Home Politike Ja se si deputetët e PE-së tallen me Berishën dhe Ramën

Ja se si deputetët e PE-së tallen me Berishën dhe Ramën

534
0

Europianët shfaqen të hutuar, të pashpresë, të zhgënjyer, por edhe tallës me lidershipin politik shqiptar.
Në raportimin e dytë të drejtorit menaxhues për krizat në Ballkan përballë grupit të punës për këtë rajon në Parlamentin Europian, Miroslav Lajçak këmbëngul se BE nuk ndërmjetëson dhe se ai nuk do të kthehet më në Shqipëri nëse vetë liderët e vendit nuk ofrojnë hapa konkrete për zgjidhjen e krizës.Bisedat e Lajçak me Berishën e Ramën dhe ndërhyrjet e të djathtëve dhe të majtëve europianë nxjerrin në pah detaje nga gjendja e dëshpëruar, për arsye të ndryshme, e dy krerëve politike në Tiranë, por edhe nga draft-marrëveshja mjaft e përfolur e PE-së, gjatë e pas “Krokodilit”, si përpjekje e europianëve për zgjidhjen e ngërçit që para disa muajsh.Në emër të transparencës së plotë me publikun, në momentin kur fatet e vendit varen shumë nga sjelljet e politikanëve shqiptarë dhe evropianë pavarësisht grupimeve politike, “Top Channel” zbardh dhe publikon edhe kësaj here pjesën dërrmuese të diskutimit me dyer të mbyllura që u zhvillua në Bruksel.

Miroslav Lajçak, drejtori menaxhues i BE-së për krizat në Ballkan: “Situata në përgjithësi është më e qetë se përpara, por kriza politike po thellohet. Ata mendojnë se nuk mund ta zgjidhin këtë krizë dhe presin ndihmën tonë. Ndërkohë që, ata nuk janë ende gati për të bërë pjesën e tyre të punës. Ata besojnë se Bashkimi Europian do zgjidhë problemin në vend të Ramës e Berishës, çfarë nuk është normale.U mundova të tregohem i qartë me ta se BE nuk ndërmjetëson. Aty ka disa hapa pozitive. Se pari, siç e dimë, Z. Berisha hoqi dorë nga protesta dhe u lejua që të merret në pyetje Garda e Republikës.Në anën tjetër, pas demonstratës së parë, të tjerat kanë qenë shumë të qeta e të paqshme, Rama potencialisht i ka kontrolluar ato.Tani, mesazhi im më i rëndësishëm ndaj z.Berisha, ishte që të ulej përshkallëzimi i situatës. Pata një diskutim të ashpër mbi faktin pse organi i komisionit hetimor parlamentar nuk është i duhur, pse është i gabuar e se i duhet dhënë fund retorikave.Ai u mundua që ta kuptonte. Kryeministri tha se do të ishte mbështetës e se ai po kërkon që situata të stabilizohet. Ai u demonstrua shumë konstruktiv e me tha “Vetëm më thuaj ç’të bëj tani”.
Dhe unë i thashë atij, se ishte përgjegjësia e tij që të kujdesej për gjithë këtë histori.
Ata kanë shumë frike se mos humbasin liberalizimin e vizave dhe luten që kjo të mos ndodhë.
Ju fola për zgjedhjet lokale e që të ndjekin axhenden europiane, çfarë mbetet ende për t’u bërë në mënyrë që të përmbushet lista e kërkuar.
Të dy palët po e konsiderojnë mundësinë e dialogut.
Rama nuk do të njohe rezultatin e zgjedhjeve parlamentare dhe qëndrimin e Komisionit se Shqipëria është vend parlamentar funksional. Rama do të donte që ne të shpreheshim për zgjedhjet e parakohshme dhe ai na fajëson pse BE nuk shpreh një mesazh të qarte mbi këtë.
Në përgjithësi vizita ishte e dobishme. U shpjegova atyre se nëse do të duhej qe të vinim për të tretën herë, duhet të kishim, përtej qëndrimeve, edhe diçka konkrete.
Jam i shqetësuar mbi zgjedhjet lokale, pasi socialistët po bojkotojnë emërimet në komisionet zgjedhore. Rama më tha se ai do të preferonte që të shtynte zgjedhjet lokale, me qëllim që kjo periudhë të përdorej për të punuar mbi ligjin elektoral.
Unë jam gati të shkoj atje përsëri dhe mezi pres që të ketë diçka konkrete. U kam thënë se kjo nuk është e mirë për vendin e për popullin”.
Pas rrëfimit të Lajçak, komentet e eurodeputetëve për qëndrimet e Berishës dhe të Ramës kanë shkaktuar të qeshura në sallë, por u kërkua dhe një “plan B” nga ana e BE-se për rrugëdalje nga situata.
Hannes Swoboda, zëvendëskryetar “S&D” në PE:
“Besoj se të gjithë kolegët biem dakord se atje duhet të mbahen zgjedhjet siç duhen. Nevojitet që zgjedhjet lokale të jenë të ndershme, demokratike e transparente”.
Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit për Ballkanin në PE:
“Kur ju nisët të flisnit, u bëra optimist për pak kohë. Ju thatë se Sali Berisha, kryeministri i vendit ju kishte thënë ‘na thoni ç’të bëjmë e ne do ta bëjmë’. E pabesueshme, Berisha pranon se ka bërë gabim, kjo më bëri të isha optimist. Por pastaj ju me kthyet në realitet. Është e rëndësishme, nëse ata seriozisht duan të bisedojnë me njëri tjetrin, por ju treguat sesi ata janë skeptik mbi këtë dialog. Duhet të ecim më tutje. Seriozisht, mund të themi ç’të duam për kryeministrin dhe shefin e opozitës, por Rama refuzon legjitimitetin e zgjedhjeve të kaluara, nuk njeh qeverinë si legjitime. Bie dakord me ty se zgjedhjet lokale janë të rëndësishme. Nëse shtyhen për hir të dialogut mirë, por nuk jam i sigurte nëse do të arrihej dialogu ndërkohë. Jam skeptik që 2 apo 3 javë kanë për të sjellë dialogun mes Ramës e Berishës, nëse shtyhen zgjedhjet lokale përtej 8 majit. Ndaj shko atje prapë e bëj dicka”.
Vicktor Bostinaru, zëvendëskryetar i delegacionit për Ballkanin, PE:
“Prape i njëjti muhabet. Janë gati ata për dialog? Nëse është kështu unë do të isha partizan, por në vëzhgimin tim, e me informacionet që të gjithë ne kemi, Parlamenti Europian u propozoi një marrëveshje, një draft me disa pika. Dhe ata erdhën, Berisha tha ‘Kurrë!’ e askush nuk i tha ‘boll veprove kështu’ e madje disa prej tyre, përsërisin këngën e Berishës.
Se dyti, çështja e korrupsionit mes ish zëvendëskryeministrit e ish ministrit të Ekonomisë. A dini ju nëse qeveria ka marrë ndonjë masë? Është e lehtë të fajësohet veç njëra palë, t’i kërkohen veprime demokratike e kushtetuese. Komisioni Europian përsëriste kërkesën për dialog e ja ku jemi me krizën, që sipas Berishës ishte puc ndaj shtetit organizuar nga Edi Rama, e papritmas na doli se edhe president i Republikës Bamir Topi ishte pjesëmarrës, por edhe prokurorja e përgjithshme, Rama, nuk e di si është emri i saj. Edhe shefi i SHISH që nuk paska dhënë informacione mbi këtë grusht shteti.
Kush mund të besoje tani për gatishmërinë dhe objektivitetin e z. Berisha për t’i dhënë fund krizës politike me anë të dialogut. Kur ai hedh poshtë edhe njerëzit që i ka emëruar vetë. Asnjë prej këtyre nuk ishte i opozitës, të gjithë u zgjodhën nga partia e tij. Unë nuk besoj për vete. Ndaj pyetja ime është kush është Plani B?”
Jelko Kacin, eurodeputet, grupi liberal:
“Unë mendoj se Rama nuk do që të emëroje njerëzit në komisionet zgjedhore sepse ka frikë të tregoje emrat e komisionerëve të tij, pasi ata do të ekspozoheshin kështu ndaj korrupsionit e mund të kërcënoheshin”.
Debatin për Shqipërinë e mbyll Lajçak, i cili përkujton se në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës, BE mund të përdorë si mjet presioni ndaj të dyja palëve Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, me sanksione nëpërmjet fondeve të para-anëtarësimit, të njohura me emërtimin IPA, para se të kalojë në cilësime të tjera për liderët shqiptare dhe qëndrimin e BE ndaj tyre.
“E rëndësishme është që të nxitet mbajtja e zgjedhjeve te ndershme në Shqipëri. Ata nuk duan të paguajnë asnjë çmim për çfarë po bëjnë. Ne nuk mbajmë anë. Rama do të ishte më i besueshëm nëse do të kritikonte funksionimin e institucioneve nga brenda parlamentit. Nëse ai nuk beson tek anëtarët e vet se nuk do te korruptohen në komisionet zgjedhore, atëherë nuk ka më shpresë. Për Berishën, nëse atij nuk i pëlqejnë njerëzit, mirë, por nuk duhet kurrë që ai të sulmoje institucionet. Ne duhet të vëzhgojmë mirë zgjedhjet lokale”, është shprehur Lajçak.
Situatës së pashpresë dhe tallëse që rrjedh edhe nga dyert e mbyllura të Parlamentit Europian, aty ku zbulohet me shkoqur se para kamerave ç’mendohet e ç’flitet për Shqipërinë në Bruksel, qershinë mbi torte e vë raportuesi për Shqipërinë, Nicolaos Chountis. Ne debatin ku u fol dhe për situatën në Maqedoni dhe në Bosnje-Hercegovine, Chountis ndërhyri për të thënë se çështja e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë i takon ligjit ndërkombëtar, ndërsa për Shqipërinë, vend të cilin e “mbulon” si raportues, ai shtoi vetëm se është dakord me gjithë ç’u tha nga të tjerët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here