HYRJE Sport Kampionet e Spanjes priten me parade madheshtore

Kampionet e Spanjes priten me parade madheshtore

0
128

Kampionët janë kthyer në shtëpi. Që nga e hëna, Kupa e Botës ka zënë vend në Spanjë, skuadër e cila për 4 vjet rresht do të jetë mbretëresha e botës. Ekipi i drejtuar nga trajneri Vicente Del Boske ka mbërritur në orën 15 në Madrid, me një airbus ku shkruhej Campeones dhe që mbante në dritaret e pilotëve flamujt kombëtarë. Vizita e parë ka qenë në Pallatin Mbretëror, ku ekipi është pritur nga Mbreti Huan Karlos, Mbretëresha Sofi dhe Princi Filip e Princesha Leticia. Prej andej, ekipi kombëtar spanjoll i është drejtuar Pallatit Moncloa për të takuar kryeministrin Hoze Luis Rodrigez Zapatero. Ky i fundit është i njohur për pasionin e futbollit, ndërsa me lojtarët ka treguar se është i aftë edhe nga ana taktike. “Ju përgëzoj të gjithëve, – iu drejtua Zapatero futbollistëve. – Kjo është fitorja e 23 lojtarëve të një skuadre dhe e të gjithë spanjollëve. Keni bërë realitet një ëndërr”. Pasi ka përgëzuar trajnerin Vicente Del Boske, kryeministri Zapatero u ka kërkuar tifozëve të pranishëm aty një duartrokitje për Iniestën, autorin e golit të fitores. “Një lojtar që ka cilësi njerëzore dhe futbollistike”, tha Zapatero i emocionuar. Më pas, iu drejtua Iker Kasijasit: “Çfarë pritje që bëre!”, duke kujtuar ndërhyrjen shpëtimtare ndaj Roben.

Pas pritjes nga Zapatero, futbollistët spanjollë dolën në kalimin triumfal në rrugët e Madridit. Qindra mijëra njerëz kishin dalë për të pritur kampionët, me një entuziazëm të rrallë. Foto të shkrepura papushim, thirrje të pafundme për heronjtë. Rrallëherë ishte parë një pritje e tillë për një skuadër futbolli. Kalimi triumfues i skuadrës në rrugët e Madridit ka qenë akti i dytë i festës, por ai më i bukuri. Por, një nga momentet prekëse të paradës madhështore ka qenë ajo e djalit të Vicente Del Boskes, Alvaro. Ai është 15 vjeç dhe është me sindromën Daun. Del Boske u kishte kërkuar një nder lojtarëve: nëse fitojmë, dua ta merrni edhe atë në autobus të festojë me ne. Por, ata bënë më shumë, i dhuruan Alvaros një fanelë rezervë të kombëtares, atë blu. Më pas, e lanë të ngrinte Kupën, një moment që i bëri të gjithë të prekeshin dhe të duartrokisnin.

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here