HYRJE Shendetesi “Kujtoi frikën për të shpëtuar femrat para aborteve kriminale”

“Kujtoi frikën për të shpëtuar femrat para aborteve kriminale”

0
166

Gjinekologia Marjeta Boraj me eksperiencë 25 vjeçare rrëfen metodat rrethanore që përdoreshin për abortet. Nuk njiheshin metodat e planifikimit familjar

Kujton momentet e vështira kur para syve të bluzave të bardha femrat që realizonin të ashtuquajturat aborte kriminale humbnin jetën. Madje edhe koleg të saj kanë përfunduar në burg nëse ofronin ndihmë për femrat që kërkonin të abortonin.

Kështu ndodhte në vendin tonë para viteve 1990 ndërsa sot këto kufizime pothuajse nuk ekzistojnë dhe femrat kanë shumë mundësi për ti shmangur shtatzanitë e paplanifikuara pa arritur te aborti.

Gjinekologia pranë maternitetit të Vlorës me eksperiencë prej 25 vitesh, Marjeta Boraj tregon në intervistën për “Shekullin” kushtet me të cilat punonin para viteve ’90 dhe kushtet me të cilat punojnë sot.

Sa vite punë keni si gjinekologe?

Punoj prej 25 vitesh në fushën e gjinekologjisë. Me këtë eksperiencë pune kam punuar në dy sistemet edhe para viteve ’90 edhe sot. Me ndryshimet që ndodhen në vendin tonë u shoqërua edhe më ndryshimet në shëndetësi

Futja e planifikimit familjar si metodë për të parandaluar shtatzanitë e padëshiruara nëpërmjet përdorimit të kontraceptivëve dhe për tu krijuar çifteve mundësi të bëjnë fëmijë në kohën kur duan dhe me intervalet që ata duan në përputhje me kushtet ekonomike dhe sociale të tyre.

Mund të thoni si bëheshin metodat e planifikimit familjar para viteve ’90 duke ditur se metodat moderne kontraceptive nuk ekzistonin?

Metodat e planifikimit familjar kanë hyrë në Shqipëri pas viteve ’90. Para kësaj periudhe në Shqipëri nuk funksiononin metoda të planifikimit familjar as metoda kontraceptive për shkak të politikave pro nataliste që ishin në atë kohë.

Në kujtesën time ruhen mënyrat kriminale që përdornin gratë për të bërë një abort i cili ishte edhe ai abort kriminal. Ky abort që kryhet me mjete rrethanore ka shkaktuar gjendje shumë të rënda për shëndetin e gruas dhe për psikologjinë e tyre.

Nga këto aborte që ne i quajmë të provokuara mund të them se rreth 50 për qind e këtyre grave kanë përfunduar edhe në vdekje.

Cilat ishin mënyrat që përdoreshin për të abortuar?

Ishin nga më të tmerrshmet sa është më mirë të mos i kujtoj. Ishin tamam metoda rrethanore dhe kriminale. Aborte me tela, metoda me shtiza apo edhe substanca të ndryshme që fusnin femrat në organizmin e tyre për të dështuar fëmijët që ishin krijuar pa planifikim.

Mund të them se këto metoda sollën për to sëmundje shumë të rënda, gjendje shumë të rënda dhe në këto kushte paraqitja e këtyre grave në maternitete ishte shumë e rëndë edhe në përdorimin e antibiotikëve që përdoreshin atëherë dhe në kushtet reanimatore të asaj kohe shumica e grave kanë përfunduar në vdekje.

Doktoreshë kolegët tuaj pohojnë se para viteve ’90 ndodheshin të kërcënuar ndaj ndëshkimeve nga shteti nëse kryenin aborte apo edhe nëse ndihmonin femrat që paraqiteshin rëndë për ndihme mjekësore. Madje disa nga kolegët tuaj kanë përfunduar edhe në burg për këtë shkak.

Ju jeni ndjerë ndonjëherë e rrezikuar?

Absolutisht ishim në pozita të vështira unë dhe gjithë kolegët e mi. Aborti kryhej në mënyra ilegale në atë kohë dhe si i tillë ua thash se ishte një veprim kundra ligjit. Ishim përball misionit tonë për të ofruar ndihmë si mjeke dhe kufizimeve që na bënte në mënyrë të rreptë ligji.

Ndërsa sot aborti është një procedurë kirurgjikale që është i legalizuar dhe kryhet në përputhje me rregullat që ka nxjerrë Ministria e Shëndetësisë. Kjo do të thotë se sot e ligjin që është për abortin lejohet që të kryhet deri në 12 javë me dëshirën e çiftit.

Ndodh të ketë kërkesa nga femrat sot për aborte edhe nëse janë më shumë se 12 javëshe shtatzënë?
Po ka kërkesa të tilla por kjo është në kundërshtim me ligjin ndaj nuk ofrohet ky shërbim në maternitetet publike.
Duke u mbështetur në eksperiencën shumë vjeçare si i shikoni abortet janë në rritje apo numri i tyre ka ardhur në ulje?

Numri i aborteve ka ardhur duke u ulur për shumë arsye. Kjo së pari lidhet me futjen e metodave kontraceptive dhe të planifikimit familjar ka bërë që abortet të ulen. Ka ndikuar edhe fakti se një pjesë e madhe e moshave të reja janë larguar nga vendi dhe kjo ka ndikuar.

Faktor të tjerë janë edhe social pasi femra sot nuk është një njeri që duhet ti shërbejë familjes vetëm në kushte e shtëpisë. Ajo është në një pozicion që merr pjesë aktive në forcimin e ekonomisë së shtëpisë në punë, në shoqëri dhe në karrierë duke sjellë emancipimin e femrës. Tashmë femrat janë ndërgjegjësuar dhe nuk janë më si më parë që bënin vetëm punë e rëndomta që ka brenda familjes por është pjesëtare aktive në shoqëri.

A mendoni se në vendin tonë ka përsëri punë për tu bërë në lidhje me informacionin që dhe të marrin femrat për planifikimin familjar për të shmangur abortin?

Unë kam vite që punoj në fushën e planifikimit familjar dhe kam bashkëpunuar edhe me Qendrën Shqiptare për Popullsi dhe Zhvillim.

Kjo punë është bërë nëpërmjet trinimeve, seminare apo edhe bisedave në media në mënyrë që të përcjellim edukimin dhe komunikimin me femra të niveleve të ndryshme shoqërore.

Mund të them se nga zonat rurale vijnë ferma që nuk kanë informacionin e duhur por qendrat e planifikimit familjar apo edhe poliklinikat dhe maternitet janë munduar që të mbështesin sa më shumë këto gra për informimin e tyre për ti njohur mirë dhe për ti përdorur metodat kontraceptive.

Abortet duhet të evitohen, rrezikojnë shëndetin

Aborti është i rrezikshëm për shëndetin e femrës dhe mund të sjellë shumë pasoja ndaj duhet që të evitohet. Kështu u shpreh gjinekologia, Marjata Boraj e cila theksoi se për informimin e metodave të planifikimit familjar duhet të që përveç qendrave që janë të disponueshme në fushën e shëndetin riprodhues duhet që edhe organet shtetëror dhe Ministria e Shëndetësisë dhe organizata të tjera jo qeveritare të bashkëpunojnë në këtë fushë.

Pikërisht për metodat e planifikimit familjar Qendra Shqiptare për Popullsi dhe Zhvillim ka organizuar një trajnim 4 ditor me mjekë dhe specialist nga qytete të ndryshme të vendit duke iu ofruar specialisten Meri Khachikyan konsulente pranë IPPF-së për planifikimin familjar.

“Është mirë kur na ofrohet eksperienca e vendeve të huaj si në rastin konkret pasi mësojmë në lidhje me metodat kontraceptive, efektet e tyre, infeksionet seksualisht të transmetueshme apo edhe në lidhje me abortet kur ato janë të pashmangshme”, -pohon Marjeta Boraj.

Qendrat shëndetësore,
Informacion nënave për planifikimin familjar
Nënat të cilat paraqiten pranë qendrave shëndetësore tashëm do t’ju ofrohet informacion edhe për planifikimin familjar.

Programi “Komunikimi për ndryshimin e sjelljes në planifikimin familjar”, i mbështetur nga USAID tashmë veprimtarinë e tij e ka shtrirë dhe në disa qendra shëndetësore në qytetin e Tiranës dhe të Korçës.

Sipas specialistit që punon pranë këtij programi, Arian Boci qëllimi është që të informohen nënat dhe familjaret e tyre mbi rëndësinë e përdorimit të metodave kontraceptive dhe planifikimin familjar.

“Çdo ditë konsulentë e këtij programi shkojnë në qendrat shëndetësore ku kontaktojnë me nënat e reja të cilat vijnë në këto qendra për tu konsultuar apo marrë shërbimet e konsultorit të fëmijëve”, -pohon Boci duke shuar se janë krijuar dhe kënde informative me materiale të ndryshme informuese mbi planifikimin familjar, ku njerëzit mund të marrin informacion falas dhe me të fundit mbi kontracepsionin.

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here