HYRJE Eduard Zaloshnja Hapësirë për kandidatë të pavarur në zgjedhjet e 21 qershorit

Hapësirë për kandidatë të pavarur në zgjedhjet e 21 qershorit

0
166

zalosnjaBahri Boriçi ka arritur diçka që s’e ka arritur asnjeri në çerek shekullin e fundit – ka fituar garën bashkiake në një qytet të madh të Shqipërisë, pa u përkrahur prej njërës nga partitë e mëdha. Ai u zgjodh kryebashkiak i Shkodrës në vitin 1996, duke lënë pas kandidatët e përkrahur nga PD-ja apo PS-ja. Atë e përkrahu grupimi politik “E Djathta e Bashkueme Shkodrane”, i cili fitoi vetëm 4 vende në Këshillin Bashkiak, përkundrejt 11 vendeve që fitoi PD-ja dhe aleatët e saj, apo 6 vendeve që fitoi PS-ja dhe aleatët e saj.

Suksesin e Boriçit janë munduar ta përsërisin kandidatë të tjerë të pavarur nga dy partitë e mëdha, por të gjithë kanë marrë poshtë 1% të votave, përjashtuar Dashamir Shehin, i cili mori 6% të votave në garën e vitit 2000 për Bashkinë e Tiranës.

Që edhe në zgjedhjet e 21 qershorit do të ketë kandidatë të pavarur në garat e ndryshme bashkiake, është pothuaj e sigurtë. Por pyetja është nëse ndonjë nga këta kandidatë do të përsërisë suksesin elektoral të Boriçit.

Kanë qarkulluar zëra në media se do të ketë kandidatë të pavarur në Vlorën dhe Fierin tradicionalisht të majtë, por arsyet e kandidimit të tyre duken shumë egoiste – meqë nuk po rikandidohen për të N-tën herë në krye të bashkive, do të futen në garë si të pavarur, për t’i prishur punë partisë që nuk po i rikandidon. Inati është një fjalë shumë e rëndësishme në Ballkan, por e rëndësishme është për të prishur punë, e jo për të ndrequr. Këtë gjë e di edhe votuesi më i thjeshtë, e prandaj nuk ka gjasa që në Vlorë apo Fier të ndodhë ajo që ndodhi në Shkodërn e 1996-ës.

Po në bashkitë e tjera të mëdha si është situata?

Në territorin që do të përmbledhë Bashkia e Tiranës (nga Kërrba deri në Ndroq), partitë që fituan zgjedhjet e qershorit 2013 morën 60% të votave dhe partitë që humbën morën 38% të votave (FRD+AK morën 2% të votave). Katër vjet më parë, të njëjtat parti, në të njëjtin territor, i ndanë votat në raportin 52% me 48%. Gjë që tregon se një pjesë e konsiderueshme e elektoratit tiranas nuk është i ngulur përjetësisht në njërën apo tjetrën llogore.

Egzistenca e këtij lloj elektorati të pangulur në njërën apo tjetrën llogore u evidentua edhe në një sondazh që zhvillova para disa muajsh në Tiranë, nga i cili rezultonte se 33% e të anketuarve ishin gati të votonin një kandidat të pavarur në Tiranë (kandidatët hipotetikë që testova përballë kandidatëve të dy partive të mëdha ishin Fatos Lubonja, Dashamir Shehi dhe Gjergj Bojaxhi).

Nga përgjigjet e të anketuarve që ishin gati të votonin një kandidat të pavarur, dukej qartë se kishin pakënaqsi ndaj perfomancës së qeverisë Rama, ndërkohë që ishin të pafrymëzuar nga opozita e Berishës. (Ndoshta opozita e sotme e tij u kujton atë të fillimit të viteve 2000, kur kishte çdo javë sharje e fyerje në Kuvend dhe shperthime tritoli nëpër Shqipëri.)

Edhe në Shodër kemi patur një histori të ngashme elektorale. Në territorin që do të përmbledhë Bashkia e Shkodrës (nga Postriba deri në Velipojë), partitë që fituan zgjedhjet e qershorit 2013 morën 52% të votave dhe partitë që humbën morën 47% të votave (FRD+AK morën 1% të votave). Katër vjet më parë, të njëjtat parti, në të njëjtin territor, i ndanë votat në raportin 42% me 58%. Gjë që tregon se një pjesë e konsiderueshme e elektoratit shkodran nuk është i ngulur përjetësisht në njërën apo tjetrën llogore.

Në Shkodër nuk kam zhvilluar ndonjë sondazh, por për analogji me Tiranën, mendja ta do se edhe atje një kandidat i pavarur me reputacion mund të tërheqë një sasi të madhe votuesish të lëkundur.

Në mënyrë të ngjashme, edhe në Durrës ka patur lëvizje të ndjeshme të elektoratit nga njëri krah në tjetrin, por një kandidim i Agron Dukës nga e djathta (që duket shumë i mundshëm), do të tërhiqte një pjesë të mirë të elektoratit të lëkundur. Eksperienca e tij elektorale ka treguar se ka mundur të fitojë në zona tejet të djathta si kandidat e së majtës dhe anasjelltas. Pra në qoftë se Duka kandidon, zvogëlohen shanset e një kandidati të pavarur.

Në qytete të tjera të mëdha nuk ka patur lëvizje kaq të ndjeshme të elektoratit nga njëri krah në tjetrin dhe si rrjedhim, potenciali i një kandidati të pavarur do të ishte apriori më i vogël.

Duke përmbledhur, duket se frutat janë pjekur në pemën e elektoratit të lëkundur në disa bashki. Mbetet për t’u parë nëse ndonjë kandidat i pavarur do të ketë kapacitetin, enrgjinë dhe ambicien për t’i mbledhur ato fruta.

Aleksis Cipras mori vetëm 11% të votave në bashkinë e Athinës, kur garoi si kandidat i pavarur nga dy partitë e mëdha. Por disa vjet më vonë, ai fitoi zgjedhjet parlamentare në Greqi, për t’u bërë kryeministër i saj…

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here