai na nxiste të mos i linim pas dore, sepse Genti nuk bënte asnjëherë kompromis me artin.”

Toska kujtoi edhe çastet kur ata bashkëpunonin në rininë e hershme, ikjen me një anije në Itali dhe rikthimin nga emigrimi. “Ishte pasioni ai që na bëri të suksesshëm dhe kishte miqësi mes nesh. Ne punonim te Pallati i Kulturës me një piano të vjetër. Atje këndonim, luanim edhe me top, Pallati i Kulturës ishte koteci ynë. Hanim e pinim aty. Nga ai ambient kanë dalë krijimet tona të para, siç ishte kënga ‘Mos qaj’. Pastaj erdhi koha e eksodeve. Na thanë që të gjithë po iknin drejt Italisë. Iu drejtuam edhe ne Shëngjinit dhe ikëm me anije. Ndenjëm ca kohë atje dhe u kthyem sepse nuk rrinim dot. U mblodhëm dhe filluam të këndonim sërish.”

Me gjithë ikjen e liderit, Demaliaj dhe grupi i tij do mbeten ‘gjallë’ në mendjen e fansave të tyre. Me muzikën e krijuar ata bënë për vete një pjesë të madhe të publikut. Këngët e tyre, janë ende sot, ndër më të pëlqyerat dhe më të kënduarat.

Demaliaj ka qenë një ndër zërat e parë të rrokut në Shqipëri, që sapo kishte marrë formë në vitet ’90. “Jakup Ferri”, “Ëndrrat që për ty i thura”, “Jo tani”, “Epos”, “Mos Qaj”, janë vetëm disa prej hiteve të grupit “Djemtë e Detit”. Po ashtu, grupi ka publikuar edhe dy albume: në vitin 1997 “Izolimi Vdes” dhe albumi i dytë “Epos” në mars 2009. “Djemtë e Detit” ishte grupi më origjinal i rrokut në Shqipëri. Genti ishte vetëm 17 vjeç kur u krijua grupi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here