Home Mustafa Nano Kush janë ‘ne’ dhe kush janë ‘ata’?

Kush janë ‘ne’ dhe kush janë ‘ata’?

706
0

mustafa-nano1Në shkrimin e tij të publikuar në ‘Dita’, Besnik Sinani tregon se nuk i ka pëlqyer fakti që disa, mes të cilëve dhe unë, kanë bërë ndarjen e shqiptarëve në ‘myslimanë’ dhe ‘ne’. I referohet artikullit tim me titull “Duhet bërë kujdes me ca gjëra që janë të panegociueshme”, dhe nga shkrimi ka veçuar pasazhin: “[Myslimanët] duhet të na japin prova se e dinë mirë që ky komb është dhe i të tjerëve, të krishterë, laikë a ateistë qofshin, duhet të na japin prova se këtë vend e këtë komb e duan po aq sa ne të tjerët, duhet të na japin prova se interesi kombëtar është një gjë që nuk mund të negociohet, dhe po njësoj të panegociueshme duhet të jenë, në radhë të parë prej nevojës për të mbajtur në drejtëpeshim e harmoni këtë shoqëri me strukturë shumëfetare, shteti laik, shteti ligjor, demokracia liberale”.

Nuk ka qenë fare qëllimi im të flas për ‘ne’ dhe ‘ata’. Madje, as që e kisha menduar se do kish lexues që do nxirrnin prej shkrimit në fjalë pikërisht këtë mesazh. Aposteriori më duhet të them se i kuptoj këta lexues, pasi në të vërtetë ekziston një nëntekst i tillë, mirëpo nuk është nënteksti im. Është nënteksti (në mos, teksti) i vetë situatës së krijuar, apo i ngjarjeve që kanë ndodhur këtejpari. E prandaj, Sinani e të tjerë do bënin mirë të merreshin me këto situata e këto ngjarje. Ata nuk duhet të merren me ‘ne’ që kritikojmë ‘ata’, por duhet të merren me ‘të tyret’, të cilët kanë krijuar një distancë jo vetëm me ‘ne’, por edhe me ‘ata’ (Sinanin e Co).

Dhe është për të ardhur keq që mezi e thonë një mendim e mezi e mbajnë një qëndrim për ‘të tyret’, për ata që shtetin ligjor duan ta zëvendësojnë me sheriatin, që kombin duan ta zëvendësojnë me kalifatin, që shtetin laik duan të zëvendësojnë me shtetin fetar, që në vend të demokracisë kërkojnë teokracinë, që në vend të mobilizimit civik (apo edhe xhihadit të kuptuar si vetpërsosje morale e shpirtërore) këtu brenda parapëlqejnë xhihadin në dhé të huaj, që në vend të tolerancës predikojnë urrejtjen, e që respektin për të drejtat e njeriut (edhe për të drejtat e tyre) duan ta zëvendësojnë me luftën ndaj qafirëve, etj, etj.

Në shkrimin tim pra unë nuk flisja për Sinanin e për njerëz si ai, me të cilët, si unë që nuk jam besimtar, si të tjerë që janë besimtarë të feve të ndryshme, s’e kanë hiç të zorshme (supozoj) të merren vesh e të ndajnë gjëra, vlera, interesa, aspirata. Në shkrimin tim unë flisja për të tjerë, të cilët janë shqetësim – me aq sa kuptohet – edhe për Sinanin. Ky i fundit nuk ka pse të ndahet nga unë, duke më futur me pahir tek ‘ne; dhe veten po me pahir tek ‘ata’. E kështu, tehun e kritikës duhet ta drejtojë gjetkë. Kuptohet, nëse do që t’u shkojë gjërave në themel.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here