Home Aktualitet Greqia kthen shqiptaret ne kufi, ve rregulla te reja per vizat

Greqia kthen shqiptaret ne kufi, ve rregulla te reja per vizat

1075
1

Mungesës së informacionit nga ana e qytetarëve për të kaluar kufirin, i shtohet dhe vështirësia artificiale që aplikon Greqia. Ndryshe nga vendet e tjera, policët grekë kanë kthyer dhjetëra qytetarë në kufi për mungesë dokumentesh. Madje dhe për ata që i kanë të plota kanë shtuar elementë shtesë si dëshmia penale e personit që i pret në Greqi. Ditën e parë në pikën kufitare të Kakavijës nga një autobus me 50 persona u arrit të kalohen vetëm tre persona pasi të tjerët u kthyen mbrapsht nga polici i kufirit. Po ashtu gjatë ditës së djeshme mbi 100 persona humbën të drejtën të shkelin në tokën helene. Kjo që ndodh me pikat kufitare të Greqisë është e paprecedentë pasi asnjë vend tjetër nuk ka krijuar kaq shumë burokraci për shtetasit shqiptarë. Lidhur me këtë shteti shqiptar duhet të kërkojë nga autoritet europaine që Greqia të monitorohet se si po aplikon procesin e liberalizimit të vizave pasi në shumë raste duket se ka tejkalim kompetence.
Greqia me rregulla alla greke
Situatë problematike mund të cilësohet ajo që po kalojnë qytetarët shqiptarë në pikën kufitare të Kakavijës. Policia doganore greke ka kthyer mbrapsht pjesën dërrmuese të shtetasve shqiptarë që janë paraqitur në këtë doganë duke u kërkuar të tregojnë në doganë shumën financiare me të cilën do të përballojnë ditët e qëndrimit në Greqi, por edhe garanci nga të afërmit që jetojnë atje, prenotime nga hotelet ku do akomodohen, etj. Në mungesë të një liste zyrtare të kërkesave, policia greke në Kakavijë ka kërkuar madje edhe një dëshmi penaliteti të personit pritës në Greqi, edhe ky i legalizuar në zyrat konsullore. Kjo gjë nuk rezulton të kërkohet në pikat e tjera kufitare, si për shembull në Kapshticë, ku lëvizjet kanë qenë normale. Ndërsa Kakavija është shndërruar në një ambasadë të re greke, autoritetet shqiptare po kërkojnë shpjegime si dhe përcaktimin e një liste dokumentesh zyrtare dhe unike për të gjitha pikat e kalimit kufitar.
Mungesë informacioni
Ndërkohë mungesa e informimit nga ana e qytetareve shqiptarë vazhdon të përligjë shumë kthime. Vetëm dje, një ditë pas hyrjes në fuqi të vendimit, autoritetet nisën përmes medias së shkruar një fushate informimi. Zyrtarët e policisë kufitare tregojnë se çfarë dokumentesh duhen. “Kushti numër një është pasaporta biometrike. Nëse udhëtimi do të jetë ajror duhet që bileta të jetë vajtje-ardhje, në rrugë tokësore qytetari duhet të ketë kushtet financiare për qëndrimin dhe siguracionin shëndetësor”, thotë shefi i sektorit të policisë kufitare, Genc Merepeza. Nuk lejohen të kalojnë edhe ata shtetas, të cilët kanë marrë një masë ndalim hyrjeje në një prej vendeve të zonës Shengen, e disa prej të refuzuarve këto dy ditë përveç mungesës së mjeteve të nevojshme financiare kanë rezultuar se ishin persona të padëshiruar për pesë vjet në një nga vendet e BE-së. Por fakti që numri më i madh i të kthyerve është në Kakavijë, ka bërë që të vihet në lëvizje Ministria e Brendshme.

Policia: Kthimi i shqiptarëve, moskuptim
Pas problemeve në pikën doganore të Kakavijës ku disa qytetarë shqiptarë nuk mundën të kalonin në shtetin fqinj të Greqisë, një takim pune është zhvilluar mes dy palëve. Nëpërmjet një njoftimi të posaçëm për shtyp Drejtoria e Përgjithshme e Policisë bën me dije se zv/drejtori i përgjithshëm i Policisë për Kufirin dhe migracionin Pëllumb Nako është takuar me përfaqësuesit e palës greke. Gjatë takimit është rënë dakord për koordinimin e veprimeve dhe për shmangien e problemeve me qytetarët shqiptarë që duan të lëvizin drejt vendit fqinj. Sakaq lëvizja e shtetasve shqiptarë drejt vendeve të zonës Shengen numëron një total daljesh prej 542 personash dy ditët e para. Pika kufitare e cila është shfrytëzuar më shumë nga shtetasit shqiptarë është ajo e Rinasit me 271 persona ndërsa Kapshtica dhe Kakavija zënë vendin e dytë për nga fluksi i daljeve përkatësisht me 112 dhe 52 persona të cilët janë larguar nga Shqipëria drejt shtetit Grek.

Vijon lëvizja nga të gjitha pikat e kufirit
Lëvizja e lirë e qytetareve shqiptarë nga porti i Durrësit drejt vendeve të BE-së po ecën pa probleme dhe pa fluksin e pritshëm para liberalizimit të vizave. Nga ana tjetër hyrja në fuqi e vendimit për lëvizjen e lirë ka ngjallur entuziazëm edhe tek emigrantët që po kthehen në atdhe për të kaluar festat e fundvitit. Sipas burimeve nga policia kufitare me tragetet e dy netëve më parë kanë udhëtuar drejt Italisë rreth 100 pasagjerë pa viza, ndërsa nga i njëjti burim bëhet e ditur se pala italiane nuk ka refuzuar asnjërin prej tyre. Në lidhje me fluksin e lëvizjeve të qytetareve pa viza, përfaqësues të kompanive të udhëtimit shprehen se fluksi po rritet dita ditës, ndërsa për ditën e dielë është regjistruar për momentin edhe numri më i madh i prenotimeve.

Drejtori për Ballkanin në KE flet për liberalizimin e vizave

Pierr Mirel: Mos abuzoni, jeni nën monitorim

Drejtori për Ballkanin në KE, Pierre Mirel në një intervistë për televizionin “Top Channel” tregon pasojat që vijnë nga abuzimi me heqjen e vizave dhe se gjithë shtetasit shqiptarë që kërkojnë të udhëtojnë në hapësirën “Shengen” duhet të plotësojnë disa kushte. “Nëse do të abuzohej me detyrimet, kjo mund të lindë idenë tek disa vende anëtare ‘që në fund të fundit, nuk e bëmë mirë me këtë liberalizim’. Ndaj është e rëndësishme që kushtet të respektohen. Kështu të gjithë qytetarët të mund të përfitojnë nga ky sistem, në mënyrë që të mos ketë rrezik ndonjë ditë e që disa vende anëtare të thonë ‘Jo, duhet ta pezullojmë’. Ndaj ne do ta monitorojmë këtë çështje. Do shohim sesi kushtet që çuan drejt marrjes së këtij vendimi, do të respektohen”, është shprehur Mirel.
A ka të drejtë Komisioni që të monitorojë dhe palën tjetër? Se si vendet anëtare do të respektojnë heqjen e vizave me vendet e Ballkanit?
Njerëzit mund të bllokohen, vërtet, në aeroport, sepse kushtet i bashkangjiten regjimit. Ka kushte, e do të pyeteni nëse ju i keni të ardhurat për të qendruar në vendin ku po shkoni. Pra, ekziston kjo mundësi. Ndaj, fushata e nisur tani është e rëndësishme për të parandaluar të tilla risqe”.
A është e mundur, sipas jush, që Shqipëria t’i plotësojë, brenda një viti, kushtet për proçesin e antarësimit, e që komisioni ta bëjë rekomandimin?
“Varet nga Shqipëria dhe parlamenti e qeveria të cilët duhet të punojnë fort për të siguruar se kushtet do të përmbushen. Topi është në fushën e Shqipërisë, siç është në fushën e Malit te Zi e siç do të jetë në atë të Serbisë vitin e ardhshëm, kur ne do të japim opinionin tonë”.

Fundjava pritet të rrisë fluksin e qytetarëve që do dalin jashtë vendit

Shtohet aplikimi për pasaporta, por jo fluksi i të ikurve

Me përjashtim të Kakavijës ku policët grekë veprojnë me rregullat e vendosur nga ata vetë, në pikat e tjera kufitare situata ka qenë normale. Fluksi i qytetarëve që kanë kaluar kufirin ka qenë normal duke llogaritur që pritshmëria ka qenë më e lartë. Ditët e fundit e vetmja që ka pësuar rritje ka qenë kërkesa për pajisje me pasaporta biometrike. Ministri Basha dje në një prononcim nga Brukseli tha se është trefishuar numri i aplikimeve.
Rriten aplikimet për pasaporta
Si një ndër pasagjerët e fluturimit të parë pa viza në Bashkimin Europian, shefi i dikasterit të Brendshëm, garanton se ekzistojnë të gjitha kapacitet për të përballuar fluksin e kërkesave për të vetmin dokument që mundëson udhëtimin e lirë në BE. “Ka pasur trefishim të ritmit ditor të aplikimit i cili do të vazhdojë të rritet edhe gjatë festave. Ne kemi marrë masa, kemi dyfishuar kapacitetin prodhues, po e shtrijmë rrjetin e aplikimit dhe të prodhimit në 4 postet konsullore me numrin më të madh të shqiptarëve, në Romë, Milano, Selanik dhe Athinë dhe e kemi të gatshëm instrumentin për ta shtrirë dhe në vende të tjera jashtë Shqipërisë sipas nevojës” tha Basha.
Basha: Mos harroni porositë
Ministri i Brendshëm ka qenë dhe dje në Bruksel ku ka theksuar se nuk duhet të shkelen procedurat nga qytetarët shqiptarë. “Kjo e drejtë e çmuar që tashmë i përket çdo shqiptari është pjesë e të drejtave të tij njerëzore të garantuara. Nuk është e pakufizuar, është e drejtë për të lëvizur të lirë, jo për të qëndruar dhe as për t’u punësuar në vendet Shengen. Duhet trajtuar me kujdes afati i qëndrimit 90 ditë çdo 180 ditë. Duhet të jetë e qartë përsa i përket kushteve të lëvizjes, pasaporta biometrike është e domosdoshme. Po kështu duhet të informohen mbi rregullat specifike për vende specifike. Mund të ndodhë që policia kufitare e vendit drejt të cilit drejtoheni t’ju pyes mbi qëllimin apo motivin e vizitës dhe mjetet se si do ta përballoni. Duhet të ketë një bashkëpunim të plotë me autoritetet kufitare të çdo vendi Shengeni”, tha Basha. Ministri i Brendshëm edhe dje ka qenë në Bruksel ku ka pasur takime të shumta me funksionarë të BE-së për t’i informuar lidhur me procesin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve.

Topalli: Liberalizimi i vizave, jo dhuratë
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, duke uruar të gjithë shqiptarët për liberalizimin e vizave, deklaroi në seancën plenare të së enjtes se ky proces ishte i merituar. “Shqiptarët e kanë merituar dhe nuk ishte dhuratë, sepse nuk ishte në dëshirën e të huajve të jepnin liberalizimin e vizave”, deklaroi Topalli, duke shtuar se “e kemi marrë me forcë e punë të madhe kundër vullnetit të z. Rama, që ka bërë çdo përpjekje dhe s’ka lënë letër pa shkruar në Bruksel”. Topalli tha se vendimi i datës 15 dhjetor ishte vendimi i “tokës së premtuar” dhe për këtë shprehu mirënjohjen e saj ndaj të gjithë deputetëve që kanë votuar pro në kushtet e vështirësive artificiale të ngritura nga kreu i PS-së.

Agjencitë e udhëtimit rrisin çmimet e biletave
Kërkesa në rritje për të udhëtuar drejt vendeve të zonës Shengen pas liberalizmit të vizave ka rritur çmimin e biletave, veçanërisht të agjencive ajrore. Qytetarët që paraqiten për të prenotuar, ose ata që kishin prenotuar një muaj më parë kanë mësuar se çmimet kane pësuar rritje më 50 deri në 100 euro më shumë. Gjithmonë në prag të festave kompanitë ajrore rrisin çmimin e biletave por në një përqindje më të ulët se sa këtë vit. Madje ka nga ato kompani që presin të bëjnë një tjetër rritje në ditët e mëtejshme, saqë kur paraqiten qytetarët për të blerë biletën, agjencitë e udhëtimin nuk dinë t’u japin çmimin pasi kompania ende nuk e ka vendosur. Në agjencitë e udhëtimit thonë se që pas datës 15 dhjetor ka një rritje të prenotimit të biletave. Një pjesë e qytetarëve prenotojnë on line, ose emigrantët ua kanë prenotuar nga vendi ku ata jetojnë të afërmve të tyre në Shqipëri, por një fluks më i madh pritet pas datës 20 dhjetor. Për shkak të informacionit të munguar mbi dokumentet që u duhet të kenë për të lëvizur në zonën Shengen, qytetarët trokasin herë pas here nëpër dyert e agjencive për të mësuar rreth tyre nga frika se mos do të kthehen siç ndodhi dy ditë më parë me disa prej tyre.

Ja kush janë 11 rregullat që mund të shkosh në Greqi

1. Hyrja në zonën Schengen pa vizë konsiston në një periudhë kohore të shkurtër. Ajo nuk përben më një shqetësim në të gjitha ato raste që nuk përfshijnë një udhëtim me qëllim reabilitimi, tregtie, arsimimi dhe jo për punësim. Ky qëndrim nuk duhet të tejkaloje 90 ditë gjatë një gjashtëmujori.

2. Heqja e vizave Schengen i përket vetëm qytetarëve të pajisur me pasaporta të reja biometrike.

3. Lëvizja e lirë i përket vetëm sistemit të vizave Schengen (C). Ndër të tjera janë hequr vizat për turizmin, për qëllime biznesi, për shoferet TIR, për qëllime mjekësore, për pjesëmarrje në evente artistike, sportive, e në ngjarje te tjera. Gjithashtu janë hequr vizat për bashkëshortet dhe familjet e shtetasve greke ose shtetas të një shteti anëtar të BE-së.

4. Nuk janë liberalizuar vizat kombëtare (D), dmth vizat që i përkasin bashkimit familjar, punësimit sezonal, minoritaret (shtetasit shqiptarë me origjine greke), studimeve,etj.

5. Ata të cilët janë të pajisur me pasaportë biometrike dhe kane vizë Schengen, ku kohë qëndrimi është me pak se 90 ditë gjatë një gjashtëmujori, por mbaron pas datës 15/12/2010, duhet mbarojnë këtë afat kohor, përpara se të kthehen në shtetin përkatës. Kjo lidhet praktikisht, në qoftë se dikush ka marre vizë dhe fillon të jetë e vlefshme  1/12/2010 dhe hynë në zonën Schengen ne 2/12/2010 numërimi i 90 ditëve fillon po atë datë 2/12/2010.

6. Hyrja në zonën Schengen komandohet nga dispozitat e ligjit për të drejtën e komunitetit Schengen. Konkretisht  të interesuarit duhet të kenë dokumente  udhëtimi të vlefshme, të mos jene të regjistruar si të pa dëshirueshme në sistemin e informacionit Schengen, si dhe në bazave të të dhënave kombëtare të shteteve anëtare te BE-së, e të mos konsiderohen si një kërcenim për rendin publik, sigurinë, shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të shteteve anëtare te BE-se.
7. Gjithashtu palët e interesuara që duhet të kalojnë jashtë kufijve (do të argumentojnë hyrjen në zonën Schengen autoriteteve kufitare të kontrollit të shteteve anëtare të BE-së )të argumentojnë mjaftueshëm qëllimin dhe kushtet e qëndrimit me dokumentet e domosdoshme. Ky i fundit duhet të provojë që ka mjete jetese të mjaftueshme për nevojat që lindin gjithë qëndrimit.

8. Veçanërisht autoritetet kufitare të kontrollit shtete anëtare të BE-së nga ku dhe do të bëhet e mundur të hyjnë për në zonën e Schengenit, do të duhet të shqyrtojnë nëse personi ka: a) Sigurim shëndetësor , b) Të ardhurat e nevojshme për periudhën e qëndrimit dhe ndër të tjera mund te jetë mbajtës i një kartë krediti (ju lutem kini parasysh se minimumi i të ardhurave për një ditë, sipas Legjislacionit Grek konsiston në shumën prej 50 €), c) Dokumente që vërtetojnë akomodimin e udhëtimit në ato raste që nuk konsiston në një vizitë private familjare, por për turizëm rekreativ (p.sh. rezervime hoteli, bileta ajrore me datën e kthimit, etj)

9. Për më tepër, autoritetet e kontrollit të kufirit kanë të drejtë të kërkojnë ndër të tjera: a) Ftesa për pjesëmarrjen në konferenca dhe ngjarje të natyrës tregtare, ose ftesa nga kompanitë për kontaktet e biznesit në ato raste që i përkasin udhëtimeve të biznesit, b)leje qarkullimi ndërkombëtare për shoferët e kamionëve e transportit, si dhe dokumentet e porositura të mallrave nga firmat import–eksporte etj. c) Një vërtetim mjekësor nga institucionet në të cilat të interesuarit janë pranuar për vizitë dhe trajtim, në ato raste që udhëtimet janë të ndërmarra për arsye mjekësore dhe prova për mjete të mjaftueshme financiare për pagesën e trajtimit mjekësor (p.sh.llogaritë bankare) dhe d) Ftese për evenimente artistike dhe ngjarje sportive për udhëtarët që udhëtojnë për motive të tilla, etj.
?    10. Në çdo rast nëse ndonjë nga kriteret e mësipërme nuk plotësohen, ose vënë re ndonjë shkelje sidomos autoritetet e para kufitare të shtetit, mund të refuzojnë hyrjen në zonën e Schengenit.

11. Zbatimi i këtyre kushteve nga të interesuarit cilësohet si thelbësor për lehtësimin e punës së autoriteteve kufitare.

1 COMMENT

Leave a Reply to NOBADY Cancel reply

Please enter your comment!
Please enter your name here