HYRJE Sport Italia mposht Shpiperine 2 – 0, disa raste te shperdoruara

Italia mposht Shpiperine 2 – 0, disa raste te shperdoruara

0
261

Kombëtarja nuk ia del. Italia na mund 2-0 në ndeshjen e pestë për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Rusi 2018”.

Në “Renzo Barbera” të Palermos, kuqezinjtë u ndëshkuan me nga një gol në çdo pjesë në një ndeshje ku loja ishte mbi nivelin e dy paraqitjeve paraardhëse kundër Spanjës dhe Izraelit.

De Rosi mposhti Strakoshën me një penallti në minutën e 12-të, pasi skuadra jonë kishte shpërdoruar dy raste në fillimin e lojës.

Në pjesën e dytë (71′), pasi loja u ndërpre për 14 minuta pasi tifozët shqiptarë hodhën shashka dhe tymuese, Imobile vulosi suksesin e të kaltërve.

Për Shqipërinë kjo është disfata e tretë radhazi dhe kuqezinjtë mbeten të katërtët në Grupin G me 6 pikë, pas Spanjës dhe Italisë që udhëheqin me nga 13 dhe Izraelit që ka 9.

Pikërisht këta të fundit do të jenë kundërshtari i radhës i kuqezinjve më 11 qershor në Tel Aviv.

Minutë pas minute

90+1′ Përfundon ndeshja, fiton Italia 2-0.

90′ Aksion i bukur i skuadrës sonë, Grezda kroson nga e djathta fluturimthi, por Cikalleshi në zonë është i pasaktë me kokë.

88′ Kuqezinjtë e mbyllin me zëvendësimet. Migjen Basha i bën vend Liridon Latifit, i cili gjithashtu debuton.

87′ Skemë e kuqezinjve, por që nuk sjell rezultat pasi topi i futur në zonë largohet nga mbrojtësit italianë para se sulmuesit tanë të përfitonin.

84′ Migjen Basha provon nga kufijtë e zonës, por e majta e tij është e pasaktë. Mesfushori mund të kishte bërë më mirë.

78′ Në ndërrimin e dytë, De Biazi fut Grezdën në vend të Roshit. Debutim për prishtinaliun e Lokomotivës së Zagrebit.

75′ Odise Roshi godet me bërryl De Shiljon gjatë një dyluftimi. Karton i verdhë për mesfushorin.

71′ GOL! Italia thellon epërsinë. Imobile ndëshkon kuqezinjtë me kokë pas një krosimi të Kandrevës nga e djathta. Vendosje e gabuar e mbrojtjes sonë.

 

70′ Veseli ndal Verratin me faull në hyrje të zonës dhe gjyqtari nuk ia kursen kartonin.

67′ De Biazi bën lëvizjen e parë nga stoli duke guxuar me zëvendësimin. Jashtë loje Lila, në fushë Sadiku. Roshi merr vendin e tij në të djathtë të mesfushës me katër, ndërsa në sulm Sadiku shkon përkrah Cikalleshit.

65′ Kandreva i shpëton mbullimit të Agollit dhe shfaqet para Strakoshës, gjuan me të djathtën, por Strakosha pret në pozicion.

61′ Antonio Kandreva provon të djathtën nga larg. Edhe pse e fortë, gjuajtja e sulmuesit italian është qendrore dhe e parrezikshme për Strakoshën që kontrollon.

57′ Pas 14 minutash rinis loja me një pozicion jashtë loje për Cikalleshin pas një krosimi nga loja e ndaluar. Goli i sulmuesit nuk vlen.

Kapiteni Ansi Agolli merr megafonin dhe u bën sërish thirrje tifozëve që të qetësohen.

57′ Lojtarët u afrohen tifozëve dhe u kërkojnë t’i ndalin veprimet e papërgjegjshme, por më kot. Gjyqtari merr topin dhe i dërgon ekipet në zhveshtore.

56′ Loja ndalet për disa çaste pasi tifozët hedhin tymuese.

 

53′ Italia afrohet kërcënueshëm në zonën tonë. Pas një pasim të marrë nga Beloti, Imobile turret drejt portës, por Ajeti i ndërhyn dhe e ndal. Topin e kontrollon Strakosha, ndërsa skuadra vendase pretendon për prekje të topit me dorë nga qendërmbrojtësi kuqezi.

51′ Italianët përgjigjen nga loja e ndaluar. Kandreva kroson nga këndi, por topi i hedhur në zonë nuk sjell rrezik. Ajeti largon me kokë.

43′ Beloti përfiton nga një pozicionim i gabuar i mbrojtjes kuqezi për t’u shfaqur i vetëm para Strakoshës, por ky i fundit devijon me refleks goditjen e shpejtë të sulmuesit.

24′ Ansi Agolli merr karton të verdhë për një faull (të panevojshëm) ndaj Zapakostës në mesfushë. Kapiteni mungon në transfertën e ardhshme ndaj Izraelit.

23′ Shqipëria provon sërish me Roshin, i cili gjuan me të majtën nga brenda zonës, mirëpo nuk sjell asnjë problem për Bufonin që pret i qetë.

12′ GOL! Italia në avantazh. De Rosi tregohet i saktë nga 11 metrat duke e zhvendosur Strakoshën në krahun tjetër. Goli i 20-të në 111 ndeshje për mesfushorin e Romës.

 

11′ Penallti për Italinë. Beloti rrëzohet në zonë pas një kontakti me Migjen Bashën dhe arbitri tregon nga pika e bardhë. Penallti e dyshimtë, ndërsa Memushaj ndëshkohet me karton të verdhë për protesta.

8′ Italia provon me një aksion në qendër. Strakosha del për ta zotëruar topin, por Hysaj bën më të sigurtën duke e larguar topin në goditje këndi.

4′ Tjetër zbritje e ekipit tonë. Roshi gjen hapësirë në mesfushë dhe provon nga larg, megjithatë e djathta e tij është e pasaktë dhe nuk sjell kërcënim për Bufonin.

1′ Kuqezinjtë menjëherë kërcënues. Vetëm 47 sekonda dhe Cikalleshi gjendet i lirë brenda zonës dhe gjuan me të majtë, por topi shkon fare ngjitur me shtyllën. Italianët me fat.

1′ Dëgjohet fishkëllima e arbitrit, Sokol Cikalleshi e luan topin e parë të ndeshjes.

Itali 0 – 0 Shqipëri

Italia (4-2-4): Bufon; Zapakosta, Barzalji, Bonuçi, De Shiljo; De Rosi, Verrati; Kandreva, Insinje, Imobile, Beloti.
Trajner: Xhan Piero Ventura

Shqipëria (5-4-1): Strakosha; Hysaj, Ajeti, Kukeli, Veseli, Agolli; Basha, Memushaj, Lila, Roshi; Cikalleshi.
Trajner: Xhani De Biazi

Gjyqtar: Slavko Vinçiç

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here