Home Mustafa Nano Kur do të marrë fund loja e ndyrë me administratën?

Kur do të marrë fund loja e ndyrë me administratën?

713
0

muc-nanoiNdërrimi i administratës është bërë tanimë një ritual që shoqëron e pason ndërrimin e maxhorancave në pushtet. Dhe po e them qysh në fillim atë që mendoj: kjo është çmenduria më e madhe që ndodh këtyre anëve gjatë 23 viteve të fundit. Është një praktikë që nuk justifikohet as nga pretendimet më minimale për një shtet funksional e eficient, në të cilin nuk mund të kuptohet që administrimi i gjësë publike, i taksave, apo i shërbimeve publike që mbahen më këmbë me paratë e të gjithëve, t’u lihet në dorë ekskluzivisht atyre që kanë fituar në zgjedhje asgjë më shumë se sa një mandat qeverisës katërvjeçar, që afërmendsh nënkupton veç përgjegjësinë për të drejtuar vendin, dhe jo të drejtën apo kompetencën për të grabitur të gjitha postet e vendet e punës në administratë. Çdo pushtet i radhës e ka ushtruar këtë “kompetencë” në të gjitha nivelet, dhe kjo praktikë 23 vjeçare ka bërë që ne ta ulim stekën e shqetësimeve, e për rrjedhojë të biem dakord pa një pa dy me faktin që turlisoj drejtorësh të administratës të caktohen nga maxhoranca mbi kritere pastërtisht politike.

Ca e ca janë fokusuar këto ditë tek lajmi që një numri djemsh e vajzash të reja, pa përvojë, u janë besuar përgjegjësira të rëndësishme (ky është paragjykim), dhe nuk kemi thënë asgjë që këto përgjegjësi u panë si poste politike, me fjalë të tjera si poste që kryeministri na i paska në dorë dhe na i shpërndaka si karamele të tijat. Ai pra, tok me ministrat e linjës, na paskan në dorë që të emërojnë cilin të duan drejtor të Tob-it, të Teatrit Kombëtar, të Galerisë së Arteve, të Tatimeve, të Doganave, të Albpetrolit, të Qëndrës Spitalore Universitare, të qytetit ‘Studenti’, të CEZ-it, të ANTA-s, të policive distriktuale, të Televizionit Publik, të ATSH-së, etj, etj, etj. Përsëris, kjo është çmenduri ta mendosh, por ja që në Shqipëri është tamam kështu. Kryeministri dhe ministrat kanë dorë të lirë në emërime, ashtu siç kanë dorë të lirë në shpërndarjen e investimeve publike dhe në caktimin e kompanive të biznesit që do duhet t’i kryejnë këto investime. Ky po që është pushtet. Edhe vetë Zoti atje sipër do ta kishte zili këtë fuqi të këtyre “Zotërve” këtu poshtë.

Çmenduria nuk ndalet këtu, megjithatë. Kjo është thjesht një çmenduri që ne e kemi pranuar pa bëzajtur, e për pasojë e kemi bërë ritual të lojës demokratike, por çmenduria e madhe është tjetra, është lëvizja tektonike në nivelet e poshtme të administratës. Nuk është se kundër kësaj batërdie kemi ngritur zërin kushedi se çfarë, por të paktën kemi dhënë shenja se e kuptojmë se është një gjë anormale. Është fjala pra për stafetën më surreale që ndodh në administratë në momentin që ndërrohen kuajt në krye të karrocës së qeverisjes: dhjetra mijra vetë ikin, dhjetra mijra të tjerë vinë. Dhe shteti ynë, institucionet, paratë e shërbimet publike, janë në dorë të aradheve të tilla bashibozuke. Dhe ne rrijmë e bëjmë sehir. Në mos, bëhemi pjesë e lojës, duke bërë çmos t’u afrohemi e qurravitemi këtyre “Zotërve” që na paskan marrë në dorë gjithçka.

Por loja nuk ka filluar këto ditë. Është lojë e vjetër, e ndyrë gjithë kohën, por edhe me ndonjë ndërhyrje më të ndyrë se sa ndyrësia e shndërruar në normë, tanimë. Disa muaj para zgjedhjeve, qysh nga momenti që LSI-ja e braktisi koalicionin me PD-në, kjo e fundit filloi një fushatë largimesh nga puna në administratë të të gjithë atyre që ishin mbështetës të LSI-së e që bash për këtë meritë ishin punësuar. Ishte një fushatë spastrimesh e bërë ditën me diell, pa asnjë merak se po u dilte zullumi sheshit. Madje, në një masë të caktuar ishin vetë militantët e LSI-së që jepnin dorëheqjen, dhe nuk u mor vesh nëse kjo dorëheqje e tyre ishte një porosi që u jepej nga boss-i i tyre, Ilir Meta, në respekt të një pakti që ky i fundit kish lidhur me kryeministrin katër vjet më parë, apo ishin skrupujt dhe vetëdija individuale që i bënin t’i thoshin vetes: “duhet të largohemi tani; jemi rekrutuar si mbështetës të LSI-së në një koalicion qeverisës, dhe tani që LSI-ja nuk është më në atë koalicion, duhet të largohemi nga kjo administratë”. Kam pasur rast të bisedoj me disa lsi-stë ato kohë, dhe këta të fundit nuk manifestonin ndonjë sjellje zemërake apo idhnake. Përkundrazi, ishin të qetë; ngaqë ishin, me sa duket, të bindur se po merrnin atë që u takonte.

Dhe esencialisht, të kuptohemi, nuk është se ndodhi ndonjë hatá. Thjesht u ndërruan ca militantë me ca militantë. Hataja kish ndodhur qysh në krye të herës, qysh kur ishte lidhur pakti mes PD-së e LSI-së, një nga pikat e pashkruara të të cilit bënte ndarjen e sektorializimin partiak të të gjithë administratës dhe u njihte të gjitha partive të koalicionit, sidomos PD-së e LSI-së, të drejtën të shpërblenin militantët e tyre me vende pune në sektorin publik. Kjo ka ndodhur pra, ka ndodhur ditën me diell, dhe vetëm idiotët e ligavecët “nuk dinë gjë”.

Nëse kemi parasysh sa më sipër, dhe me siguri që e kemi, demokratët nuk mund të mos na sillen si qesharakë, madje të bezdisshëm e të neveritshëm, në betejën që po bëjnë në respekt të një farë statusi ligjor që na qënka nënshkruar nga palët e që na marrka në mbrojtje administratën publike, pikërisht këtë administratë që vetëm në dy a tri muaj u zbraz nga mijra LSI-stë e u mbush me mijra PD-istë. Beteja e demokratëve merret vesh se nuk bëhet në mbrojtje të ligjit mbi statusin e nëpunësit civil. Ajo bëhet në mbrojtje të të vetëve në administratë. Madje, asëll-asëll kjo betejë është absolutisht e pasinqertë. Demokratët i dinë rregullat e lojës, e dinë pra se do t’u bëjnë atë që ata u kanë bërë të tjerëve, e prandaj çdo fjalë e thënë është veç për të larë gojën e për t’u hedhur hí syve fatkeqëve të hequr nga puna, dhe kjo gjë duket tek tonet e tyre gati mirëkuptuese mbi këtë argument përballë eurokratëve të ardhur nga Brukseli. Thellë-thellë pra, PD-ja jo vetëm që e priste këtë që po ndodh si pjesë të lojës, por edhe gëzohet nga këto shkarkime masive, ngaqë të gjithë të larguarit nga administrata i sheh si mish për top (si mitingashë, apo ku di unë si çfarë tjetër) në luftën opozitare.

Shpresa ish që maxhoranca e re të ish e kujdesshme në këtë drejtim. Pritej, dhe duhej në fakt, që të largoheshin me mijra demokratë nga administrata, por shpresohej që nëpunësit e rinj të dilnin, jo nga ushtria e militantëve të majtë, por nga konkurset, ku do të merrnin pjesë tok me të tjerë – pse jo? – edhe militantët e majtë në pritje të një vendi pune, edhe militantët e djathtë të saposhkarkuar nga puna. Por nuk ndodhi kështu. Shihini policët në rrugë. Janë pothuaj të gjithë fytyra të reja. Dhe kuptohet që janë militantë të majtë që janë punësuar në polici veç në sajë të kredencialeve të tyre politike. Ndonjë syresh mund të kish dalë fitues edhe nga ndonjë konkurs, por konkurse nuk ka patur. Dhe siç ka ndodhur me policët e thjeshtë, ka ndodhur edhe në sektorë të tjerë.

Tani thuhet se do të fillojë një fazë e dytë rekrutimesh, dhe në këtë fazë do ketë konkurse. Thuhet se Rama e ka bërë mendjen top lidhur me këtë gjë. “U bë, ç’u bë, tani e tutje do të ketë konkurse”, citohet të ketë thënë kryeministri në një takim me anëtarët e grupit parlamentar socialist. Duhet besuar? Personalisht, nuk e besoj. Por edhe nëse ndodh, kjo do të ndodhë nën presionin ndërkombëtar, e jo prej ndonjë frymëzimi apo motivimi individual të Ramës. E kur mungojnë shtysat e brendshme, kur një gjë pra bëhet me pahir, apo sa për sy të botës, ekziston rreziku që të vazhdohet me avazin e vjetër të veshur me ojna të një avazi të ri. Shkurt, janë gjasat që konkurset të jenë false, me rezultate të trukuara. E pastaj, edhe sikur të besonim se Rama e ka 100% seriozisht këtë punë, ai nuk do dinte, e nuk do mundej, t’i bënte bisht e ballë presionit të deputetëve, të cilët gjatë fushatës u kanë dhënë njerëzve të tyre premtime pa fund për vende pune; ndryshe, nuk do mund t’i motivonin si agjentë elektoralë.

Siç shihet, lidhur me administratën publike është krijuar një qark vicioz, dhe nëse vijohet me mendësitë e sotme, nga ky qark vicioz ka gjasa të mos dilet kurrë. Ka veç një mënyrë për të dalë. Duhet një udhëheqës politik që, me të fituar zgjedhjet, të dalë e të demonstrojë se është i interesuar mbi të gjitha jo të fitojë zgjedhjet e ardhshme, por të bëjë reformimin e shtetit e të shoqërisë, dhe në këtë kuptim, të jetë i gatshëm ta humbë pushtetin në rastin më të parë në emër të projektit e pasionit për ta ndryshuar këtë vend. Zgjidhje tjetër nuk ka.

Marrë nga Dita

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here