Home Sport Juve hedh hapin drejt gjysemfinales, mposht 3 -0 Barcelonen

Juve hedh hapin drejt gjysemfinales, mposht 3 -0 Barcelonen

925
0

E sotmja është një nga ato mbrëmje që do të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve të Juventusit. Skuadra italiane i dha Barcelonës një mësim të mirë, duke e mposhtur 3-0 në çerekfinalen e vajtjes për Ligën e Kampioneve.

Në “Juventus Stadium”, ekipi i Alegrit bëri një paraqitje në kufijtë e të përkryerës dhe nuk i la asnjë mundësi kundërshtarit të dilte në lojën e vet.

Qysh në minutat e para “Zonja e Vjetër” dha sinjale të qarta me Higuainin, i cili goditi me kokë pas krosimit të Pjaniçit por Ter Shtegen i mohoi gëzimin që në minutën e tretë.

Megjithatë goli ishte pas dere dhe vetëm katër minuta më pas Paulo Dibala kaloi përpara Juven me një të majtë të ëmbël pas një pasimi të zgjuar të Kuadrados në zonë.

Miqtë nga Spanja përgjigjen me një pasim gjenial të Mesit që nxjerr Iniestën përballë Bufonit, i cili vesh petkun e shpëtimtarit duke devijuar në goditje këndi gjuajtjen e kapitenit katalanas.

Në aksionin pasardhës ekipi torinez ndëshkon sërish, po me Dibalën. Asi argjentinas mori një pasim nga Manxukiç në hyrje të zonës dhe pa u menduar dy herë mposhti Ter Shtegenin me një kthesë të menjëhershme.

Përpjekjet e Barçës nuk kanë qartësinë e duhur dhe nga kjo situatë përfitojnë sërish vendasit dhjetë minuta pas pushimit mes pjesëve. Krosim i Pjaniçit nga këndi dhe Kielini, i vetëm në zonë, shënon me kokë golin që vulosi triumfin bardhezi.

Me këtë fitore Juve hedh një hap gjigant drejt gjysmëfinaleve, ndërsa Barcelonës do t’i duhet një tjetër mrekulli si ajo ndaj PSG-së në përballjen e kthimit më 19 prill në “Kamp Nou”.

Juventus 3 – 0 Barcelona (Dibala 7′, 22′, Kielini 55′)

Juventus (4-2-3-1): Bufon; Dani Alvesh, Bonuçi, Kielini, Aleks Sandro; Pjaniç (Barzalji 89′), Kedira; Kuadrado (Lemina 73′), Dibala (Rinkon 81′), Manxukiç; Higuain.
Trajner: Masimiliano Alegri

Barcelona (4-3-3): Ter Shtegen; Serxhi Roberto, Pike, Umtiti, Matjë (Gomes 46′); Rakitiç, Maskerano, Iniesta; Mesi, Suarez, Nejmar.
Trajner: Luis Enrike

Gjyqtar: Simon Marciniak (Poloni)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here