HYRJE Artur Zheji Hera e dyte kundër Metës apo kundër King maker-it?

Hera e dyte kundër Metës apo kundër King maker-it?

0
142

zhejiPërtej fjalëve ngjizur me tritol verbal dhe helm të fortë, që po vërshojnë këto orë, nëse largohemi në kohë dhe hapësirë, shohim se në harkun e 4 viteve, sulmi politik i sotshëm kundër Ilir Metës dhe LSI, po shfaqet si një kopje e përsëritur më parë.

Në të dyja rastet, “Opozitat”, ajo e djeshmja dhe ajo e sotmja, vërsulen me të tëra energjitë e tyre kundër Forcës Politike të Tretë. Me pikësynim, zhbërjen dhe gllabërimin e numrave dhe influencave të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Madje edhe shkaku apo preteksti për të hedhur “popullin” në betejë politike, edhe në vitin 2011, si edhe sot e kësaj dite, në vitin 2015, është majisur apo inkubuar përmes akuzash që mbështeten në video. Madje në të dyja videot nuk mungon sërish Dritan Prifti, me mprehtësinë e tij të hidhur, në një formë ose në një tjetër.

Kush e ka ndjekur politikë-bërjen shqiptare, të këtyre pothuaj dy viteve të fundit, Kryeministri Rama ka qenë deri dje, tabela kryesore e qitjes së akuzave dhe presionit të Opozitës. Ndërsa Ilir Meta, ish-aleati jetik i rezultatit të brishtë elektoral të vitit 2009, në kostumin e Kryetarit paqësor të Kuvendit, përpiqej dhe jo pa sukses, të mbante një ekuilibër, por edhe të hidhte në eter një diversion trasversal. Diversion që padyshim deri dje i leverdiste Partisë Demokratike, e cila, gjykuar nga numrat e trishtuar të 23 qershorit 2013, ushqente një shpresë politike për një çarje të shpejtë Meta-Rama.

LSI, e deklaruar e majtë, por duke vepruar realisht si një parti e Qendrës, shërbente si një pol i moderuar dhe hera-herës mbante qëndrime të baraslarguara nga palët dhe betejat e tyre të zhurmshme radikale.

Nëse kemi parasysh se në vendet me demokraci të konsoliduar, Forcat Politike të Qendrës, të cilat nuk mbështeten në retorikën radikale politike, por në vullnetet reformuese dhe frontet përbashkuese kombëtare, janë sot, gjithmonë e më tepër të preferuara dhe të suksesshme, edhe LSI, duke ndjekur këtë trend, ka shënuar rritje reale dhe të konsiderueshme në të gjitha sondazhet e këtyre kohëve. Meta në terren është politikisht i pamëshirshëm për të koaguluar vota dhe për të transferuar drejt tij të pavendosurit. Kjo u pa edhe në vitin 2005, po ashtu edhe në vitin 2013.

Ngjarjet më të fundit, si edhe vëren në mënyrë inteligjente në shkrimin e tij më të fundit kolegu Shkullaku, pra këtë prishje të zhurmshme të një pakti mossulmimi që bartte politikisht Partia Demokratike ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim, kanë sjellë, ndoshta edhe si pasojë e trysnisë së pazakontë politike dhe mediatike, një reagim “luftarak” të Metës, një pothuajse tjetërsim të komunikimit të tij të deridjeshëm ndaj Opozitës. Askush nuk e di se çfarë tërmeti real i nëndheshëm e ka sjellë këtë prishje kaq radikale e që duket qartë se nuk ka ndonjë lidhje serioze me videon Bami, por duket qartë se Meta ka mbetur i befasuar.

Personalisht mendoj se ky reagim i ndryshuar i Metës, nëse do të shndërrohet në një strategji të qëndrueshme komunikative ndaj Opozitës, nuk është rruga më optimale që duhet të zgjedhë Ilir Meta dhe LSI.

Pavarësisht befasisë. Pavarësisht zhgënjimeve të pamohueshme në planin personal. Miqësia dhe investimi politik i Ilir Metës ndaj Lulëzim Bashës nuk përbën sekret për askënd. Nëse sot Basha është një figurë me reliev të veçantë në PD, nuk do të mund kurrsesi të ishte po aq, nëse humbte zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, të cilën e mundësoi LSI, me plus 20.000 vota. Por Basha ndoqi ligjësitë e ftohta të kalkulimeve politike. Duke hedhur një hap përpara, pavarësisht se mbi kë, mbështetet hapi në fjalë. Por kjo është një çështje tjetër. Është një kategori kodesh njerëzore që nuk ka lidhje me politikën.

Gjithsesi Opozita, nuk dihet akoma përse, përtej akuzave të videos Bami, që mbeten për t’u hetuar dhe për t’u provuar, duke goditur me të gjitha bateritë e saja Ilir Metën, ka forcuar de fakto kryesisht pozitat e kundërshtarit të vet, Kryeministrit Rama.

Ta ketë bërë këtë “gratis”? Apo ta ketë bërë edhe ajo, Opozita pra, nga vrulle emocionale të pakontrolluara? Ta ketë bërë këtë sepse iu dha fjala deputetit Doshi për një mbështetje “burrash”?

Apo ndoshta PD është në kërkim të një kauze të fortë morale në prag të zgjedhjeve vendore, të cilat duken tejet të vështira?

Kërcënimi taktik dhe diversiv për një aleancë të mundshme fluide PD-LSI, ishte e vetmja mundësi për të vënë në jetë skenarin e fortdëshiruar të zgjedhjeve të parakohshme. Tanimë ky skenar u ekzekutua duket se për vdekje, nga vetë Basha dhe Berisha, ndoshta gjykuar edhe nga vetë fakti se Meta nuk do ta ndërmerrte një skenar të tillë. Shenjat ishin të qarta, dhe ndoshta këtu buron irritimi i lidershipit të PD?

E largon edhe më, apo e afron më pranë Opozitën në pushtet, kjo përzgjedhje e zjarrtë dhe luftarake ndaj Ilir Metës? Po nëse Prokuroria e Përgjithshme pushon herët a vonë hetimet duke e quajtur këtë akuzë, thjesht një trillim dhe aq?

Apo ndoshta, në mënyrë të përsëritur, si në vitin 2008, në ndryshimet kushtetuese PD-PS dhe sidomos në përshtatjen e Kodit Zgjedhor, kryesisht anti-LSI, kemi një shkelje syri nga ana e PD, ndaj vetë Ramës, për t’u “çliruar” nga “King Maker”-i, Ilir Meta?…

Me qëllim, ndarjen në dysh të votave, tanimë trasversale dhe të shumta të LSI?

Si po reagon Edi Rama ndaj kësaj”shkelje syri” që u verbalizua edhe në fjalën e Kryetarit Basha në mitingun e 12 marsit, ku pothuajse i bëri thirrje Ramës që të ndahet nga Ilir Meta?

Dukshëm Rama duket i qetë.

Madje edhe më shumë se aq. I ngrohur.

Sepse, falë thirrjeve “Meta ik!”, ndjehet më i sigurt në poltronën e Kryeministrit, tek sheh, përveç të tjerave, zvogëlimin e mundësive reale të Opozitës për të kërcënuar pushtetin e tij. Sepse kuptohet dhe ndjehet fare mirë që tanimë përfituesi kryesor politik, në këtë kërleshje të ish-aleatëve të përpara 23 qershorit 2013, është vetëm ai.

Kryetari i Partisë Socialiste. Me një Dhuratë të Madhe të rënë nga qielli dhe selia blu.

Dhe Ilir Metës, sot i duhet një shtrëngim radhësh brenda vetes, sepse King makeri është gjithmonë një realitet që bie rëndë në stomaqet e mëdha të partive të derisotshme tradicionale.
“Mapo”

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here