HYRJE Rajoni Greqi, ekspertiza: I dënuari vdiq si pasojë e rrahjeve

Greqi, ekspertiza: I dënuari vdiq si pasojë e rrahjeve

0
130

serres_burguIlia (Ilir) Kareli, shqiptari që vrau rojen në burgun grek të Malandrinos, u gjet mbrëmë para mesnate i vdekur në qelinë e burgut të Nigritas në Serres, ku ishte transferuar pasdite për izolim dhe mbrojtje nga ndonjë hakmarrje e mundshme.

Rezultatet e autopsisë
Minutë pas minute hidhet dritë mbi vdekjen e shqiptarit Ilia Kareli ne burg. Rezultatet e autopsisë së trupit të 40-vjecarit shqiptar Ilia Kareli tregojnë se vdekja e tij erdhi si pasojë e traumave nga goditjet.

Rezultatet e autopsisë konfirmojnë se 40-vjeçari kishte thyerje në kafazin e kraharorit dhe lëndime të shumta në trup. Sipas mjekëve që kanë firmosur rezultatet e ekspertizës, goditjet janë shkaktuar para më shumë se 24 orësh dhe jo me duar, por me mjete te tjera.

Ndërkohë për tv SKAI mjeku ligjor ka deklaruar se vec thyerjeve e goditjeve të shumta, Kareli duhet të jetë torturuar. Në pëllëmbë kishte shenja tronditjeje, që po interpretohen në media si shenja të elektroshokut. Trupi i shqiptarit pritet të kthehet nga Selaniku në Nigrita për t’u marrë nga të afërmit e tij.

Dëshmitë per vdekjen e të dënuarit, bërtiti “Më sillni një litar!” Ilia Fareli

Më herët mediat greke botuan dëshmi të zyrtarëve të burgut, sipas të cilëve, kur Kareli mbërriti në burg dje rreth orës 16:00, kishte shenja goditjeje në trup, gërvishtje dhe hematoma. Ai nuk u ankua për dhimbje dhe kur i kërkuan që ta dërgonin në ambulancë nuk pranoi por bërtiti: “Më sillni një litar!”

Sipas shefit të rojeve të burgut, Kareli që nga momenti i mbërritjes në burgun e Nigritas deri në momentin kur ndërroi jetë, nuk pati kontakt me asnjë të dënuar apo zyrtar në burg. Qelia e izolimit u krijua posaçërisht për të, ishte e survejuar me kamera dhe çdo lëvizje e tij është e regjistruar.

Vlen të theksohet se faqja e internetit “Indimedia” kishte shkruar më herët, se i dënuari Ilia Kareli është rrahur gjatë transferimit nga burgu i Malandrinos në Nigrita.

Vdekja e të dënuarit Ilia Kareli
Ilia (Ilir) Kareli, shqiptari që vrau rojen në burgun grek të Malandrinos, u gjet mbrëmë para mesnate i vdekur në qelinë e burgut të Nigritas në Serres, ku ishte transferuar pasdite për izolim dhe mbrojtje nga ndonjë hakmarrje e mundshme.

Rreth orës 23:30, gardiani i shërbimit vërejti se Kareli prej një kohe të gjatë nuk jepte shenja jete. U njoftua menjëherë urgjenca dhe Kareli u dërgua në spitalin e Serresit.

Ndërkaq në pamjet e kamerave të sigurisë, i dënuari dukej se nuk ka qenë i qetë në momentet përpara se të jepte frymën e fundit. Kamerat e tregojnë 40 vjeçarin që teksa shtrihet në shtrat, merr frymë thellë e me vështirësi.

Ministria e Drejtësisë urdhëroi fillimin e hetimeve të menjëhershme rreth kësaj ngjarjeje.

Vrasja e gardianit, Jorgos Cironis nga Ilia Kareli
Më 25 mars Ilia Kareli sulmoi nga prapa dhe vrau me thikë gardianin 46 vjeçar, Jorgos Cironis, me pretendimin se i ishte mohuar leja për të takuar nënën. Kur u pyet në prokurori për krimin, ai nuk tregoi pendesë dhe tha se i ishin privuar dy jetë, pasi nuk ishte lejuar të shihte nënën sa e kishte gjallë, ndaj ishte i detyruar të kryente vrasjen.

Shqiptari ishte burgosur së pari më 21 tetor 1997, i akuzuar për grabitje dhe ishte dënuar me 16 vjet e 5 muaj heqje lirie. Por në 27 maj 2006, pasi kishte vuajtur 3/5 e dënimit ishte liruar. Më 4 mars 2007 ishte çuar sërish në paraburgim, i akuzuar për tentativë për vrasje me paramendim dhe për grabitje. Akuza për tentativë vrasjeje lidhej me një çift në Neo Iraklio të Athinës, ku Kareli kishte hyrë për të grabitur bizhuteri. Fillimisht u dënua me 21 vjet e 6 muaj, por në shkallë të dytë dënimi iu ul në 12 vjet e 9 muaj. Por ndaj Karelit ishte shqiptuar edhe një dënim shtesë prej 8 vjetësh, për trafik droge.

Tensione në disa burgje nga të dënuarit shqiptarë
Ndërkaq në burgjet e Malandrinos, Patras, Dhomoks dhe Trikalas ka patur tensione të shkaktuara nga të dënuarit shqiptarë, të cilët janë zemëruar pas vdekjes së Ilir Karelit në burgun e Nigritas. Megjithatë bëhet e ditur se pas disa orësh situata u vu nën kontroll pa incidente të mëdha dhe autoritetet janë në gatishmëri të plotë.

Federata e punonjësve të burgjeve: Keqardhje per cdo jetë të humbur
Në një deklaratë, Federata e punonjësve të Burgjeve, shpreh keqardhjen për vdekjen e të dënuarit shqiptar në qeli dhe deklaron se humanizmi nuk i lejon të bëjnë dallim për jetët e humbura, qofshin ata punonjës apo të dënuar. “Në kërkojmë burgje, ku të mos ketë humbje jete nga asnjë palë dhe dënojmë cdo formë shpagimi apo hakmarrjeje, sepse vlerat univerale të jetës janë drejtuesi ynë”, thuhet në deklaratë.

Duke i shprehur ngushëllimet familjes së Ilia Karelit, Federata e punonjësve të burgjeve, siguron se ata nuk janë të përfshirë në këtë ngjarje dhe se nuk do të bënin kurrë diçka që të vinte në rrezik jetën e të dënuarit.

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here