HYRJE Sport Italia i jep lamtumirën Botërorit

Italia i jep lamtumirën Botërorit

0
141

JOHANESBURG- Italia është jashtë kampionatit botëror. Një humbje shokuese në shifrat 3-2 ndaj Sllovakisë ka shkurorëzuar të kaltërit, që ikin përpara kohe nga kjo Kupë Bote. Mund të dukej një skenar i paimagjinueshëm në fillimin e ndeshjes, por sllovakët kanë treguar një nivel të jashtëzakonshëm përballë një Italie në gjendje të mjerueshme.
Ndoshta Marçelo Lipi ka shpresuar shumë të dilte nga grupi me tre barazime, pasi në fushë pati hedhur një skuadër që më shumë mendonte të mbrohej sesa të sulmonte kundërshtarin. Një eliminim i tillë tregon krizën që po kalon kombëtarja italiane, ndonëse strategu i saj, ai që i shpalli kampionë në vitin 2006, nuk donte ta besonte. Italia dështoi në grupin më të lehtë të Botërorit, ç’ka e bën akoma më të rëndë këtë eliminim. Po ashtu, të kaltërit e mbyllin këtë Kupë Bote në vendin e fundit, duke u kaluar në renditje edhe nga një prej skuadrave më të modeste të botës, Zelanda e Re.

Pjesa e parë e Italisë ka qenë një tmerr më vete. Futbollistët nuk bënin dot as dy pasime, ndërkohë që gabimet në mbrojtje tregonin se goli i Sllovakisë nuk do të mungonte. Dhe në fakt ashtu ndodhi. Në minutën e 25-të, pikërisht pas një gabimi në mbrojtje, Robert Vitek rekuperon një top dhe mposht Marketin me një diagonale të bukur. Arbitri fal Kanavaron e Gatuzon për ndërhyrjet e rënda, ndërsa të kaltërit tregojnë se nuk janë asgjëkundi. Në pjesën e dytë, Lipi bën menjëherë dy ndërrime, duke hedhur në fushë Maxhon dhe Kualjarelën për Krishiton dhe Gatuzon. Loja ndryshon pak, sidomos me futjen e Pirlos që zë vendin e Montolivos.
Madje Kualjarela për pak shënon, por Skërtel largon nga vija e portës. Por, në momentin më të mirë të italianëve Robert Vitek arrin të dyfishojë shifrat, duke përfituar nga një tjetër mbulim jo i mirë në mbrojtje. Skuadra e Lipit nuk u dorëzua dhe shkurtoi shifrat 10 minuta para përfundimit me Di Natalen, duke rihapur ndeshjen.
Më pas, Kualjarela shënon sërish, por arbitri anësor e anulon për pozicion jashtë loje. Në minutën e parafundit, Kopunek realizon edhe golin e tretë për sllovakët, i lënë i lirë nga mbrojtësit italianë. Në minutën e parë shtesë Kualjarela rihap sërish takimin pas një parabole të bukur, por koha nuk premton shumë. Gjithsesi, në minutën e 96-të Simone Pepe ka në këmbët e tij rastin e artë për të realizuar, por godet keq dhe topi përfundon jashtë.

Përfundon këtu ëndrra e italianëve, që kishin shkuar në Afrikën e Jugut me statusin e kampionëve të botës. Më keq se kaq nuk mund të shkonte për këtë skuadër, e cila gabimin më të madh e bëri jo ndaj Sllovakisë, por në ndeshjen me modestët e Zelandës së Re. Aventura e Marçelo Lipit në stolin e kaltër nisi me një Kupë Bote, por përfundoi me një dështim të paimagjinueshëm në grupin më të lehtë të “Afrika e Jugut 2010”.

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here