Koalicioni PS-LSI dhe sëpata e autokratit

0
133

rama-metaNë vitin 1991, në një nga librat e tij, Noam Chomsky, filozofi dhe komentatori famshëm politik amerikan, është përpjekur të argumentojë rrezikshmërinë shumë më të madhe të autokratizmit krahasuar me korrupsionin. Shkruante se SHBA ishin pjekur për një lider fashist dhe se demokracia kish shpëtuar vetëm për faktin që një lider i tillë nuk kishte dalë. “Eshtë gjë e mirë që gjithkush që është shfaqur nuk ka qenë i tillë: Xho Mekarthy, për shembull, qe shumë bandit; Riçard Nikson qe shumë hajdut; Ronald Regan qe shumë kloun; predikuesit fondamentalistë janë përfundimisht shumë të korruptuar” – nënvizonte Chomsky. Dhe shtonte se përballë rrezikut autokratik, i thoshte korrupsionit mirësevjen! Dhe sqaronte se sa kohë liderët e të djathtës do të ishin të interesuar për para, femra dhe kadillakë, demokracia amerikane nuk do të ishte e rrezikuar. Por ajo do të ishte në telash të madh nëse shfaqej një lider autokrat, një tip Hitleri, që do ta kish mendjen vetëm tek pushteti.

***

Ajo që për demokracinë e SHBA mbeti një rrezik potencial, për Shqipërinë u bë realitet që në nisje të tranzicionit. Autokrati, tipi i Hitlerit, mbiu në kokë të lëvizjes demokratike duke e degraduar atë nga lëvizje e lirisë në hordhi të sundimit. Ai e ka emrin Sali Berisha që sot, po drejton një kryqëzatë objektivi i vërtetë i së cilës nuk është thjesht rrëzimi i Ilir Metës, por sabotimi i reformës në drejtësi. Por që kjo të ndodhë, duhet çarë koalicioni PS-LSI. Dhe që të çahet koalicioni PS-LSI, duhet të goditet Meta.

***

Kanë kaluar 2 vjet që nga koha kur koalicioni i majtë, i kryesuar nga binomi PS-LSI, mposhti me një milion vota koalicionin e qeverisë së Sali Berishës duke e nxjerrë këtë të fundit në opozitë. Një koalicion, një fitore dhe një rotacion shpëtimtar për projektin e demokracisë liberale që do të rrezikohej fatalisht nëse autokrati me damkë, do rikonfirmohej për një mandat të tretë radhazi. Dhe koalicioni PS-LSI mbetet shpëtimtar për demokracinë edhe sot, pikërisht sepse autokrati Berisha, politikani më i inkriminuar në Shqipëri, është rihedhur në ofensivë për të rimarrë pushtetin me çdo kusht, me intriga përçarëse, me shpifje dhe dosje të vjetra korrupsioni që vetë e ka toleruar sa qe në qeveri, duke kërcënuar deri edhe me kryengritje sikundër po bën thirrje.

***

Jo gjithçka që është shpëtimtare është edhe e pastër. Në mjaft situata politike, shpëtimtare nuk është e mira absolute por e keqja më e vogël. Shpesh, për të arritur te e mira, duhet përdorur si shkallë e keqja më e vogël duke shmangur atë më të madhen. Shmangja e së keqes më të madhe, e kobit, është e vetmja realpolitikë e legjitime. Dhe përballë alternativës berishiste, si praktikë autokratike e rrënimit të shtetit që ka regjistruar edhe skandalet më të mëdha korruptive të dy dekadave tranzicion, deri edhe krimin diktatorial të vrasjes së qytetarëve të pafajshëm në protestë, çdo alternativë tjetër qeverisëse mbetet, sot për sot, një e keqe shumë-shumë më e vogël. Pra, relativisht, një e mirë.

***

Bilanci është i thjeshtë: Më thoni një skandal korruptiv të bashkëqeverisjes PS-LSI në këto dy vjet që vetëm t’i përafrohet sado pak skandaleve si ai i Gërdecit apo rrugës Durrës-Kukës, t’ju them se kjo bashkëqeverisje PS-LSI është me e korruptuar se ajo e Berishës pra, një e keqe më e madhe. Nëse jo, atëherë mjaft me llafe kazani! Kjo bashkëqeverisje e sotme është shumë më pak e korruptuar se qeverisja e djeshme prandaj është edhe e keqja më e vogël. E sa për qeveri të pastër fare, atë vështirë se e gjen në glob. Prandaj është absurde, verbëri, tutkunëri, që mbi bazën e thashethemnajave për korrupsion të qeverisë Rama (më së shumti të fabrikuara në kuzhinën e berishizmit) të braktisësh të keqen më të vogël duke risjellë në pushtet të keqen më të madhe, alternativën berishiste me megakorrupsion të faktuar!

***

Aleanca qeverisëse PS-LSI mbetet shpëtimtare për demokracinë sepse është një pengesë e pakapërcyeshme për rikthimin e autokratit në pushtet. Ky i fundit u rikthye në pushtet në vitin 2005 vetëm sepse e majta u përça nga mbirja e LSI-së. U rikonfirmua në pushtet në 2009 pikërisht sepse PS dhe LSI nuk arritën të afrohen për të homogjenizuar të majtën. Berisha e di mirë këtë. E di mirë se e vetmja shpresë për rikthim në pushtet është përçarja. Prandaj, si një Cezar, të gjithë bateritë, diversionet, shantazhet, shpifjet i ka drejtuar kundër koalicionit PS-LSI për të arritur çarjen e tij. Kjo shpjegon edhe sulmin e nisur kundër Ilir Metës (për hir të së vërtetës bazuar jo në fakte) apo thashethemnajat qesharake për gjoja një aleancë Rama-Basha që gjakon t’i hedhë Metës “trutë e gomarit” duke nxitur xanxën e dyshimit për gjoja një pabesi të Ramës. Nuk është aspak devocioni ndaj drejtësisë dhe antikorrupsioni që e motivon një kryqëzatë të tillë kundër Metës me të cilin, Berisha do bënte aleancë që sot, nëse vetë Meta do të pranonte. Sepse për pushtetin Berisha është i gatshëm të lëpijë pështymën dhe baltën e hedhur dje mbi këdo. Por është nevoja jetike e çarjes së të majtës, pa të cilën berishizmi (pra dhe Lul Basha) nuk rikthehet dot në pushtet, që e nxit gjithë këtë furtunë “antikorrupsion” të berishëve së cilës i janë bashkuar në prapaskenë, edhe mjaft nanoistë por edhe jo pak “eminenca” të së majtës, mbetur të pakënaqur se janë lënë në hije nga koha dhe për të cilën, ata fajësojnë Ramën. Janë edhe këta që thërrasin edhe për zgjedhje të parakohshme duke bashkuar zërin me korin e berishizmit.

***

Meta është ai që është. Një politikan me indicje korruptimi mes një klase politikanësh që, kush më shumë dhe kush më pak, është e korruptuar nga pandëshkueshmëria 25 vjeçare. Por opsionet duhen peshuar. Dhe mjerisht, në Shqipëri ndodhemi prej vitesh përballë opsioneve të së keqes. Meta është ai që është por edhe Berisha dhe Basha janë ata që janë. I turpshëm qe videoskandali i Metës. Një gjakim korruptiv. Por i mbetur në tentativë. Që nuk ka të krahasuar me 200 milionët e “humbura” të rrugës Durrës-Kukës, me korrupsionin e përgjakur të Gërdecit dhe mbi të gjitha, me masakrën e 21 janarit! Një krim tipik për autokratizmin dhe diktaturat. Prandaj kur shtrohet pyetja të çahet koalicioni PS-LSI që të vijë Berisha apo berishistët, jam pa asnjë hezitimin më të vogël që të mbetet koalicioni PS-LSI dhe të mos vijë kurrë më në pushtet Berisha dhe berishizmi që e ka mbërthyer pa shpëtim si një kancer PD. Një qëndrim që do të ndryshonte vetëm nëse do të paraqitej një alternativë e tretë.

***

Por një alternativë e tretë, jo si një e keqe më e vogël por si një e mirë, nuk mund të vijë sa kohë në Shqipëri nuk është themeluar drejtësia e pavarur. Dhe e përsëris, sulmi i berishistëve dhe gjithë llumit të politikës së vjetër, të djathtë e të majtë, është intensifikuar sa më shumë po afron koha e reformës në drejtësi. Eshtë një aleancë e autokratizmit dhe korrupsionit 25 vjeçar që ulërin kundër “korrupsionit të Metës” për destabilizuar situatën dhe shtyrë reformën në drejtësi për në kalendat greke!

***

Ndërkaq shtrohet pyetja: Ilir Meta duhet të mbajë në këmbë një koalicion që ofron reformën në drejtësi në mënyrë që pastaj drejtësia ta ndëshkojë?! Përgjigja është kjo: Një drejtësi realisht e pavarur nuk ndëshkon dhe as nuk fal kot. Askush nuk i shpëton dot një drejtësie të pavarur, që themelohet mbi barazinë e të gjithëve para ligjit. Kush ka mëkate është i detyruar të kalojnë nëpër skanerin e saj. Aq më tepër politikanët e lartë të tranzicionit korrupsioni i të cilëve ka mbetur i pa prekur në këto 25 vjet. Pra çështja nuk shtrohet që drejtësia mund të ketë punë vetëm me Metën. Ajo mund të ketë punë edhe me Ramën, Nanon, Berishën, Boden, Mejdanin, Mosiun e shumë të tjerë që sot janë harruar por që, nëse kanë bërë korrupsion, nuk i harron drejtësia. Prandaj, kush e ka mizën nën kësulë duhet të trembet vërtet. Sepse askush prej të korruptuarve të tranzicionit, nuk ka barë aq miliona sa, siç shpotiste Oscar Wilde, të mund të blejë të kaluarën e vet. Dhe nuk do t’a shpëtonte dot as aleanca me autokratin dhe gjithë llumin e korrupsionit të pandëshkuar, kundër reformës në drejtësi që ka tashmë, edhe bashkautorësinë e ndërkombëtarëve.

***

Por, tani për tani, sa kohë në Shqipëri nuk ka një pushtet të pavarur drejtësie që ta spastrojë politikën nga të korruptuarit, jemi të detyruar të zgjedhim të keqen më të vogël. Në kushtet kur mungon drejtësia dhe kur thuajse të gjithë politikanët janë zhytur, kush më shumë e kush më pak, në korrupsion jemi të dënuar të bëjmë ca punë të mira edhe me ca burra që i mendojmë të këqinj. Por kurrsesi nuk duhet ta kërkojmë shpëtimin tek autokratizmi. Sepse autokratizmi edhe korrupsionin e ka më të madh, më absolut. Dhe, me fakte të përgjakura, është provuar se autokrati është Berisha. Ndaj është ironike të shikosh sesi armiku më i rrezikshëm i demokracisë në Shqipëri, rreket “ta mbrojë” demokracinë nga korrupsioni i Metës me DIA-n që, në fakt, është korrupsioni i tij. Një lojë politike që ka arritur majën prandaj parathotë edhe fundin e saj.

“DITA”

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here