HYRJE Kosova Ilir Meta: Statusi i Kosoves, nuk ka vend per diskutim

Ilir Meta: Statusi i Kosoves, nuk ka vend per diskutim

0
147

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, z. Ilir Meta thotë se nuk ka asnjë shans për bisedime të tjera mes Serbisë dhe Kosovës që do të synonin çështjen e statusit, që për Shqipërinë, aleatët, shumicën e vendeve demokratike dhe për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, është pavarësia në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Zoti Meta në një intervistë për gazetën “Illyria” dhe radio “Kosovën”, dhënë korrespondentit në Shqipëri, Denion Ndrenika, thotë se diplomacia shqiptare ka qenë dhe mbetet në një koordinim shumë të ngushtë dhe efikas me diplomacinë amerikane, por edhe me diplomacitë e tjera si ato britanike, gjermane, franceze, italiane dhe të vendeve të tjera, në mënyrë që ky moment i ri të shfrytëzohet për të rritur dhe konsoliduar njohjen ndërkombëtare të shtetit të ri të Kosovës. Ministri Meta thotë gjithashtu se ishte Serbia që kërkoi opinion në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ishte ajo që u shpreh që do të respektonte vendimin, pavarësisht se cilido që të ishte ai, ndaj shton se tani ka ardhur koha, që Serbia vërtetë të respektojë këtë vendim dhe të shikojë përpara.

-Zoti zëvendëskryeministër, pas shpalljes së opinionit këshillimor nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, duket se çështja e Kosovës ka marrë edhe ligjërisht një rrugë më të madhe se sa ishte zgjidhur deri më tani. Ju edhe si ministër i Jashtëm i Shqipërisë, keni marrë dhe keni shkëmbyer mesazhe me homologët tuaj mbi rolin që ka pasur Shqipëria në të gjithë veprimtarinë e saj për çështjen e Kosovës. Dua të di më tepër, a është kjo e gjitha çfarë duhet të kishte bërë Shqipëria për Kosovën, apo ka ende një “as” që e mban si rezervë nën mëngë?

-Ilir Meta: “Besoj se Shqipëria ka dhënë të gjithë angazhimin e saj maksimal në drejtim të procesit të njohjeve të Kosovës deri tani, por njëkohësisht edhe në drejtim të mbarëvajtjes së opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë përmes pjesëmarrjes së saj aktive me ekspertë nga më të mirët evropianë edhe në seancat e zhvilluara në Gjykatën e Hagës duke dhënë argumente shumë solidë në mbrojtje të së drejtës së popullit të Kosovës për të shpallur pavarësinë dhe shtetin e tyre. Njëkohësisht diplomacia shqiptare ka qenë dhe mbetet në një koordinim shumë të ngushtë dhe efikas me diplomacinë amerikane, por edhe me diplomacitë e tjera si ato britanike, gjermane, franceze, italiane dhe të vendeve të tjera, në mënyrë që ky moment i ri të shfrytëzohet për të rritur dhe konsoliduar njohjen ndërkombëtare të shtetit të ri të Kosovës. Por, edhe për të ndihmuar një dialog konstruktiv midis Kosovës dhe Serbisë, kuptohet jo për çështjen e statusit, pasi edhe sipas opinionit të kësaj gjykate jashtëzakonisht prestigjioze, (opinion i kërkuar nga vetë Serbia), pavarësia e Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe në përputhje të plotë me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit për Kosovën. Në të gjitha këto drejtime, diplomacia shqiptare është jashtëzakonisht aktive. Mbi të gjitha është e rëndësishme që të theksojmë efikasitetin e të gjitha përpjekjeve tona bashkë me diplomacitë e vendeve të tjera në koordinim të ngushtë, gjë që u theksua edhe në mesazhin që Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton më dërgoi pak ditë më parë”.

-Zoti Meta, veçova dy elementë në shpjegimin që më dhatë. Së pari, që ligjërisht kemi një situatë krejt të re, pasi opinioni këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e ka bërë të qartë tanimë çështjen e Kosovës. Dhe, së dyti; për vazhdimin e bisedimeve. Ju thatë se janë çështje teknike, mirëpo Beogradi duket si shumë vështirë që të pranojë bisedime vetëm në këtë nivel. Çfarë duhet bërë më tepër, a mund dhe a duhet që Shqipëria të paraqesë një kundërezolutë me aleatët e saj, kryesisht me Shtetet e Bashkuara, që t’i kundërvihet një rezolute të mundshme të Serbisë në Kombet e Bashkuara?

-Ilir Meta: “Shqipëria nuk ka synuar dhe nuk synon që të ndërmarrë iniciativa të njëanshme, sikurse mund të kishte edhe një rezolutë të ndërmarrë pra nga Shqipëria, pasi kuadri, në të cilin ne e shohim çështjen e Kosovës, nuk është një kuadër i ngushtë. Pra, nuk e shohim si një çështje e ngushtë mes Shqipërisë dhe Serbisë, por si një kuadër shumë i gjerë. Pra, është një angazhim i jashtëzakonshëm i komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund gjenocidit në Kosovë, për të rikthyer atje popullsinë e shpërngulur me dhunë apo më saktë, një gjenocid etnik, është një angazhim i komunitetit ndërkombëtar përmes rezolutës 1244 për të përcaktuar një periudhë qeverisjeje tranzitore, gjatë së cilës do të gjendej mundësia që të përcaktohej statusi final dhe njëkohësisht populli i Kosovës të shprehte në mënyrë të lirë vullnetin e tij. Pra, në të gjithë drejtimet Shqipëria vepron në koordinim të ngushtë me diplomacinë amerikane dhe diplomacitë evropiane dhe absolutisht që gjithçka do të bëhet në funksion të një qëndrimi sa më konstruktiv në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ne do të dëshironim dhe shpresojmë që edhe Serbia të tërhiqet nga kjo rezolutë e njëanshme, e cila nuk kontribuon aspak, do të thoja, në përmirësimin e situatës në rajonin tonë, përkundrazi, pasi kuptohet që në fund të fundit Serbia duhet të tregojë më shumë respekt për iniciativën e saj, për kërkesën për të dhënë një opinion Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Të mos harrojmë se ishte Serbia që kërkoi këtë gjë, ishte ajo që u shpreh që do të respektonte vendimin, pavarësisht se cilido që të ishte ai dhe tani ka ardhur koha, që Serbia vërtetë të respektojë këtë vendim dhe të shikojë përpara. Ne vëmë re që pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, shumë politikanë që nuk ishin shprehur më përpara në mënyrë konstruktive për Kosovën, tanimë po flasin hapur dhe qartë, siç është rasti i ish-ministrit të Jashtëm serb, Vuk Drashkoviç, por edhe shumë politikanë të tjerë, të cilët kanë pasur një retorikë shumë më të fortë për këtë çështje në të kaluarën”.

-Megjithatë zoti Meta, ju besoni vërtetë se ndryshimi pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të vijë në Serbi?! Duhet thënë se Serbia është shumë agresive për çështje, për të cilat pretendon se i takojnë, qoftë nga motivi historik, qoftë nga motivi ligjor. Në fakt, nuk më duket zoti Meta se Serbia po tregohet e zbutur në këtë drejtim.

-Ilir Meta: “Unë nuk thashë se Serbia ka reflektuar ashtu siç të gjithë do të dëshironim, në mënyrë konstruktive. Por, ne do të dëshironim, e ritheksoj edhe një herë tjetër, që ajo të bëhej pjesë e zgjidhjeve dhe e një perspektive evropiane për Kosovën, për vetë Serbinë dhe për rajonin tonë. Një konflikt i pandalshëm, ndërkohë që kemi një realitet të ri, ndërkohë që edhe nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare kemi një përforcim të këtij legjitimitetit të këtij realiteti të ri që është shteti i ri i Kosovës, absolutisht që nuk ndihmon Serbinë, nuk ndihmon serbët që jetojnë në Kosovë dhe në përgjithësi nuk ndihmon perspektivën evropiane të të gjithë rajonit tonë. Dhe, Serbia natyrisht që ka përgjegjësitë e saj dhe ne dëshirojmë që ajo t’i marrë këto përgjegjësi”.

-Zoti Meta, më duhet t’u bëj një pyetje që lidhet me ndryshimin e kufijve apo me shkëmbimin e territoreve. Padyshim në aspektin historik, ideologjik, të ligjshmërisë apo në aspektin e kohërave moderne, pra të kohërave të reja, kjo nuk vihen në pyetje, pra nuk është ndonjë gjë me intres për t’u diskutuar. Por, dua të di se përderisa ka diskutime në Serbi, përse të mos kemi ndonjë motiv apo bie fjala ndonjë format të bisedimeve “2+4” si në rastin e bashkimit të Gjermanive edhe në rastin e Shqipërisë? Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç tha pak ditë më parë në Kosovë se çështja shqiptare dhe çështja serbe mbeten të pazgjidhura. Ka ndonjë paralele mes tyre?

-Ilir Meta: “Nuk e besoj se mund të hiqen paralele midis çështjes shqiptare dhe asaj serbe, për arsye se kemi dy popuj dhe dy kombe në pozita krejtësisht të ndryshme. Kemi një komb (kupto: serbët), i cili është synuar, mësuar t’i nënshtrojë kombet e tjerë, popujt e tjerë, fqinjët, t’i asimilojë. Për fat të keq vetëm në një të kaluar të freskët gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviçit, kemi parë se si projekti i një Serbie të Madhe ka mbytur në gjak Ballkanin dhe vetë popullin serb me pasoja katastrofike. Ndërkohë, që kemi një realitet tjetër, kemi një histori të padrejtë me shqiptarët, me ndarje të vazhdueshme midis tyre. Shqiptarët kanë qenë kombi që ka qenë më i ndëshkuari gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Por shqiptarët, e kam theksuar edhe më parë dhe më pëlqen ta nënvizoj, janë kombi që fiton më shumë për shkak të padrejtësive të kohës së kaluar, nga kjo epokë e re, nga kjo epokë e integrimeve evropiane. Ndaj, shqiptarët kanë përqafuar kudo ku jetojnë alternativën e integrimit evropian. Nuk është koha për të diskutuar për ndryshim kufijsh, por është koha për të hequr kufijtë në të gjithë Ballkanin”.

-Zoti ministër i Jashtë, ju keni marrë vlerësime nga Departamenti amerikan i Shtetit për politikën që keni ndjekur ndaj Serbisë, qoftë edhe me nismën tuaj personale. Unë dua të di se përderisa, të paktën në pamje të parë, nuk duket se kemi një qëndrim të ngjashëm apo ndonjë hapje kaq të rëndësishme nga ana e Serbisë, a mendoni se është shumë e vlefshme që Ju personalisht dhe qeveria e Shqipërisë të vazhdoni me këmbëngulje këtë politikë kaq të mirë, të butë, shumë paqësore me Serbinë? Të kuptohemi, nuk po them për politikë agresive.

-Ilir Meta: “Besoj se thelbi i mesazhit të Sekretares së Shtetit, zonjës Klinton, ishte shumë i qartë; që qeveria shqiptare përgëzohej në të njëjtën kohë për angazhimin e saj të jashtëzakonshëm për afirmimin e drejtë të një kauzës së një Kosove të pavarur, demokratike, evropiane, por njëkohësisht vlerësohet shumë për politikën e saj të një pajtimi rajonal me Serbinë, një politikë e cila e bën edhe më kredibël në fakt edhe angazhimin e Shqipërisë për një Kosovë të pavarur, evropiane. Besoj se politika jonë, e cila ka qenë jashtëzakonisht e drejtë dhe ka qenë aktive, nuk do të frenohet në drejtim të iniciativave të vazhdueshme për të ecur më tej me raportet tona me Serbinë, pasi ka një boshllëk shumë të madh. Iniciativat tona kanë qenë të vazhdueshme, të qëndrueshme dhe shpeshherë të njëanshme dhe sikurse u shprehët edhe ju, pala tjetër nuk është përgjigjur me të njëjtin ritëm. Por, ne shpresojmë që kjo dinamikë të përforcohet pasi është në interesin e të gjithëve, është në interesin e Serbisë, është në interesin e Shqipërisë, është në interes të Kosovës dhe të një pajtimi në tërësi të shqiptarëve dhe serbëve kudo në rajonin tonë si dhe në interes të stabilitetit të këtij rajoni për Evropën dhe për NATO-n”.

-Zotëri, çfarë mendoni për diskutimet nën zë për një status disi të veçantë për serbët në Mitrovicë, në veri apo në zonat ku jetojnë në Kosovë? Ka zëra që flasin për një model, për një format të ngjashëm me atë të Tirolit të Jugut, por nuk më duket se kjo është në përmbajtje të planit të presidentit Marti Ahtisari.

-Ilir Meta: “Unë besoj se përpjekjet për një status tjetër, i cili pavarësisht nga specifikat e ndryshme në përgjithësi konfigurohet si një status “Ahtisari Plus”, duhet të them se janë të pavenda, për aq kohë sa për fat të keq, nën instrumentalizimin e qarqeve të caktuara në Beograd nuk është lejuar komuniteti serb në veri të Kosovës që të gëzojë të gjitha drejtat që i jep paketa e Ahtisarit. Pra, mendoj se në rast se do të plotësohen, do të implementohen të gjitha ato të drejta që i jep paketa e Ahtisarit, absolutisht komuniteti serb në veri të Kosovës do të jetë i kënaqur, ashtu sikurse duket se gjithnjë e më i kënaqur është komuniteti serb në Kosovën qendrore dhe në rajone të tjera më në brendësi”.

-Zoti Meta, dua di diçka më tepër edhe për Marrëveshjen Kornizë të Ohrit në shtetin maqedonas. Nuk më duket se shqiptarët duhet ta ndjejnë veten jashtëzakonisht të kënaqur nga zbatimi i saj 9 vjet pas nënshkrimit. Ka probleme shumë serioze për shqiptarët, ka mungesa të partive shqiptare në Kuvendin e shtetit maqedonas, ka gjithashtu mospajtime hera-herës, pavarësisht se prej cilës parti politike shqiptare vijnë. Çfarë duhet të bëjë Tirana më konkretisht, po i them unë në thonjëza “me më shumë egërsi”, që t’i bëjë bashkë shqiptarët në shtetin maqedonas, me qëllim që të mos kemi më pengesa të tilla dhe zbatueshmëri të mirë të Marrëveshjes së Ohrit?

-Ilir Meta: “Mesazhi i Tiranës ka qenë dhe mbetet tepër solid, që Marrëveshja e Ohrit është një kuadër i domosdoshëm, zbatimi i plotë i së cilës përmirëson më tepër raportet ndëretnike në Maqedoni dhe plotëson edhe më tej shumë të drejta të parealizuara të shqiptarëve në bazë të Marrëveshjes së Ohrit. Sigurisht që ka vështirësi. Unë pak javë më parë, në fund të muajit korrik kam qenë për vizitë zyrtare në Maqedoni. Jam takuar me të gjithë udhëheqësit e Maqedonisë dhe me të gjithë udhëheqësit shqiptarë atje. Ndërkohë, krerët e partive kryesore shqiptare kanë qenë në Shqipëri, janë takuar me drejtues të Shqipërisë. Në këtë drejtim, mesazhi ka qenë i qartë: Duhet më shumë bashkëpunim midis të gjitha forcave politike shqiptare, për të kërkuar implementimin korrekt të Marrëveshjes së Ohrit dhe zbatimin e të gjithë atyre ligjeve dhe vendimeve të rëndësishme. Ne mendojmë se Marrëveshja e Ohrit ende nuk është realizuar në atë masë që do të dëshironte komuniteti shqiptar atje. Por, njëkohësisht ne mendojmë se që nga koha kur u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, është bërë një progres substancial i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni dhe ky është një progres që duhet të vazhdojë edhe më tej”.

-Zoti Meta, një kthim mbi çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Gjatë vizitës së pritshme të presidentit serb Boris Tadiç në Tiranë, a do të shtronit ndonjë kërkesë konkrete, ndonjë plan konkret për të drejtat e shqiptarëve atje?

-Ilir Meta: “Të drejtat e komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës mbeten një çështje shumë e rëndësishme në raportet e Tiranës, çka u konfirmua edhe në bisedimet që unë pata në Beograd, gjatë vizitës zyrtare në mars të këtij vitit me presidentin Tadiç dhe me personalitete të tjera, por edhe në vizitën që unë zhvillova në Luginën e Preshevës. Njëkohësisht, dua të theksoj me kënaqësi edhe angazhimin e presidentit Tadiç si në takimin që ai zhvilloi me mua në Beograd, por edhe pak javë më pas në mesazhet që ai dha në Luginën e Preshevës, duke u shprehur për një integrim më të mirë të komunitetit shqiptar dhe plotësim të të drejtave të tyre. Dhe, unë besoj që tani që shqiptarët kanë krijuar edhe Këshillin Nacional të tyre në Serbi, do të kenë më shumë mundësira, më shumë hapësira, më shumë të drejta dhe më shumë përgjegjësi për të marrë vendime, të cilat përmirësojnë jetesën e tyre. Dhe, absolutisht në çdo takim çështjet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, janë një çështje e përhershme në raportet tona, pra midis Shqipërisë dhe Serbisë. Ne synojmë që Lugina e Preshevës të kthehet në një burim të qëndrueshëm të stabilitetit dhe të bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe serbëve”.

-Zoti Meta, pyetja e fundit lidhet me tensionin artifical në Himarë pas vdekjes aksidentale të dyshuar si të qëllimshme të një personi, por më shumë edhe për shkak të ndërhyrjes së kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Hirësisë së Tij, Anastas Janullatos. Pse mendoni zoti Meta se ndodhin këto gjëra dhe çfarë duhet bërë që të mos kemi më ndërhyrje të tilla qoftë të politikës, qoftë të autoriteteve të besimit, aq më tepër kur i përkasin autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare?

-Ilir Meta: “Më shqetësuese se deklaratat apo përpjekjet për të instrumentalizuar këtë incident të rëndë, unë mendoj se shqetësuese, më e rrezikshme është humbja e jetës së një qytetari të Himarës. Natyrisht që i mbetet autoriteteve të shtetit, i mbetet prokurorisë, policisë, i mbetet gjykatave për të zbardhur këtë akt të rëndë kriminal. Ndërsa, mendoj se çdo lloj përpjekje për të politizuar dhe për të instrumentalizuar politiksht apo për arsye të tjera, është një reminishencë e politikave të vjetra, që nuk mund të fitojnë dot më terren në një Shqipëri evropiane, në një Ballkan evropian”.

-Zoti zëvendëskryeministër, faleminderit!

-Ilir Meta: “Faleminderit ju”!

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here