Home Aktualitet Kukan: Zgjedhjet ishin një hap përpara…por i vogël!

Kukan: Zgjedhjet ishin një hap përpara…por i vogël!

1314
0

Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, ka dhënë një intervistë  DW. Eduard Kukan mendon se zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit janë, siç thotë ai, një hap i vogël përpara.

 “Unë e bëj krahasimin me zgjedhjet e kaluara, të cilat i kam ndjekur po ashtu nga afër dhe mund te them se këto të fundit janë më të mira”, thotë për DW kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për marrëdhëniet me Shqipërinë. Ai nënvizon gjithashtu se, klima e qetë politike duhet të jetë një standard i pandryshuar në proceset zgjedhore.

“Këtë herë situata ka qenë më e qete, kjo edhe falë marrëveshjes pozitë-opozitë që u arrit pak javë para zhvillimit të zgjedhjeve. E përsëris, Shqipëria ka nevojë për një klimë të qetë në përballimin e zgjedhjeve. Kjo krijon besim dhe siguri tek njerëzit”, vijon Kukan.

Intervista e plotë

DW: Ju jeni një vizitor i hershëm në Tiranë në ngjarje të rëndësishme. Konkretisht ky proces zgjedhor për mendimin tuaj ishte vendnumëro, ishte hap para apo hap pas?

Eduard Kukan: Shikoni, unë vij me shumë kënaqësi dhe përkushtim në Shqipëri, sidomos kur është fjala për ngjarje të tilla. Këtu kam shumë miq, jo vetëm politikanë dhe zyrtarë por dhe njerëz të thjeshtë. Për t’ju përgjigjur pyetjes direkt: unë mendoj se këto zgjedhje janë pak hap përpara. Unë e bëj krahasimin me zgjedhjet e kaluara, të cilat i kam ndjekur po nga afër. Po, janë më mirë se ato të kaluarat. Kini parasysh që ky është një perceptim, një ndjenjë e imja, për atë që ka ndodhur deri më tani. Për ato që ne dimë deri në këtë moment, kur njerëzit kanë votuar dhe po ndodh numërimi. Ekipi i monitoruesve ndërkombëtarë do të marrë në konsideratë çdo aspekt që lidhet me numërimin, evidentimin e rezultateve dhe shpalljen e tyre nga komisionet zonale dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

DW: Ju keni pasur kontakte me përfaqësues të subjekteve politike, çfarë impresionesh ju kanë shprehur?

Eduard Kukan: Kjo është një garë, ku ka fitues dhe të humbur, kështu që kuptohet, se një pjesë prej tyre kanë qenë të gëzuar me atë që po ndodh, janë të kënaqur me shifrat. Të tjerët janë përballë treguesve që nuk i kanë pritur. Por aktiviteti politik kështu e ka. Ajo që dua të theksoj është se fitues e humbës duhet të bëjnë gjithçka që të mbahet një klimë e qetë, ku atyre që janë duke punuar në komisione t’u krijohet mundësia që të bëjnë sa më mire dhe sa më shpejt detyrën. Klima e qetë politike duhet të jetë një standard i pandryshuar në proceset zgjedhore. Këtë herë situata ka qenë më e qetë, kjo falë dhe marrëveshjes pozitë – opozitë që u arrit pak javë para zhvillimit të zgjedhjeve. E përsëris, Shqipëria ka nevojë për një klimë të qetë në përballimin e zgjedhjeve. Kjo krijon besim dhe siguri tek njerëzit.

DW: Çfarë prisni ju pas finalizimit të procesit zgjedhor?

Eduard Kukan: Krijimin e institucioneve të reja bazuar nga rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Fituesit të fillojnë menjëherë të realizojnë ato që kanë premtuar, duke treguar se kanë qenë seriozë në programet që kanë treguar gjatë fushatës. Nisur nga realiteti shqiptar, unë pres që të mos kemi më bojkot të institucioneve nga opozita. Pakica është një vlerë për demokracinë, ajo gjithmonë ka detyrat e saj në dobi të shoqërisë. Ajo që pres unë nga Shqipëria pas këtij procesi zgjedhor është normaliteti në punën e institucioneve, vijimi i reformave të rëndësishme. Forcat politike duhet të bashkëpunojnë për to. Siç duhet të bashkëpunojnë dhe për propozimet për ndryshim që do të paraqesë në raportin final misioni i monitoruesve ndërkombëtarë. Përmirësimi i mëtejshëm i proceseve zgjedhore ndihmon Shqipërinë në hapa të sigurtë drejt integrimit europian. Parlamenti Europian ashtu si deri më tani mbetet një mbështetës i fuqishëm për Shqipërinë në rrugën integruese.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here