Home Sport Humbja poshteruese e Brazilit, ja arsyet

Humbja poshteruese e Brazilit, ja arsyet

507
0

Brazili1Tani do të flitet se me Tiago Silvën dhe Nejmarin në fushë do kishte qenë një histori tjetër, ose të paktën, Brazili nuk do të ishte shembur aq lehtë. Edhe pse kundërprova nuk do të ekzistojë kurrë, gjithsesi shkatërrimi i “seleçao”-s nuk erdhi vetëm si pasojë e dy mungesave të vetme në formacion, ndonëse po flasim për emra të rëndësishëm. Kombëtarja e Skolarit, me përjashtim të ndonjë flake kashte, nuk e ka ndriçuar asnjëherë realisht skenën e këtij Botërori. Mbrojtje e shthurur, mesfushë pa pikë teknike në këmbët e lojtarëve që e formonin dhe një sulm inekzistent në mungesë të Nejmarit, nuk mund të mjaftonin ndaj Gjermanisë, sepse fundja, ftojmë të gjithë që të na japin një emër sulmuesi më të papërfillshëm sesa Fred… Kundër Gjermanisë, në fund të pjesës së parë, saktësia në pasime e Brazilit ishte vetëm 73 për qind, e cila nuk është shumë larg mesatares së përgjithshme të ofruar në këtë turne nga të zotët e shtëpisë (78 për qind), numra që nuk janë të denjë për një skuadër pretendente. Por mbase, në Belo Horizonte, problemi i vërtetë i verdhejeshilëve ishte se patën përballë një “Zonjë” skuadër, atë të Joakim Lëvit, pikërisht sepse deri në gjysmëfinale, rivalët e tjerë që kishin përballuar, nuk ishin kurrsesi të nivelit të “pancerave”, edhe pse talent kishin mjaft, si në rastin e Kilit dhe të Kolumbisë.

Shpërqendrimet
Shumë kurioz është fakti që edhe pse trajneri Skolari vendosi t’i besojë një Brazili të “europianizuar”, me urdhrat e qartë për t’u mbrojtur dhe për të tentuar një kundërsulm të shpejtë, vetëm në 45 minutat e para u lejoi rivalëve 10 raste të pastra për gol, mes të cilave gjysma u dërguan në fund të rrjetës. Ky uragan me raste, fryt i shpërndarjes së shpejtë dhe të qartë të lojës nga ana e gjermanëve, bën të kuptohet qartë diferenca e forcave që ekziston mes dy ekipeve, sepse pikërisht nga mesfusha maturoi edhe fitorja historike e futbollistëve të Lëvit. Gjeometrive dhe shpejtësisë së Shvajnshtaigerit, Khediras dhe Krosit, trajneri Skolari iu përgjigj me Fernandinjon, Gustavon dhe me të zbehtin Oskar. Mjafton të krahasosh këto emra për të kuptuar që logjikisht nuk ka duel, nuk ka ndeshje, pasi edhe numrat e thonë këtë. Gjermanët, vetëm në pjesën e parë (pasi vetë ky fraksion mjafton për t’u analizuar loja), ofroi 272 pasime, nga të cilat afro 90 për qind e tyre shkoi në destinacion. Pastaj, shumë mure me të parën mes gjermanëve, rikuperime dhe vertikalizime të papritura bënë që brazilianët vetëm t’i shijonin ato, sepse teksa rezultati thellohej, askush prej të zotëve të shtëpisë nuk kuptoi më se çfarë po ndodhte në fushë, pasi i gjithë Brazili, jo vetëm beniaminët e tyre, hynë në një gjendje shokuese.

Sa shumë vrapime
Duke e lënë mënjanë faktin se në shifrat 5-0 pas 29 minutash përmbysja do të kishte qenë e pamundur për këdo, ajo që habiti te Brazili ishte mungesa e një lideri në fushën e lojës, e atij që duhet të marrë përsipër ndërtimin e një aksioni të vetëm, të qartë dhe me destinacion portën kundërshtare. Fundja edhe vetë trajneri Skolari kujt mund t’ia besonte këto detyra, kaçurrelave të David Luizit apo muskujve të Hulkut? Apo akoma më keq “lopçarëve” të mesfushës si Luis Guztavo e Fernandinjo, që mbase mund të dinë të shkatërrojnë diçka, pasi për të ndërtuar, nuk do ishin të aftë as për të ngritur një kështjellë rëre… Por akoma më shumë, si ka mundësi që brazilianët nuk dinë më të vrapojnë, me pjesën e parë që i pa të zotët e shtëpisë të lëviznin 5.3 kilometra më pak sesa gjermanët (51.3 kilometra për brazilianët dhe 56.6 për gjermanët). Fundja, jo më kot thonë që më të dobëtit teknikisht mundohen ta baraspeshojnë këtë diferencë duke vënë muskujt në punë, duke vrapuar. Por mbase, duke parë edhe këtë statistikë të fundit, problemi më i madh i këtij Brazili sivjet ishte mburrja e tepruar, vetëvlerësimi i gabuar, sepse humbja 7-1 konfirmon fare qartë se asnjëri prej lojtarëve të “seleçao”- s nuk e kishte menduar për asnjë moment se mund të ishte më i dobët se gjermanët. Por, në fund, e panë se çfarë figure bënë përpara të gjithë botës…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here