Home Ekonomi Komisioni Europian skanon ekonominë shqiptare

Komisioni Europian skanon ekonominë shqiptare

1889
0

Pas zgjedhjeve të përgjithshme në Qershor, kryeministri Edi Rama ka formuar një qeveri të re, bazuar në një shumicë absolute të Partisë Socialiste në parlament. Qeveria e re fitoi një votëbesim në parlament dhe mori detyrën më 13 Shtator. Misioni i FMN-së ka pranuar se ekonomia e Shqipërisë vazhdon të forcohet, duke përfituar nga rritja e kërkesës së brendshme, investimet e huaja direkte të mëdha të lidhura me sektorin e energjisë, përmirësimi i sektorit të turizmit dhe një rimëkëmbje e ekonomive të partnerëve kryesorë tregtarë të BE-së. Por nga ana tjetër, FMN vuri në dukje se ritmi i reformave në vend është ngadalësuar duke marrë parasysh zgjedhjet dhe zgjatjen e tranzicionit të qeverisë.

Sektori Real

Rritja reale e PBB-së u rrit në 4.1% në tremujorin e dytë nga 4.0% gjatë tremujorit të mëparshëm. Të gjithë komponentët e kërkesës së brendshme kanë dhënë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike. Krahasuar me tremujorin e parë, shpenzimet familjare u rritën me 2.3% në terma vjetorë. Konsumi i qeverisë mbeti i lartë me një normë rritjeje prej 5.8%, e cila ndër të tjera pasqyron rritjen e pagave në pjesën më të madhe të sektorit publik në muajin Mars. Rritja e investimeve u forcua në 14.3% në terma vjetore, e mbështetur nga investimet e huaja direkte si rezultat i projekteve Trans Adriatik Pipeline (TAP) dhe projektit të hidrocentralit Statkraft/ Devoll. Eksportet neto gjithashtu kontribuan pozitivisht në rritjen e PBB-së, të cilat u bazuan veçanërisht në rritjen prej 22.0% në eksportet e shërbimeve, duke përfshirë sektorin e turizmit dhe transportit. Eksportet e mallrave u zgjeruan për tremujorin e tretë radhazi me +4.4%, duke konfirmuar kthimin e trendit pas tre viteve me rënie.

Sipas metodës së prodhimit, aktiviteti i ndërtimit shënoi normën më të lartë të rritjes me 22.7% në terma vjetorë, duke reflektuar periudhën e mirë të aktivitetit të investimeve në sektorin e energjisë. Aktivitetet financiare dhe sigurimeve (me rritje +10.6%) dhe prodhimi (me rritje + 6.3%) gjithashtu performuan fuqishëm.

Të dhënat e disponueshme sugjerojnë se aktiviteti ekonomik ka vazhduar të zgjerohet edhe gjatë  tremujorit të tretë. Në veçanti, besimi i konsumatorit vazhdoi të përmirësohet dhe besimi i biznesit mbeti në një nivel relativisht të lartë.

Tregu i Punës

Tregu i punës u zhvillua në mënyrë të favorshme në tremujorin e dytë. Punësimi për grupmoshat 15-64 vjeç u rrit me 3.5% në terma vjetore, nga 2.8% në tremujorin e mëparshëm. Një rritje prej 1.4% e fuqisë punëtore e rriti normën e pjesëmarrjes së fuqisë punëtore me 1 pp në 66.8%. Shkalla e papunësisë është ulur me 1.6 pp në terma vjetore, duke arritur në 14.3%. Shkalla e papunësisë tek të rinjtë (grupmosha 15-29 vjeçare) ka rënë me 3.4 pp në 26.4%. Sipas të dhënave administrative, punësimi në sektorin privat jobujqësor u përshpejtua në një rritje vjetore prej 14.6% gjatë tremujorit të dytë, ndërkohë që punësimi në sektorin publik nuk pati ndryshim dhe punësimi ne sektorin bujqësor u ul lehtë. Pagat u rritën me 11.0% në tremujorin e dytë si rezultat i rritjes së pagave prej 10% në pjesën më të madhe të sektorit publik.

Sektori i Jashtëm

Banka e Shqipërisë publikoi të dhënat e rishikuara të bilancit të pagesave për periudhën 2013-2016. Rishikimi, i cili lidhet me bilancin primar të të ardhurave, ka ulur defiçitin vjetor të llogarisë korrente ndaj PBB-së me një mesatare prej 1.9 pp. Deficiti për vitin 2016 është zvogëluar nga 9.6% në 7.6% të PBB-së. Në tremujorin e dytë të vitit 2017, deficiti i llogarisë korrente ra me 19.7% në terma vjetore. Ashtu si në tremujorin e parë, kjo ishte rezultat i tepricave më të larta mbi bilancet për transport, udhëtime dhe shërbime të tjera. Përmirësimi i bilancit të shërbimeve u kompensua pjesërisht nga një deficit tregtar pak më i lartë për mallrat dhe nga një suficit në rënie në bilancin primar të të ardhurave. Suficiti i madh në bilancin e të ardhurave dytësore (kryesisht remitancat e punëtorëve) mbeti i qëndrueshëm. Gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit deri në qershor 2017, deficiti i llogarisë korente korrespondonte me 6.3% të PBB-së, pra drejt një trendi me deficit më të vogël, i cili filloi në vitin 2015.

Për muajt Korrik dhe Gusht, të dhënat mujore mbi tregtinë e jashtme të mallrave tregojnë se eksportet e mallrave u rritën me 10.8% në terma vjetore, ndërsa importet e mallrave u rritën me 7.9%. Për shkak të nivelit më të lartë të importeve të mallrave, deficiti tregtar u rrit me 5.9% në terma vjetore. Edhe pse investimet e huaja direkte neto (IHD) u ulën me 14.2% në tremujorin e dytë, ato mbuluan 93% të deficitit të llogarisë korrente për të njëjtën periudhë, krahasuar me 138% në katër tremujorët e fundit deri në mes të vitit 2017.

Borxhi i jashtëm bruto u rrit me 0.3% nga viti në vit në 7.85 miliardë euro në fund të tremujorit të dytë. Kjo korrespondon me rreth 69% të PBB-së, nga 73% të PBB-së që ishte një vit më parë. Rezervat ndërkombëtare u ulën pak, në 2.7 miliardë euro në fund të muajit Gusht 2017, të vlerësuara për të mbuluar rreth 6.6 muaj importe të mallrave dhe shërbimeve.

Zhvillimet monetare

Pas një rritjeje të çmimeve të ushqimeve të lidhura me kushtet e motit, e cila ndikoi tek indeksi i çmimeve të konsumit me një rritje vjetore prej 2.8% në muajin Janar, inflacioni total ka rënë në 1.6% gjatë muajve Gusht dhe Shtator. Përveç përmbysjes tek çmimet e ushqimeve, kjo u ndihmua gjithashtu edhe nga një monedhë vlerësuese. Ende nuk ka dëshmi në të dhënat e IÇK-së se rritja e aktivitetit ekonomik po krijon presione rritëse mbi çmimet.
Banka e Shqipërisë ka ruajtur qëndrimin e saj akomodues të politikës monetare duke mbajtur normën bazë të interesit në rekordin më të ulët historik prej 1.25% dhe normat e interesit për depozitat dhe kreditë njëditore në 0.25% dhe 2.25% respektivisht. Pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës më 3 Tetor, Banka Qendrore deklaroi se tani gjykon se nuk do të duhet të zvogëlojë intensitetin e stimulit monetar përpara tremujorit të dytë të vitit 2018. Ajo pret që inflacioni të jetë mesatarisht 2.2% në vitin 2017 dhe të rritet drejt objektivit të saj në 3% gjatë vitit 2018.
Leku Shqiptar ka qënë relativisht i fortë ndaj monedhave të huaja në vitin 2017. Në tremujorin e dytë, leku u vlerësua me 4.6% nga viti në vit në terma nominalë dhe me 4.4% në terma realë. Në raport me euron, leku u vlerësua me 2.7% në fund të muajit shtator edhe pse ai u zhvlerësua me 0.8% gjatë tremujorit të tretë.

Sektori financiar

Që nga muaji Prill rritja e përgjithshme e kredisë për ekonominë ka qenë negative në terma të monedhës vendase. Kjo, megjithatë, është rezultat i uljes së vlerës së kredisë në valutë për shkak të vlerësimit të lekut. Kur kreditimi u përshtat me efektin e kursit të këmbimit, kredia ndaj bizneseve dhe sektorëve të ekonomive familjare u rrit me përkatësisht 2.0% dhe 7.5% në tremujorin e dytë. Rritja relativisht e ulët e kreditimit në sektorin e biznesit, pjesërisht pasqyron shlyerjen e kredive me probleme, duke përfshirë edhe fshirjet e këtyre kredive nga bilancet e bankave. Ribalancimi gradual ndaj kredisë në lekë vazhdoi, pasi pjesa e kredive në valutë ra në 51.1% në Gusht, me 3.3 pp në terma vjetorë. Raporti i kredive me probleme ndaj totalit të kredive ka vazhduar të vijë në rënie në muajt e fundit. Ajo qëndroi në 15.1% në gusht të vitit 2017, nga 21.4% në gusht 2016. Sektori bankar në tërësi është i mirë kapitalizuar me një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 16.3% në fund të tremujorit të dytë të vitit 2017, duke u rritur me 0.5 pp gjatë tremujorit, dukshëm mbi minimumin rregullator prej 12%.

Zhvillimet fiskale

Të ardhurat totale u rritën me 6.7% në terma vjetore gjatë tetë muajve të parë të vitit 2017, qartësisht mbi rritjen e buxhetuar të të ardhurave prej 4%. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin, taksat lokale, dhe sigurimeve shoqërore performuan mirë. Pas rritjes së pagave të sektorit publik, shpenzimet totale u rritën në 12.4% në terma vjetore për tetë muajt e parë, e cila është megjithatë dukshëm poshtë rritjes së shpenzimeve të buxhetuara (13.7%). Ekzekutimi i përgjithshëm i buxhetit për periudhën Janar-Gusht rezultoi me një tepricë të vogël (afërsisht zero) në bilancin kesh të qeverisë, i cili krahasohet me një suficit që korrespondon me 0.9% të PBB-së së përgjithshme në tetë muajt e parë të vitit 2016 dhe me një deficit objektiv prej 2.0 % të PBB-së për gjithë vitin 2017.

Në 16 Gusht, qeveria miratoi një buxhet të rishikuar për vitin 2017 dhe e dërgoi atë për miratim në parlament. Shpenzimet dhe të ardhurat totale janë rritur vetëm pak dhe objektivi i deficitit është mbajtur në 2.0% të PBB-së. Borxhi publik (përfshirë garancitë) ka rënë nga 68.4% e PBB-së në fund të muajit Mars, në 66.9% në fund të Qershorit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here