Home Politike Ilir Meta sulmon hapur kryeministrin Rama

Ilir Meta sulmon hapur kryeministrin Rama

1439
0

Ilir Meta ka sulmuar ashpër për herë të parë, kryeministrin Edi Rama, pas tensionimit të retorikës politike në pikun e fushatës elektorale.

Për herë të parë që nga marrëveshja e prillit 2013, që shënoi rikthimin e Metës në koalicion me PS-në, kryetari i Kuvendit lëshon akuza të hapura dhe publike në adresë të partnerit të maxhorancës, Edi Rama.

I ftuar në emisionin “Debati ne Channel One”, Meta ka komentuar shkarkimet e drejtoreve te LSI ditët e fundit, teksa tha se Rama e Basha “nuk janë politikanë vlerash, as politike, as njerëzore, por janë thjesht dy politikanë pushteti”.

Ai përcolli një mesazh të drejtpërdrejtë për dy rivalët e tij të shpallur tashmë, Lulzim Basha dhe Edi Rama, duke deklaruar se do të kenë fatin e Berishës në 25 qershor.

“Mos u habit aspak. Kemi të bëjmë me dy politikanë si Rama e Basha, të cilët nuk janë politikanë vlerash, as politike, as njerëzore, por janë thjesht dy politikanë pushteti dhe ata mendojnë se votat merren me pushtet, me klientelizëm dhe këtë kërkojnë ta faturojnë të tjerëve me presion përmes pushtetit, me frikësime, por kjo gjë nuk ka për të funksionuar.

Ata, që të dy do të kenë fatin që pati Doktori, pika ime e dobët, në vitin ‘94, me referendumin që u bë për Kushtetutën. Ky do të jetë fati i të dyve bashkë”, u shpreh Meta.

Meta ishte i drejtpërdrejtë kur e quajti Edi Ramën aventurier politik dhe një rrezik për vendin.

Rama manipuloi ndërkombëtarët
Meta akuzoi direkt Edi Ramën se mashtroi ndërkombëtarët për reformën në drejtësi. Sipas tij, Rama kërkonte kapjen e sistemit dhe shkatërrimin e opozitës.

Rama manipuloi disa ndërkombëtarë për reformën në drejtësi. Rama synonte kapjen e reformës në drejtësi dhe shkatërrimin e opozitës dhe shpërbërjen e Partisë Demokratike, pasi ishin përpunuar deputetët që të votonin një reformë të njëanshme.

Ai e provokonte në mënyrë të vazhdueshme opozitën, sepse nuk e donte në zgjedhje. Dështoi skenari i tij për zgjedhje pa opozitën, ndaj u detyrua të ulet në tryezë. Kanë bërë marrëveshje për të zgjidhur hallet e tyre, dhe jo për standardet dhe demokracinë. Marrëveshja duhej të bëhej në tryezën e partive, të ishte transparente dhe të mos cenonte Kushtetutën, Kodin Zgjedhor apo mundësitë për koalicione.

Rama nuk mendon për një sistem me dy parti, as me një parti. Ai kërkon dhe mendon vetëm një individ, veten e tij. Nuk mund të sillesh si pronar i një vendi dhe të bësh cfarë të duash me demokracinë”.

Meta s’kursen Bashën: Politikan pa shtyllë kurrizore, Rama e gënjeu
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka shpërthyer në akuza të ashpra dhe ndaj kryetarit të PD, Lulzim Basha, pas sulmeve të këtij të fundit në drejtim të LSI-së.

Meta u shpreh se Basha është politikan pa shtyllë kurrizore, duke mos i qëndruar marrëveshjeve.

“Ai nuk ka shtyllë kurrizore. Nuk e mban fjalën. Për mua është politikani i vetëm i OSHEE-së. S’është garant i kauza të mëdha”, u shpreh Meta.

‘LSI shpk? Lista e PD në Vlorë u pagua’
Ai shtoi se Rama u tall me të kur i dha disa drejtori si ajo e OSHEE e Hipoteka, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me organizimin e zgjedhjeve dhe nuk kërkoi shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

“Ai bën si i fortë se ka Edin, por Edi ia hedh atij, këtë duhet ta dijë.

Në vend që të ndërronte Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, vajti mori drejtorin e OSHEE-së. Ç’lidhje ka OSHEE-ja me zgjedhjet? Ia dha Rama për t’u tallur. Në cilën shtëpi të kthehen votuesit e PD, në shtëpinë e OSHEE, Hipotekës, Burgjeve? Le t’i kthejë. Le të shohim sa do kthehen në 25 Qershor…”, tha Meta.
 
“Lista e PD në Vlorë u pagua, PD-ja është shpk”
Ish-kreu i LSI iu përgjigj Bashës edhe për deklaratat e tij se LSI është sh.p.k e cila në 25 qershor do falimentojë.

Meta tha se LSI nuk ka kandiduar njerëz me lekë, ndërsa ngriti dyshimet për listën e PD në Qarkun e Vlorës, ku sipas tij, Basha ka kandiduar figura që s’kanë lidhje me PD.

Deklaratat e Bashës janë dëshpërim. Aq më tepër kur të kërcënon një politikan si zoti Basha. Z.Basha ka një ftesë nga Vasili për të dalë në debat dhe nuko duhet t’i shmanget këtij debati. Ka mundësinë të ketë një përballje të vërtetë me z.Vasili, se kush është sh.p.k LSI apo PD e z.Basha. Ka edhe personalitete të PD që mendojnë se sh.p.k është ajo e z.Basha dhe lista është ajo që e tregon se PD është sh.p.k.

Zoti Basha as kryetarin e FRD, nuk e ka në listë, ndryshe nga sa premtoi pë7r 30%. Belindi ishte çdo ditë në çadër, i mblidhet nga 200-300 njerëz dhe nuk e futi në listë.

LSI nuk vendos kandidat me lekë në listat e deputetëve. Por shkoni pyesni në Vlorë për listën e PD, njerëz pa kontribute, që nuk i njeh partia. LSI nuk ka kandiduar njerëz pa kontribute dhe prandaj do të jetë forcë e parë”, tha Meta.

Ndonëse nuk kurseu sulmet ndaj Bashës, nga ana tjetër, Meta vlerësoi jo pak ish-kryeministrin Sali Berisha.

“Është i vetmi politikan që në 27 vite kam pasur bashkëpunimin më të mirë”, theksoi më tej, Meta.

“Pse nuk e doja Saimir Tahirin ministër të Brendshëm”
Ilir Meta ka folur për herë të parë për rezervat e tij për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Duke iu përgjigjur akuzës së Ramës se LSI nuk mban përgjegjësi për dështimet, por kërkon vetëm të përfitojë, Meta thotë se ai nuk mund të mbante përgjegjësi për Saimir Tahirin dhe drogën.

LSI-ja nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi për gjërat që kanë shkuar keq gjatë qeverisjes.

Absolutisht LSI-ja ka marrë të gjitha përgjegjësitë e saj. LSI-ja ka reflektuar. LSI-ja ka bërë edhe zëvendësime ministrash, madje edhe në funksione të tjera. Përgjegjësinë për drogën duhet ta mbajë Rama, nuk mund ta mbajë LSI-ja, sepse zgjedhja e Saimir Tahirit në krye të Ministrisë së Brendshme ka qenë një zgjedhje e tij personale, edhe pse ka pasur kundërshtime të mëdha edhe nga brenda nga PS-ja, por edhe unë i kam shprehur rezervat e mia atij dhe personit në fjalë”.

Ia keni shprehur personalisht? Dhe çfarë ju ka thanë Rama?
Më ka thënë që ky është njeriu më i besuar, nuk kam njeri tjetër më të besuar. Përgjegjësinë për çështjen e drogës e ka Rama dhe askush tjetër dhe LSI-ja nuk ka asnjë lidhje.
Përgjegjësinë për futjen e shumë elementeve me rekorde kriminale në parlament e ka vetëm Rama dhe nuk ka asnjë përgjegjësi LSI-ja. Edhe një deputet që kishte LSI-ja që nuk e dinte se ishte me këto probleme, e kishte marrë Rama. Kjo është historia.
Tani për çfarë ka përgjegjësi LSI-ja? Për koncesionet? LSI-ja ka dy vjet që ka dorëzuar në parlament ligjin për koncesionet. Pse? Sepse është pasuri e të gjithë shqiptarëve dhe nuk mund të jepen koncesionet fshehurazi, të jepen burimet natyrore të Shqipërisë fshehurazi, të jepen miliardë euro fshehurazi. Aty i kemi të ardhurat, nuk i kemi tek taksat e larta.

Pse nuk i keni kundërshtuar fort, z. Meta?
Mendoj se këto mesazhe janë dhënë në mënyrë të qartë për të gjithë ata që kuptojnë nga politika, por natyrisht që tani është momenti që të jenë edhe më të qarta, meqenëse zoti Rama thotë se LSI-ja nuk merr përgjegjësi dhe ai merr përgjegjësi. Nuk e di se për çfarë ka marrë përgjegjësi zoti Rama? Për zotin Rama gjithmonë përgjegjësinë e ka ose Berisha, ose Luli, ose LSI-ja. Pra, gjithmonë ai fajin do ta gjejë diku, asnjëherë nuk do ta gjejë te vetja e tij. Unë mendoj se kjo arrogancë e tij do të ndëshkohet në mënyrë të pandalshme më 25 qershor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here