Home Bota Kili feston shpëtimin e 33 minatorëve

Kili feston shpëtimin e 33 minatorëve

738
0

Kili ka festuar suksesin e shpëtimit të 33 minatorëve të bllokuar nën tokë për më se dy muaj. I fundit që u nxor nga miniera ishte drejtuesi i turnit Luis Urzua, minatori që ndihmoi kolegët e tij të durojnë gjatë ditëve të para në minierë, kur askush nuk e dinte se ende ishin gjallë. Gjashtë punonjës të ekipit të shpëtimit që ishin futur në minierë për të mbikëqyrur operacionin shpalosën një pankartë ku shkruhej “Misioni u përfundua.”
Mësimi për autoritetet
Presidenti Sebastian Pinera i tha BBC-së se besonte që shpëtimi i minatorëve do ta ndryshojë imazhin e Kilit në botë. Zoti Pinera tha se shpresonte që tani e tutje njerëzit ta lidhin emrin e Kilit me përpjekjen e një kombi të bashkuar për nxjerrjen e minatorëve dhe jo me periudhën e regjimit ushtarak. “Kili nuk është vendi që ishte para 69 ditësh. As minatorët nuk janë ata të parët. Ata u bllokuan më pesë gusht dhe dolën jashtë për të na dhënë një mësim. Kili nuk është më si dikur. Kili është më i bashkuar dhe më i fortë se kurrë më parë. Unë mendoj se sot Kili gëzon më shumë respekt dhe vlerësohet më shumë në botë”. Presidenti i Kilit, Sebastian Pinera tha se është i vendosur për të ndryshuar standardet e mbrojtjes së jetës së minatorëve.
Përgëzime ndërkombëtare
Operacioni 24 orësh për nxjerrjen e minatorëve në sipërfaqe e ndoqën me interes miliona njerëz anembanë botës. Presidenti Obama dhe udhëheqës të tjerë të botës u kanë dërguar mesazhe urimi punonjësve të shpëtimit dhe minatorëve. Puna dhe kurajoja e tyre është vlerësuar si një përvojë frymëzuese.

Uljet dhe ngritjet në dramën e minatorëve kilianë

Gjatë dramës së gjatë të minatorëve të bllokuar ka patur momente gëzimi, momente trishtimi, por mbi të gjitha premtime që ata nuk do të harroheshin nga autoritetet. Drama në shkretëtirën Atacama nisi më 5 gusht, kur pjesë të minierës San Jose pësuan shembje. Dy ditë më vonë ndodhi një tjetër shembje dhe u tha se 33 minatorë mund të kishin mbetur të bllokuar nëntokë. Disa sonda u dërguan nëntokë për të kërkuar shenja jete, por 17 ditë nuk u gjet asgjë deri në këtë moment: “Kjo doli nga pjesa e mesme e malit, ku është edhe zona më e thellë e minierës,” deklaroi i entuziazmuar para gazetarëve presidenti i Kilit, Sebastian Pinera.
Ai po tunde një copë letër që ishte sjellë prej sondave e ku shkruhej: “Estamos bien”, jemi mirë që të gjithë ne të 33. Në mesin se turmës së familjarëve dhe të afërmve që prisnin të emocionuar shpërtheu gëzimi. Me vendosjen e kontaktit, u hapën kanale për të dërguar poshtë furnizime emergjente dhe ujë të pijshëm. E bashkë me to edhe medikamente, veshje speciale, ushqim dhe letra nga të dashurit e tyre.
Përmes një interkomi të improvizuar erdhën edhe tingujt e parë nga nëntoka. Minatorët u dëgjuan duke kënduar himnin kombëtar, por pas euforisë fillestare, ra një atmosferë e zymtë dhe një paralajmërim për minatorët e bllokuar prej Laurence Golborne, ministri kilian për minierat: “Ata e kuptojnë se na duhet të çajmë 700 metra shkëmb për t’i shpëtuar, ndaj edhe duhet të kenë një ide se do të marrë një kohë të gjatë”. Por sa kohë do të merrte, askush nuk e kishte të qartë. Disa zyrtarë folën për muaj të tërë dhe jo javë, madje u tha se mund të zgjaste deri për Krishtlindje. Por deri në mes të shtatorit, shpimi i një kanali, përmes të cilit minatorët mund të dilnin në sipërfaqe, po ecte mirë. Megjithë një vonesë, shpimi i nëntokës mbërriti pranë një galerie që ishte vetëm disa metra nga vendi ku ishin minatorët. Momente gëzimi mbërthyen komunitetin e familjarëve e të minatorëve, inxhinjerët dhe gazetarët të mbledhur në sipërfaqe.
Një prej tyre ishte edhe Brandon Fisher, një prej disa amerikanëve që po ndihmonte në hapjen e kanalit të evakuiimit. “Të bësh shpime për jetën njerëzore është një tjetër lloj detyre. Dua të them që është shumë më e rëndësishme se çdo gjë tjetër, për të cilën kemi bërë shpime gjatë karrierës sonë,” tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here