Home Sociale Kanceri i gjirit, sot konsulta falas te liqeni artificial

Kanceri i gjirit, sot konsulta falas te liqeni artificial

580
0

kanceri-gjiritGratë dhe femrat shqiptare mund të marrin sot konsulta dhe asistencë falas nga mjekët onkologë pranë Liqenit Artificial në Tiranë, pikërisht në këndin e quajtur me emrin “Qyteza e Jetës”. “Të vrapojmë për të sensibilizuar të gjitha gratë dhe nënat shqiptare që të kryejnë kontrolle parandaluese për kancerin e gjirit.” Ky është qëllimi i maratonës që do të zhvillohet sot dhe nesër, pagëzuar me emrin “Maratona e Jetës”, në simbol të rëndësisë që ka ky sensibilizim.

Në tenda të ngritura për këtë event, mjekët dhe personeli i specializuar do të japin gjatë gjithë ditës së shtunë, më 18 tetor dhe gjatë ditës së diel, deri në orën 18:00, informacione të vlefshme për gratë. Të dielën më datë 19 tetor, në orën 10:00, do të shënohet nisja e “Maratonës së Jetës” nga sheshi “Nënë Tereza”. Ky aktivitet është një eksperiencë italiane e cila vjen për herë të parë në vendin tonë ka për qëllim sensibilizimin e popullatës që t’i drejtohet më shpesh mjekut sa i përket vizitave dhe konsultave mbi kancerin e gjirit. “Kemi disa statistika evropiane të cilat thonë se nëse kancerin e gjirit e kapim në kohë atëherë mundësitë për të shërohet deri në 100%.

Kështu duke qenë në Shqipëri shkaktari i parë i vdekshmërisë së grave, pamë të arsyeshme të organizojmë një maratonë që ka në qendër pikërisht sensibilizimin duke përfshirë gjithë qytetarët e Tiranës”, u shpreh organizatori i kësaj fushate Francesco Milela. Ndërkohë që ditën e diel do të zhvillohet maratona e cila ka si pikënisje Sheshin “Nënë Tereza”, ku në nisje të saj do të ketë mesazhe sensibilizuese nga personalitete por edhe persona të cilët kanë mundur t’ia dalin sëmundjes. “Maratona do të nisë në sheshin “Nënë Tereza”, do të vijojë me disa fjalime të mbajtura nga personalitete të rëndësishme të politikës së vendit midis tyre edhe ambasadori Italian në Shqipëri.

Më pas do të zhvillohet në brendësi të Liqenit Artificial, ku do të përshkohet liqeni për të mbërritur më pas tek diga ku do të jetë “qyteza e jetës” , ku më pas do të festojmë të gjithë së bashku me atletët”, shprehet Francesco Milela. Sipas tij, aktivitetet që do të zhvillohen përgjatë këtij muaji kanë për qëllim identifikimin e kancerit të gjirit në fazë kur mund të jetë akoma i shërueshëm. Në Itali këto aktivitete kanë pasur një efekt të jashtëzakonshëm në ndërgjegjësimin e gruas dhe të familjes italiane për kontrollet dhe parandalimin e kancerit të gjirit.

Aktivitetit të sotëm do ti bashkohet edhe Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe Ambasadori Italian Massimo Gaiani të cilët do të japin edhe mesazhet e tyre ndaj pacientëve të prekur nga kjo sëmundje, por edhe ndaj asaj kategorie që sot ngurojnë të shkojnë te mjeku për të kryer ekzaminimet.

Kanceri i gjirit, Shqipëria pa regjistër kombëtar

Nëse në vendin tonë raportohen të paktën 4400 raste të reja çdo vit me tumorin e gjirit, ky numër sipas specialistëve është edhe më i lartë, por vështirë se mund të konstatohet si pasojë e mungesës së një regjistri për këtë kancer. Por problem në Shqipëri, për këtë lloj tumori i cili ka shkaktuar një numër të lartë vdekjesh, që është shtuar gati trefish në tre dekadat e fundit, është se te pacientet shqiptare sëmundja kapet në stade të avancuara. Sipas specialistëve nuk duhet të ofrohen mamografi falas vetëm gjatë një muaji, por për grupet në risk është e domosdoshme të sigurohen analiza gjatë gjithë vitit, pavarësisht nëse paguajnë sigurime shoqërore.

“Në rast se i referohemi fakteve mund të themi që gjatë tre dekadave të fundit numri i vdekjeve të kancerit është trefishuar. Nëse i referohemi vitit 1987 kemi pasur 71 vdekje në vit ndërsa të dhënat e vitit 2012 raportojnë 323 vdekje në vit” thuhet në statistikat zyrtare. Ndërkohë drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Astrit Beci ka pohuar se përgjatë një viti është investuar për këtë kategori pacientësh. “Brenda një viti ne kemi dyfishuar financimin e ilaçeve që luftojnë sëmundjet tumorale. Për herë të parë në listën e rimbursimit këtë vit janë futur preparate, kombinimet e të cilave përmirësojnë dukshëm trajtimin e disa lloje tumoresh. Bëhet fjalë për rreth 600 pacientë më shumë që përfitojnë nga këto barna” tha Beci. Ndërkohë që janë shtuar edhe barnat e terapisë mbajtëse.

Kanceri i gjirit zhvillohet kur ka faktorë:
Nëse gratë kanë histori personale për kancer gjiri, ju rekomandohet të kryejnë mamografi çdo vit sipas diagnozës dhe ekzaminim klinik te personeli mjekësor çdo vit

Nëse kanë faktorë klinikë si ind i ngjeshur gjiri, rrezatim në fëmijëri, ju rekomandohet ekzaminim klinik i gjirit çdo vit, mamografi çdo vit (në asnjë rast jo para moshës 25 vjeç) dhe konsultë me mjekun specialist

Nëse kanë faktorë klinikë si histori familjare për kancer gjiri nën moshën 50 vjeç, apo dy ose më shumë familjarë të së njëjtës degë me kancer gjiri ju rekomandohet ekzaminim, mamografi dhe konsultë me mjekun.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here