Home Aktualitet Kastriot Islami: PS,jo kushte per gjykaten administrative

Kastriot Islami: PS,jo kushte per gjykaten administrative

591
0
Në intervistën e tij, Islami i kërkon lidershipit të PS të mos kushtëzojë kërkesën për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe vendimin për të mos marrë pjesë në asnjë votim në Parlament, me apelin e bërë nga Ambasada Amerikane në Tiranë për votimin e këtij ligji. Për Islamin, PS të vazhdojë të kërkojë transparencën e zgjedhjeve, por edhe të votojë ligjin për Gjykatat Administrative, pasi në të kundërt përgjegjësia më e madhe për këtë dështim do të bjerë mbi PS-në. Sekretari socialist ndan mendimin se mosdhënia e votës për këtë ligj do të ishte një goditje e rëndë për klasën politike shqiptare përballë partnerëve kryesorë të saj, BE dhe SHBA, ndërsa vendi do të humbiste një financim të rëndësishëm nga USAID për ngritjen e këtyre gjykatave.
Ambasada e SHBA në një deklaratë për shtyp vë theksin tek rëndësia e miratimit të ligjit për Gjykatat Administrative si dhe vendos afate konkrete për miratimin e tij. Si e vlerësoni këtë deklarim?
SHBA është një nga vendet që e ka ndihmuar Shqipërinë për të rritur transparencën në sistemin gjyqësor dhe një nga shtetet që ka qenë shumë kritik sa herë që pavarësia politike e gjyqësorit është cenuar, apo korrupsioni e mungesa e profesionalizmit janë bërë shkak i dhënies së drejtësisë. E thënë më shkoqur, për SHBA gjyqësori përbën një çështje me rëndësi në një vend që kërkon të ndërtojë sistemin demokratik dhe aq më tepër tanimë është vend anëtar i NATO-s. Kjo përbën një arsye tjetër shumë të fortë që ky ligji duhet miratuar..
A duhet ta votojë PS këtë ligj, apo në kuadër të strategjisë që ka ndjekur deri tani duhet të vazhdojë të mos marrë pjesë edhe në votimin e këtij ligji?
PSSH pavarësisht kritikave të shumta që mund të ketë për funksionimin e demokracisë në vendin tonë apo keqqeverisjen e korrupsionin, duhet të vazhdojë të jetë konstruktive përsa u përket çështjeve madhore, një prej të cilave është ajo e ngritjes së Gjykatës Administrative, përmes së cilës i) do të rritej mundësia për të zgjidhur sa më drejtë mosmarrëveshjet midis qytetarëve e bizneseve me shtetin dhe ii) do të përafronte sistemin gjyqësor shqiptar me atë të BE. Pra, në këtë rast vota pro e PS do të ishte për të hedhur një hap në drejtim të forcimit të sistemit të drejtësisë. Një hap në drejtim të integrimit të vendit në BE.
PS e lidh pjesëmarrjen në votimin e ligjeve me shumicë të cilësuar me transparencën e zgjedhjeve, a mund dhe a duhet të shtrihej ky qëndrim edhe për këtë rast?
PSSH duhet ta vazhdojë betejën e saj për transparencën e zgjedhjeve dhe mirëqeverisjen e vendit, por një obstruksion me argumentin se “pa u zgjidhur çështja e drejtë e transparencës së votave nuk mund të ketë kontribut të opozitës edhe për çështjet e tjera”, do ta vinte PSSH në pozitë të disfavorshme e të vështirë në marrëdhëniet me SHBA e BE. E thënë shkoqur, PSSH duhet të votojë pro këtij ligji, duke shpjeguar se kjo nuk pengon apo “dëmton vijimësinë” e veprimeve të saj në kërkim të “transparencës së zgjedhjeve” apo të mirëqeverisjes së vendit.
Ambasada e SHBA nxit Kuvendin që ta miratojë ligjin pa vonesa të mëtejshme, ndërsa thekson se ndihma e SHBA për Gjykatat Administrative do të ndërpritet nëse mungon ligji. Do të mbajë PS përgjegjësinë e saj para zgjedhësve nëse ky ligj nuk miratohet dhe nëse ndihma e SHBA ndërpritet?
Po e them që në fillim qartë e prerë: Nëse PS e voton këtë ligj vetëm fiton dhe nëse nuk merr pjesë në votim ajo humbet, pavarësisht se i duket se fiton duke mbajtur të ndërlidhur çështjen e drejtë të transparencës së zgjedhjeve me krizën politike, që lidhet edhe me miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar. Nëse opozita nuk merr pjesë në votimin e këtij ligji dhe për rrjedhojë ligji nuk do të arrijë të miratohet, debati për përgjegjësinë do të fillojë dhe akuzat do të jetë të ndërsjellta. Nga njëra anë opozita do të akuzojë maxhorancën se për shkak të “vjedhjes së votave” po prishen marrëdhëniet me SHBA. Nga ana tjetër, maxhoranca do të akuzojë opozitën se “është kundër integrimit në BE dhe kundër ndihmës së SHBA”. Kjo situatë në thelb do të godiste rëndë seriozitetin e klasës politike shqiptare në sytë e partnerëve tanë kryesorë, BE dhe SHBA për një çështje më rëndësi siç është drejtësia; unë do të distancohesha nga ky qëndrim dhe nga kjo përgjegjësi.
Cili do të ishte vlerësimi i ndërkombëtarëve në rast se PS nuk do ta votojë ligjin ?
Sigurisht që përgjegjësia në sytë e SHBA, por edhe të vendeve të BE do të ishte e të dy palëve duke gjykuar se “… klasa politike shqiptare nuk arrin të merret vesh as për çështje me rëndësi për publikun dhe bizneset vendëse”, por as edhe për “ndihmën e dhënë nga SHBA”… e për një çështje që lidhet me përafrimin me BE. Natyrisht, jo e njëjtë për të dy palët. Por pavarësisht kësaj simetrie, në dukje gjykoj se opozita do të ndëshkohej më shumë nga publiku vendës, pavarësisht se një pjesë e votuesve të saj do të ndjeheshin më mirë nga vazhdimi i “krizës politike dhe parlamentare sa herë bëhet fjalë për ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar”, duke bërë përgjegjës maxhorancën. Edhe për sytë e ndërkombëtarëve, pavarësisht se ata nuk do të futeshin më thellë për të ndarë se cila palë ka më shumë përgjegjësi në këtë rast, qëndrimi i PSSH do të dukej minimalisht i paargumentuar dhe i paarsyeshëm në raport më rëndësinë e çështjes dhe të partnerit që preket në këtë rast. Në raportin përftim/kosto PSSH me një mospjesëmarrje në votim në Kuvend për këtë ligj, do të rriste në mënyrë të panevojshme koston e saj politike, sidomos në sytë e partnerit strategjik, SHBA, të cilin për më tepër kërkon ta ketë aleat për të zgjidhur çështjen e transparencës së zgjedhjeve.
Ligji për Gjykatat Administrative
Ligji mbi Gjykatat Administrative është një prej gjashtë përbërësve të programit të “Pragut II të Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit – Shqipëri”, i cili u nënshkrua në shtator 2008. Projektligji ka mbetur pezull në Kuvend nga fillimi i vitit 2009.
Dështimi për ta miratuar këtë legjislacion do të çojë në mbylljen e veprimtarive
për Gjykatat Administrative, që administrohen nga USAID
nën Programin e Pragut.
Ligji i miratuar nen për nen,pritet për t’u votuar në tërësi
Projektligji për ngritjen e Gjykatës Administrative është i gatshëm për t’u votuar në çdo kohë në Kuvend. Arsyeja e mosvotimit të tij ka qenë kriza politike pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ku opozita nuk ka pranuar të votojë asnjë ligj në Kuvend. Ligji për Gjykatën Administrative u soll në Kuvend që në vitin 2008, nga ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, me asistencën e USAID. 190 nenet e këtij projektligji kaluan me konsensus në Komisionin e Ligjeve, në një punë prej disa javësh, me konsensus mes të dyja palëve. Por në seancën e fundit të Kuvendit, të legjislaturës 2005-2009, në mesin e muajit maj kur ky projektligj u paraqit për t’u votuar, opozita braktisi seancën për problemet e veta. Pavarësisht thirrjeve dhe akuzave, projektligji nuk u miratua. Aktualisht ai ndodhet në tryezën e kryetares së Kuvendit, e cila mund ta hedhë në votim në çdo kohë. Kryetarja e Kuvendit, Topalli, tentoi ta hedhë në votim këtë projektligj në qershor të këtij viti, por socialistët nuk pranuan. Ligji kërkon minimalisht 84 vota në Kuvend. Por në kalendarin e punimeve ky projektligj nuk ndodhet, por vetëm në kalendarin e punimeve të 3 mujorit. Gjithsesi, projektligji mund të kalojë në seancë për votim në çdo kohë, për shkak se ka kaluar çdo procedurë parlamentare, me përjashtim të votimit në tërësi në Kuvend.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here