Home Eduard Zaloshnja Karta “Enver Hoxha”, thikë elektorale me dy presa

Karta “Enver Hoxha”, thikë elektorale me dy presa

683
0

rama-metaBlendi Fevziu, në një intervistë për Roland Qafokun e “Channel One”, deklaroi sa më poshtë në lidhje me ngritjen e portreteve të Enver Hoxhës në ceremoninë e 17 nëntorit, në të cilën ishin prezent Rama dhe Meta: “Të pyetur nga ana jonë (për efekte të emisionit), personat deklaruan se ishin orientuar nga LSI-ja për të ngritur portretet e Enver Hoxhës. Ata përmendin emra të caktuar të LSI-së për këtë”. S’dihet se sa të sakta mund të jenë burimet e Fevziut, por nisur nga zhvillimet e kohëve të fundit, ky skenar duket i besueshëm.

Që në fillim të vitit, LSI-ja ngriti zërin me forcë për festime glorifikuese me rastin e 70 vjetorit të çlirimit të vendit nga nazifashistët dhe, gjatë gjithë këtij viti, figurat e saj kryesore kanë marrë pjesë në përvjetorë lokalë, ku janë shfaqur portrete te Enver Hoxhës. Kuptohet që këto veprime mund të ngrenë pikë për LSI-në në pjesën nostalgjike të elektoratit të majtë, për të cilin ajo është në një garë të heshtur me PS-në.

Në kundërpërgjigje, eksponentë të lartë të PS-së kanë intensifikuar pjesëmarrjet nëpër përvjetorët lokalë, duke u shfaqur me shalla të kuq në qafë. Madje edhe Ben Blushi u shfaq me një shall të tillë në Elbasan ditët e fundit…

Por kjo garë e heshtur mes LSI-së dhe PS-së, për të fituar zemrat e elektoratit të majtë nostalgjik, ka edhe dëme anësore për të dyja partitë. Sepse ndërkohë që nostalgjikët e majtë gëzohen kur shohin portretet e Enverit, ish të përndjekurit nga Enveri galvanizohen kundër dy partive të majta.

Por a i prish punë ky galvanizim PS-së dhe LSI-së? Drejtpërdrejt jo, por tërthorazi po.

Nga një sondazh që po kryej këto ditë, më rezulton se, ndër votuesit e djathtë që janë të zhgënjyer me PD-në dhe partitë e saj satelite (nuk janë gati t’i rivotojnë sot ato), 9 ndër 10 janë nga familje të persekutuara politikisht gjatë diktaturës. Vertet këta votues nuk janë gati t’i rivotojnë sot PD-në dhe partitë e saj satelite, edhe pse po u bëjnë thirrje për të protestuar kundër qeverisë për energjinë, taksat dhe prishjen e ndërtimeve pa leje. Por ata mund t’i rivotojnë së shpejti ato, në qoftë se doza e përdorimit elektoral të kartës “Enver Hoxha” nga PS-ja dhe LSI-ja do të shtohen.

Pikërisht për këtë arsye, kjo kartë elektorale është një thikë me dy presa…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here